Tregjet globale përshtaten me një ndryshim në tonin e Rezervës Federale. Ata që vënë bast mbi reflacionin dhe mallrat, dalin të humbur
Për shtatë muaj, shumica e investitorëve kanë qenë optimistë. Që kur kompanitë Pfizer dhe BioNTech publikuan rezultatet e suksesshme të provave të vaksinës së tyre kundër Covid-19 nëntorin e kaluar, mënyra për të fituar para në tregje ka qenë besimi në një vrull të zhurmshëm të ekonomisë globale, teksa më në fund, njerëzit shpenzojnë lirisht mbi të gjitha aktivitetet që deri tani ishin të ndaluara, si pushimet turistike, darkat jashtë apo pazaret.
Kjo tregti “reflacioni” rriti në nivele rekord çmimet e mallrave të përdorura në ndërtim, si bakri dhe lënda drusore. Ajo rriti aksionet globale, veçanërisht çmimet e aksioneve të firmave më të goditura nga pandemia, si operatorët e lundrimit dhe shitësit me pakicë.
Monedhat e ekonomive në zhvillim, të cilat priren të përfitojnë më shumë se shumica nga forca ekonomike globale, u forcuan kundrejt dollarit dhe euros. Yield-et e bonove u rritën, së bashku me pritshmëritë për rritje të shpejtë dhe inflacion më të lartë.
Kjo duket se ndryshoi më 16 qershor, pasi Rezerva Federale (deri tani optimiste për rritjen e inflacionit amerikan), sugjeroi se mund të mendojë për rritjen e normës së interesit, të ankoruar për një kohë të gjatë në nivelin zero. Bonot dhe aksionet me kohë të shkurtër ranë, po ashtu edhe çmimet e mallrave të ndërtimit. Këto shqetësime u qetësuan disi më 22 qershor, kur Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, theksoi se Banka Qendrore do të qëndrojë e duruar dhe do t’i mundësojë ekonomisë të arrijë një rimëkëmbje të plotë nga pandemia. Por investitorët pyesin veten nëse ka përfunduar tregtia e madhe e reflacionit.
Entuziazmi
Entuziazmi i muajve të fundit u nxit pjesërisht nga supozimi se Rezerva Federale do të mbante të njëjtën politikë monetare të lirshme. Prandaj nisi ankthi kur zoti Powell sugjeroi se banka qendrore mund të marrë në konsideratë shtrëngimin “disi më shpejt sesa ishte parashikuar më parë”.
Rezerva Federale rriti parashikimet e inflacionit, si dhe vlerësimin mesatar për të ardhmen e normave të interesit, për të përfshirë dy rritje në vitin 2023. Zoti Powell gjithashtu tha se Rezerva Federale do të fillojë të diskutojë se kur të ngadalësojë blerjet e aseteve nga niveli i tanishëm prej 120 miliardë dollarësh në muaj. Ky ndryshim në ton u përforcua dy ditë më vonë kur James Bullard, kreu i Rezervës Federale të St Louis, tha për CNBC se rritja e parë e normës së interesit mund të ndodhë në fund të vitit 2022.
Rezerva Federale ishte dukur shpërfillëse edhe ndërkohë që shenjat e “mbinxehjes” së ekonomisë amerikane u bënë më të vështira për t’u injoruar. “PCE bazë”, një matje e inflacionit të cilën Banka Qendrore e vëzhgon me kujdes, u rrit në 3% në bazë vjetore, në fund të prillit. Inflacioni total, i njehsuar nga indeksi i çmimit të konsumit, u rrit nga më pak se 2% në shkurt, në 5% në maj.
Provat e mbinxehjes së ekonomisë janë të shumta, që nga tregu i vrullshëm i banesave, deri te faturat ushqimore, çmimet e gazit dhe çmimet e Uber. Megjithatë, zyrtarët e Rezervës Federale atëherë thanë se përshpejtimi i inflacionit ishte “kalimtar” dhe se ata do të shqyrtonin efektet e tij. Dhe investitorët i besuan.
Prandaj mbetën të befasuar nga ndryshimi i tonit. U shfaqën shumë nga tendencat që kanë dominuar tregjet që nga nëntori. Duke reflektuar rritjet e mundshme të normës së interesit, Yield-i i obligacioneve dyvjeçare u rrit në 0.27%, nga 0.16% më 14 qershor (shih grafikun). Yield-i 30-vjeçar, i cili ndikohet nga pritshmëritë e rritjes afatgjatë ose pritshmëritë e inflacionit, ra në 2.02% më 18 qershor, nga 2.21% para takimit të Rezervës Federale.
Mundësia që Rezerva Federale të vendosë një frenë mbi inflacionin dhe rritjen, goditi aksionet dhe çmimet e mallrave. Aksionet “me vlerë”, të cilat kishin performuar veçanërisht mirë që nga nëntori, u goditën rëndë. Bakri humbi vlerën, me një ulje prej 8% gjatë javës. Vlera e lëndës drusore ra me 15%. S&P 500 ra nga një nivel i lartë rekord, në një nivel 2% më të ulët në fund të javës, megjithëse i ka rikuperuar këto humbje, pjesërisht falë fjalëve qetësuese të zotit Powell më 22 qershor.
Në pozitë të vështirë
Rezerva Federale gjithashtu ka vënë në një pozitë të vështirë politikëbërësit monetarë në vende të tjera. Kur shpalosi për herë të fundit një stimul pas krizës, në vitin 2013, Rezerva Federale shkaktoi një efekt famëkeq, ku shumë monedha të tregut në zhvillim ranë ndjeshëm ndaj dollarit. Më 16 qershor, Banka Qendrore Braziliane rriti normat e interesit nga 3.5% në 4.25%, rritja e tretë që nga shkurti, pavarësisht dëmit që Covid-19 i ka shkaktuar ekonomisë së Brazilit (dhe shëndetit të brazilianëve).
Në Hungari, Banka Qendrore rriti normat e interesit me 0.3% më 22 qershor, pak më shumë se sa pritej. Ajo u ndoq një ditë më vonë nga Banka Kombëtare Çeke. Bankierët qendrorë në botën në zhvillim shqetësohen se një Rezervë Federale më e egër, do të bëjë që monedhat e tyre të dobësohen, duke përkeqësuar problemet e inflacionit.
Pyetja me të cilën përballen investitorët tani është se sa është zhvendosur qëndrimi i Rezervës Federale. Tashmë duket se reagimi fillestar ndaj takimit të mbajtur nga Rezerva Federale ishte i tepruar. Kur shumë investitorë mbajnë të njëjtin pozicion, ata mund të detyrohen të shpëtojnë me nxitim nëse tregjet lëvizin me dhunë kundër tyre. Kjo gjë mund të përkeqësojë paqëndrueshmërinë.
Në fakt, ka arsye për të menduar se tregtia e madhe e reflacionit ka për të vazhduar më tej: rihapja e ekonomisë amerikane është ende në fazat e saj të hershme, fundi i vitit 2022 është shumë larg dhe zoti Powell ende duket se i trembet shtrëngimit të politikës monetare shumë shpejt.
Por ata që u kthejnë shpinën monedhave të tregut në zhvillim, aksioneve me vlerë dhe bakrit, kanë shumë arsye për të qenë të bindur se ekonomia do të ngadalësohet edhe një herë. Çmimet e lëndës drusore tashmë ishin në rënie para takimit të Rezervës Federale, teksa u qetësua furia për të kryer rinovime në shtëpi.
Shpenzimet e kartave të kreditit, një tregues i hershëm i aktivitetit ekonomik, kishin qenë 20% më të larta sesa dy vjet më parë, por këtë muaj ritmi është ngadalësuar në 16.5%, sipas Bankës së Amerikës. Së shpejti, investitorët do të mësojnë se cilat baste do të jenë më fitimprurëse.
Përktheu: Lira Muça