Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi pak ditë më parë aplikimin e kompanisë DEPA Commercial s.a., e cila do të kryejë treg-testin e gazsjellësit TAP sa i takon kapacitetit dhe lidhjes në këtë fazë që cilësohet jodetyruese. Në vendimin e bërë publik, Enti sqaroi se aplikimi i kompanisë vjen në përputhje me nenin 4.7, pika 9 të Opinionit Përfundimtar të Përbashkët të Rregullatorëve të Energjisë së Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë dhe Direktivën 2003/55/EC të Parlamentit dhe Këshillit Europian, datë 26 Janar 2003, lidhur me rregullat e përbashkëta në tregun e brendshëm të gazit natyror.
“TAP AG, sipas neneve 4.1, pika 7 dhe 4.7, pika 2, 6 dhe 9, të Opinionit Përfundimtar të Përbashkët të Rregullatorëve të Energjisë së Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë, është e detyruar të plotësojë kërkesat për kapacitetin detyrues/lidhës të cilat rezultojnë nga çdo testim tregu” – nënvizon Enti.
Ky i fundit bën të ditur se referuar Njoftimit të fazës jodetyruese për testin e tregut TAP AG 2021, kërkesat nga palët e interesuara për lidhjet/kapacitetet jodetyruese duhet të paraqiteshin në TAP AG deri më datë 11 Tetor 2021.
“Faza jodetyruese e testimit të tregut për vitin 2021 nga Gazsjellësi Trans Adriatik ka filluar në 12 Korrik 2021. Testi i Tregut duhet të kryhet në përputhje me udhëzimet e miratuara bashkërisht me autoritetet rregullatore italiane (ARERA), greke (RAE) dhe shqiptare (ERE)” – thuhet në vendim.
Në vendim theksohet se Depa Commercial S.A. është në fazën paraprake jo të detyrueshme të përcjelljes të aplikimit/kërkesës për fazën jo të detyrueshme, për lidhjen dhe kapacitetin e gazit natyror pranë shoqërisë TAP AG.
Gazsjellësi TAP nisi operacionet tregtare në fund të vitit të shkuar. Ky gazsjellës është afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë është afërsisht 2,100 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa më e ulëta është 810 metra në thellësi të ujërave në Adriatik. TAP transmeton gaz nga fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan drejt Europës./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.