Tregjet e kapitalit, sa shanse kanë të zhvillohen në Shqipëri

08/06/2019 10:10 PM 0 komente

Grupet e interesit kanë mbi tryezë një projektligj, që synon zhvillimin e tregut të kapitalit në vend, nga njëra anë, dhe rritjen e mbikëqyrjes dhe besueshmërisë, në anën tjetër. Drafti vjen në vetvete me një seri risish dhe plotësim të boshllëqeve, që vihen re aktualisht në një treg ende të pazhvilluar, ashtu sikurse koncepte të përparuara, që imponohen nga direktiva e Bashkimit Europian dhe që ndoshta duken larg realitetit tonë. Por çfarë sjell në vetvete ky projektligj dhe si e shohin aktorët e tregut këtë nismë?

 

Nga Nertila Maho

 

Nëse ka diçka që Shqipëria e ka bërë shpesh mirë është përputhja e legjislacionit vendas me direktivat e Bashkimit Europian. Por kjo praktikë është shoqëruar vazhdimisht me ligje të mira, të cilat kthehen në bumerang pasi zbatimi i tyre has vështirësinë e përshtatshmërisë me realitetin që jeton vendi. Çalimi te zbatimi ka bërë që edhe ligjet më të mira të mbeten thjesht në letër, duke mos dhënë frytet apo arritjen e objektivit për të cilin u hartuan.

Përpjekja e fundit për të rifreskuar legjislacionin shqiptar me kërkesat që ka Bashkimi Europian, është zhvendosur në një treg që, edhe pse në hapat e parë, merr rëndësi të veçantë, atë të kapitalit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim një draft-ligj “Për tregjet e kapitalit”, duke hapur kështu rrugën për komente dhe finalizimin e themeleve të reja për një treg që, edhe pse jo fort i lakuar, është pjesë e rëndësishme në tregun financiar.

Objektivi i këtij ligji lidhur me zhvillimin e tregjeve të kapitalit, është përmbledhur në tre pika. Së pari synohet të krijohen mundësi financimi dhe të mundësojë emetimin e letrave me vlerë. Së dyti të kanalizojë kursimet nëpërmjet fondeve më të mirë të rregulluara të investimeve dhe pensioneve. Së treti, të tërhiqen investitorët e huaj.

 

Çfarë sjell projektligji i ri “Për tregjet e kapitalit”

 Në relacionin që shoqëron projektligjin “Për tregjet e kapitalit” theksohet se nevoja për këtë kuadër të ri erdhi pas kryerjes së një analize të plotë të boshllëqeve, sipas legjislacionit të BE-së dhe standardeve ndërkombëtare, ku është identifikuar nevoja për këtë projektligj, me synim zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri dhe krijimin e një baze ligjore të plotë, të qartë dhe të zbatueshme për këto tregje.

“Projektligji rrit kompetencat e Autoritetit në tregjet e kapitalit, sidomos në procesin hetimor të praktikave të paligjshme të tregtimit dhe vendosjen e gjobave administrative. Ai vendos standarde më rigoroze për fit & proper të aksionerëve influencues, administratorëve, anëtarëve të këshillit mbikëqyrës, si dhe personave të tjerë kryesorë. Vendos standarde në interesin më të mirë të investitorëve, duke mos lejuar trajtime preferenciale, si dhe duke siguruar konfidencialitet mbi të dhënat e investitorit. Projektligji vendos rregulla mbi shmangien e manipulimit të tregut dhe praktikave të tjera të paligjshme të tregtimit. Projektligji vendos rregulla për krijimin e institucioneve të reja”, – thuhet në relacion. I njëjti sqaron se tashmë të gjitha hallkat që mund të bëjnë funksional dhe me standarde një treg kapitali janë krijuar, duke garantuar edhe rritjen dhe kontrollin më të mirë të tregut të kapitalit.

 

Depozitari Qendror i Titujve dhe Agjencia e Vlerësimit Kreditor

Janë një sërë institucionesh që ngarkohen nga projektligji për zbatimin e tij ku, ndër të tjera, kryesor mbetet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka nën mbikëqyrje edhe tregje të tjera. Dy të tjerët që bien në sy janë Depozitari Qendror të Titujve dhe Agjencia e Vlerësimit Kreditor. Drafti përcakton qartë rolin që ka secili prej tyre dhe shërbimet që do të ofrojnë. Lidhur me depozitarin, shërbimi i tij i parë kyç është regjistrimi fillestar i titujve në një regjistër (“shërbimi noterial”).

Së dyti, ofrimi dhe mbajtja e llogarive të titujve në nivelin më të lartë (“shërbimi i mbajtjes qendrore”). Së treti, operimi i sistemit të shlyerjes së titujve (“shërbimi i shlyerjes”). Përveç këtyre, Depozitari Qendror i Titujve mund të ofrojë edhe shërbime ndihmëse jobankare që nuk përfshijnë risk kredie ose likuiditeti. Projektligji parashikon mundësinë e krijimit të agjencive vendase të vlerësimit kreditor. Këto të fundit duhet të licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe të bëjnë analizë të të dhënave dhe informacioneve, si dhe vlerësim, miratim, dhënie dhe shqyrtim të vlerësimeve të rrezikut të kreditit. Kapitulli 5 i projektligjit jep një panoramë të qartë të të gjithë institucioneve të përfshira në tregun e kapitalit hallkë pas hallke, nga bursa te platforma shumëpalëshe e tregtimit, shtëpia e klerimit-sistemi i klerimit dhe shlyerjes apo regjistruesit.

 

Mbrojtja e investitorëve dhe hetimet administrative

Kapitulli 7 i projektligjit është ndoshta te më të rëndësishmit kur bie fjala tek investitorët. Ai përfshin kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe hapat që mund të hedhë ky i fundit në funksion të transparencës në treg. Kështu, drafti parashikon kompetencat e këtij institucioni për të kërkuar informacion apo akt ekspertizë.

Në çdo rast, Autoriteti mund të kryejë edhe një hetim administrativ. “Nëse çmon se ka arsye të mjaftueshme për të vepruar, ose nëse ka arsye për të dyshuar se është kryer një vepër penale, Autoriteti mund të caktojë një ose më shumë ekspertë për të kryer një hetim në emër të tij”, thuhet në draft-ligj. Hetimi mund të përfshijnë disa aspekte, duke nisur nga sjellja e veprimtarisë tregtare të një personi të licencuar te pronësia. Në çdo rast, Autoriteti duhet të njoftojë me shkrim personin objekt hetimi. Në hetim mund të merren parasysh dokumentet e mbajtura nga vetë personi, por edhe nga palë të treta.

Hyrja në mjedise bëhet me urdhër nga Gjykata. I njëjti kapitull, pra ai 7 ndalet, te mbrojtja e investitorëve, duke sanksionuar se Autoriteti mund të ndërhyjë kur konstatohet se një person i licencuar nuk ka respektuar detyrimet që i janë përcaktuar nga ligji. Në një fazë të parë, Autoriteti mund të kërkojë korrigjim të shkeljes, ndërkohë që në interes të mbrojtjes së klientëve, Autoriteti mund të japë urdhër për ngrirjen e aktiveve të çdo personi që bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji, të akteve nënligjore ose urdhrave, për shtatë ditë kalendarike.

Në rastet kur rrezikohen, ose ka të ngjarë, interesat e investitorëve, klientëve të firmës së investimit, ose të mbajtësve të kuotave të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, Autoriteti mund t’i urdhërojë firmës së investimit të mos tregtojë me paratë ose aktivet e investitorëve ose klientëve, në atë mënyrë që e konsideron të përshtatshme. Po kështu, mund t’ia ndalojë firmës së investimit kryerjen e transaksioneve, ofrimin e veprimtarisë tregtare personave, ose t’i kërkojë firmës së investimit ta ushtrojë veprimtarinë tregtare, në mënyrën që mund të përcaktojë Autoriteti, ose t’i kërkojë firmës së investimit të mbajë prona në territorin e Republikës së Shqipërisë, në një vendndodhje që e përcakton Autoriteti.

 

A jemi ende herët për një ligj kaq të avancuar

Grupet e interesit, që përbëjnë sot bazën e institucioneve publike dhe private të tregut të kapitalit, shprehen pozitive për draft-ligjin e ri për tregun e kapitalit. Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve, vlerëson se ka disa risi që vijnë me këtë projektligj. “Drafti sjell risi pozitive në drejtim të mbledhjes së të gjithë kuadrit ligjor të industrisë së titujve, nën të njëjtën çati, në një ligj të vetëm, harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor aktual me direktivat e BE-së dhe me praktikat më të mira botërore në industrinë e titujve, si dhe përcaktimit më të qartë e të saktë të rolit të disa institucioneve dhe tregjeve financiare.

Ai fut, për herë të parë, dhe mbulimin ligjor të aktivitetit të disa operatorëve të rëndësishëm, si ndërmjetës financiarë në tregun e kapitaleve, të cilët mungonin në ligjin ekzistues, siç janë depozitarët e titujve, agjencitë e vlerësimit të rrezikut (rating), menaxherët e portofolave të titujve”, shprehet Gjergji. Nga ana tjetër, ai thekson se një treg ende i vogël dhe i pamaturuar mund të kufizohet nga situata aktuale që ekziston në Shqipëri dhe kërkesat që imponon direktiva e Bashkimit Europian.

Edhe Mirela Angjeli, Broker, pranë Triumf Grup sh.a., shprehet se projektligji vjen me disa aspekte pozitive, ashtu sikurse ka edhe vend për pak rezerva. “Në ligjin e ri kërkohen struktura organizative të mëdha, që shton kostot e burimeve njerëzore dhe kostot totale për financat e brishta të shoqërive komisionere në një treg embrional. Ligji duhet të parashikojë faza kohore tranzitore për zbatim nga shoqëritë komisionere, në mënyrë që t’u japin mundësinë këtyre operatorëve të rëndësishëm të rriten gradualisht së bashku me tregun e kapitaleve”, – shprehet Angjeli.

 

Flet Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a.

 

“Tregu i kapitalit, draft-ligji ka risi

por ja çfarë duhet parë me kujdes”

 

Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin e saj me Bashkimin Europian edhe sa i përket tregut të kapitalit, por në këtë rrugë duhet të mbahet parasysh situata aktuale ku ndodhet ky treg. Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve, shprehet se përmirësimi i kuadrit ligjor është pozitiv, por ai duhet të shihet me kujdes. Lidhur me hallkat e tregut, ai shprehet se tashmë, ato janë plotësuar dhe tregu, pas një faze të gjatë gjumi, ka hyrë në rrugën e rritjes.

 

A mund të bëjmë një bilanc të ecurisë së Bursës Shqiptare të Titujve ALSE nga hapja e deri më tani? Si ka qenë interesi? 

Ecuria e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, për vitin e parë kalendarik të aktivitetit (deri më 31 dhjetor 2018) ka tejkaluar pritshmëritë dhe parashikimet tona. Në një këndvështrim të përgjithshëm, gjatë vitit të parë të aktivitetit në periudhën shkurt – dhjetor 2018, vlera e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE arriti në nivelin 2.57 miliardë lekë, ose rreth 20.8 milionë euro, me një sasi (volum) prej më shumë se 106,700 njësi titujsh të tregtuar dhe një numër total prej 127 transaksionesh. Gjatë kësaj periudhe, në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE kanë dominuar:

transaksionet mes bankave me njëra-tjetrën, transaksionet në Oraret Zyrtare (On-Exchange), transaksionet në Obligacione Thesari; transaksionet në valutën LEK. Pjesa më e madhe e transaksioneve të zhvilluara gjatë vitit të parë të aktivitetit janë transaksione në tregun me pakicë (bankë-klient) që përbëjnë edhe rreth 63% të totalit krahasuar me transaksionet ndërbankare (bankë-bankë). Transaksionet mes bankave në ALSE janë dominuese në vlerën e tregut (55.6% e totalit), dhe në sasinë e tregtuar të titujve (69.8% e totalit).

Parë në këndvështrimin e maturimit nga bonot e thesarit, titujt më aktivë janë ata me maturim 12-mujor, të ndjekur nga BTH 6-mujore, ndërkohë që mungojnë transaksione në BTH 3-mujore, sepse afati i tyre i maturimit është shumë i shkurtër. Parë në këndvështrimin e maturimit nga obligacionet e thesarit, titujt më aktivë në tregtim janë ata me maturim5-vjeçar dhe 10-vjeçar, të ndjekur nga 2-vjeçarët, për sa i përket numrit të transaksioneve dhe ata me maturim 7-vjeçar për sa i përket volumit dhe vlerës së tregtuar.

 

Në këndvështrimin tuaj, në çfarë faze ndodhet sot tregu i kapitaleve në vend?

Tregu i kapitaleve në vend është në një fazë intensive zhvillimi, me një ritëm mjaft të shpejtë, por edhe cilësor. Kështu, parë në të gjitha këndvështrimet, tregu i kapitaleve po zgjerohet në drejtim të ndërmjetësve financiarë (të rinj dhe ekzistues), shërbimeve financiare, instrumenteve financiarë, përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ, rritjes së nivelit të cilësisë dhe efikasitetit dhe mbikëqyrjes nga rregullatorët.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka një interes të vazhdueshëm të investitorëve për alternativa të reja investimi, që mund të sjellin një normë kthimi më të lartë për portofolat e tyre të kursimit (ana e kërkesës për tituj) si dhe një rritje të nevojës së biznesit për diversifikimin apo përmirësimin cilësor të burimeve dhe parametrave të financimit të aktivitetit të tyre (ana e ofertës për tituj).

Edhe pse e gjithë pesha specifike e tregut jobankar në përgjithësi, por edhe atij të kapitaleve në veçanti, mbetet e vogël brenda sektorit financiar (sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë është më pak se 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto), duhet thënë se vitet e fundit, kemi një rritje relative të shpejtë dhe cilësore të prezencës së këtij tregu dhe operatorëve të tij.

 

Cilat janë sfidat që hasen dhe që kufizojnë zhvillimin? Sa frenues janë faktorë të tillë si edukimi financiar i vakët, mungesa e besueshmërisë apo struktura e përgjithshme e ekonomisë?

Sfidat janë pa fund, kur vjen puna për zhvillimin, sidomos të tregut të kapitaleve dhe industrisë së titujve në Shqipëri. Kryesorja ka të bëjë me mungesat strukturore që ka arkitektura aktuale e tregut, në aspektin teknik por jo në pak raste, problematike bëhen edhe mungesat në aspektin ligjor e rregullativ.

Në më shumë se 5 vite që ka filluar projekti i krijimit të bursës së parë me kapital privat në vend, duhet thënë se kemi bërë një punë të madhe, në drejtim të identifikimit të të gjithë këtyre mungesave e nevojave, si dhe adresimit tek institucionet rregullatore përkatëse.

Gjithashtu, ka qenë bashkëpunimi i shkëlqyer dhe bashkërendimi i punës me institucionet rregullatore (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë) për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata të problematikave të hasura, me qëllim mundësimin e zhvillimit të një tregu kapitalesh të shëndetshëm që të plotësojë, në mënyrë sa më efikase, nevojat për kapital në ekonominë e vendit. Në këtë tablo nuk ka munguar edhe ekspertiza e mbështetja financiare e donatorëve të huaj në vend, të cilët kanë mbështetur procesin nga pikëpamja e përmirësimeve ligjore, duke ndihmuar rregullatorët në drejtim të harmonizimit të kuadrit ligjor me direktivat e BE-së, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare në industrinë e titujve.

Paralel me punën për amortizimin e problematikave dhe mungesave strukturore e ligjore, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka qenë mjaft aktive edhe në drejtim të tërheqjes drejt këtij tregu të ri, si të ndërmjetësve financiarë, ashtu edhe të investitorëve potencialë, që duan të diversifikojnë portofolat e tyre. Sidomos në këtë këndvështrim, i kemi dhënë prioritet të jashtëzakonshëm edukimit financiar, me një fokus të veçantë te studentët e fakulteteve ekonomike në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik e Jopublik në vend. S’jemi mjaftuar me kaq, por kemi rritur prezencën në publik, nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive, apo rrjeteve sociale, pa lënë mënjanë një faqe zyrtare mjaft interaktive me informacion të bollshëm edukativ, por edhe statistikor me të dhënat më të fundit nga transaksionet financiare të ekzekutuara në ALSE.

 

Sa të plotësuara janë hallkat e këtij tregu sot në kuptimin e aktorëve pjesëmarrës siç janë fondet e investimit, brokerat e licencuar, këshilluesit e investimeve, bursa, kuadri i përshtatshëm ligjor?

Tregu i kapitaleve në Shqipëri nuk ka vuajtur kurrë për praninë e institucioneve financiare të nevojshme, apo për mungesë ekspertize. Në këtë aspekt, në tregun vendas nuk kanë munguar kurrë ndërmjetësit financiarë, njëherazi edhe operatorë të rëndësishëm në industrinë e titujve, siç janë fondet e investimit, brokerat e licencuar, kujdestarët e titujve, këshilluesit e investimeve etj.

Problematika kryesore që ka shoqëruar tregun vendas të kapitaleve ka qenë për shumë vite mungesa e një burse funksionale, e cila mbledh rreth vetes të gjithë aktorët dhe i ndihmon në procesin e përputhjes së kërkesës e ofertës për fonde me kushtet e kostove minimale të ndërmjetësimit financiar. Pikërisht mungesa e këtij institucioni, si dhe mungesa e një institucioni tjetër po aq të rëndësishëm, siç është depozitari i titujve të biznesit (databaza e pronësisë së titujve), kanë nxitur operatorët ekzistues të kërkojnë forma të tjera jo tradicionale të operacionalitetit në industrinë e titujve, duke i dhënë një drejtim ndryshe kësaj industrie për më shumë se dy dekada.

Kështu, p.sh., mungesa e bursës funksionale ka sjellë krijimin e një tregu paralel me pakicë të titujve të Qeverisë, nëpër sportelet e bankave të nivelit të dytë, i cili, nuk është shumë likuid, lë për të dëshiruar në aspektin e transparencës (çmimet nuk publikohen në një vend të centralizuar e lehtësisht të aksesueshëm nga investitorët) si dhe ka kosto relativisht të lartë ndërmjetësimi për investitorët. E njëjta situatë ka ndodhur pak a shumë me mungesën e depozitarit të titujve të biznesit, mungesa e të cilit ka detyruar bankat që të plotësojnë këtë “hapësirë” përtej aktivitetit normal të tyre, nëpërmjet shërbimeve të kujdestarisë së titujve.

Pikërisht zgjatja në kohë dhe deformimi i drejtimit të këtyre tregjeve ka sjellë edhe një lloj rutine dhe dominimi të tregut të titujve të Qeverisë nga bankat e nivelit të dytë, duke krijuar vështirësi për hyrjen e operatorëve të rinj konkurrues, siç janë firmat e brokerimit, ndërkohë që tregu i titujve të biznesit është kryesisht i pambuluar dhe i pashërbyer. Edhe licencimi i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE dhe fillimi i funksionimit normal të saj, pak e ka ndryshuar këtë situatë, në kushtet kur tregtohen vetëm tituj të Qeverisë.

Kjo ndodh sepse bankat i kanë krijuar tashmë kanalet e tyre të tregtimit të titujve në sisteme dhe platforma paralele me kosto relativisht standarde dhe ngurojnë të ndryshojnë kahje në kushtet e një dominance të tregut. Po ashtu, edhe pse ALSE ka më shumë se një vit funksionim, fondet e investimeve apo kompanitë e sigurimeve që kanë portofola të mëdha të ekspozimit në tituj të Qeverisë, pothuajse nuk u afrohen transaksioneve në bursë, pasi shërbehen nga bankat e nivelit të dytë prej më shumë se 2 dekadash.

Kjo është arsyeja pse Bursa Shqiptare e Titujve ALSE e shikon si shumë të domosdoshme nisjen sa më parë të listimit dhe tregtimit të titujve të biznesit (obligacione korporate dhe aksione) si një segment mjaft potencial i tregut, i cili mund të zgjojë jo vetëm interesin e institucioneve financiare banka, fondeve të investimeve etj., por edhe të individëve të cilët janë në kërkim të normave më të larta të kthimit për kursimet e tyre.

 

Ka në diskutim një projektligj “Për tregjet e kapitalit”, e keni parë këtë draft? Keni ndonjë koment mbi të dhe cilat janë risitë që sjell ai për tregun? Po rezerva keni?

Siç e përmenda edhe më lart, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, së bashku me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, ka bërë një punë të lavdërueshme në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, që mbulon tregun e kapitaleve, por edhe segmente të tjera po aq të rëndësishme, siç është industria e fondeve të investimit dhe pensioneve. Sa i përket draft-ligjit të Tregut të Kapitalit, ai sjell mjaft risi pozitive, kryesisht në drejtim të:

  • Mbledhjes së të gjithë kuadrit ligjor të industrisë së titujve nën të njëjtën çati, në një ligj të vetëm
  • Harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor aktual me direktivat e BE-së dhe me praktikat më të mira botërore në industrinë e titujve
  • Përcaktimit më të qartë e të saktë të rolit të disa institucioneve dhe tregjeve financiare
  • Futjes për herë të parë dhe mbulimit ligjor të aktivitetit të disa operatorëve të rëndësishëm, si ndërmjetës financiarë në tregun e kapitaleve, të cilët mungonin në ligjin ekzistues, siç janë depozitarët e titujve, agjencitë e vlerësimit të rrezikut (rating), menaxherët e portofolave të titujve etj. Padyshim që ligji, në gjykimin tonë, ka nevojë edhe për përmirësime, sidomos në drejtim të marrjes parasysh të arkitekturës aktuale të tregut, pasi gjykojmë që duhet gjetur një mesatare e artë mes nevojës për harmonizim të legjislacionit me direktivat e BE-së dhe nevojës për nxitjen dhe zhvillimin e një tregu të vogël, i cili ndodhet në gjenezën e tij, siç është tregu i kapitaleve në Shqipëri. Gjithashtu, e gjejmë me vend dhe të rëndësishëm për ligjin e ri, përcaktimin e afateve të qarta për operatorët e tregut dhe për Autoritetin, unifikimin e termave financiarë të përdorur ndër vite në tregun vendas etj. Gjithsesi, duhet thënë që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka shpërndarë në kohë draft-ligjin për mendim tek operatorët dhe grupet e interesit, si dhe ka mbledhur komentet e tyre. Besoj se një pjesë e konsiderueshme e komenteve të operatorëve të tregut janë marrë në konsideratë, me qëllim përmirësimin cilësor të këtij ligji thelbësor për zhvillimin e tregut të kapitaleve në dekadat që pasojnë.

 

 

 Flet Mirela Angjeli, Broker, TRIUMF GRUP sha

 

“Tregu, i kufizuar vetëm te titujt qeveritarë, në pritje që të përfshihet biznesi”

 

Mungesa e edukimit financiar dhe fakti që titujt korporativë nuk mund të tregtohen në tregun sekondar, janë faktorët kryesorë që kufizojnë rritjen e tregut të kapitalit në vend. Mirela Angjeli, broker pranë Triumf Grup sh.a., një nga kompanitë e para të brokerimit, e themeluar në vitin 2002, nënvizon se pavarësisht këtyre faktorëve, besueshmëria në treg është e lartë, çka mund të nxisë rritjen e tij. Lidhur me draft-ligjin e ri për tregun e kapitaleve, Angjeli thekson se ai ka sjellë një sërë konceptesh të reja. Por është i nevojshëm rishikimi i disa pikave që lidhen me mungesën në përcaktimin e afateve për dorëzimet e dokumenteve dhe përgjigjet nga ana e AMF, apo kërkesa e lartë për organizimin e shoqërisë.

 

Në këndvështrimin tuaj, në çfarë faze ndodhet sot tregu i kapitaleve në vend?

Tregu i kapitalit në Shqipëri ka qenë pothuaj inekzistent për ne si shoqëri komisionere deri në vitin 2018, kur filloi aktivitetin për herë të parë Bursa Shqiptare e Titujve ALSE. Krijimi i një burse aktive u dha mundësi shoqërive komisionere të tregtojnë tituj në tregun sekondar. Duke pasur parasysh që ne si shoqëri komisionere jemi themeluar në vitin 2002, mungesa e një mekanizmi që mundëson funksionimin e tregut sekondar ka sjellë moszhvillimin e aktivitetit tonë deri në vitin 2019, që përkon me anëtarësimin tonë në ALSE. Mund të themi se, tregu i kapitaleve është i kufizuar vetëm në titujt qeveritarë dhe jemi në pritje të mundësisë së tregtimit të titujve të emetuar nga biznesi. Sot, si anëtar i ALSE, Triumf Grup është i angazhuar për zhvillimin e tregut të kapitaleve, duke mundësuar tregtimin e titujve për të gjithë investitorët vendas apo të huaj.

 

Cilat janë sfidat që hasen dhe që kufizojnë zhvillimin? Sa frenues janë faktorë të tillë si edukimi financiar i vakët, mungesa e besueshmërisë apo struktura e përgjithshme e ekonomisë?

Siç e thamë dhe më lart, mungesa e tregtimit të titujve të biznesit është një nga pikat që kufizon zhvillimin e këtij tregu. Gjithashtu, mund të themi që edukimi financiar mbi tregtimin e titujve nga shoqëritë komisionere është në nivele modeste. Ne kemi marrë përsipër të angazhohemi me punë dhe materiale edukuese mbi mundësinë e investimeve nga individët.

Nuk mund të themi që ka një mungesë besueshmërie në treg në momentin që sektori financiar shqiptar është i konsoliduar dhe i kontrolluar në mënyrë korrekte nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Po ashtu, shumë kompani private kanë nxjerrë obligacione me oferta private, të cilat janë shitur, pra nuk e shohim si pengesë mungesën e kërkesës për të investuar në tituj dhe mungesën e besueshmërisë në zhvillimin e tregut të kapitalit.

Mund të themi që të vetmit faktorë që kufizojnë zhvillimin e këtij tregu janë edukimi financiar i investitorëve dhe mungesa e tregtimit të titujve koorporativë në tregun sekondar. Ne presim mundësinë e tregtimit të titujve të biznesit dhe ofertat e para publike nga kompanitë brenda vitit 2019, dhe për këtë do të aplikojmë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për shtesë licence në tregtimin e këtyre titujve. Për tregun e kapitaleve mbetet sfidë lehtësimi i transferimit të titujve nëpërmjet kujdestarëve dhe nevoja e një depozitari qendror.

 

Sa të plotësuara janë hallkat e këtij tregu sot në kuptimin e aktorëve pjesëmarrës, siç janë fondet e investimit, brokerat e licencuar, këshilluesit e investimeve, bursa, kuadri i përshtatshëm ligjor?

Triumf Grup është e para shoqëri komisionere që ka kryer tregtimin e parë të titujve në tregun sekondar jashtë sektorit bankar, duke ndërlidhur të gjithë aktorët e tregut të kapitaleve si, Klient, Shoqëri Komisionere, Bursë, Agjent Shlyerës dhe Kujdestar titujsh. Mund të themi se disa hallka dhe aktorë të këtij tregu tashmë janë shumë efektive dhe të konsoliduara, por ka ende mungesë aktorësh dhe hallkash në zhvillimin e tij. Mungesa e Regjistrarit të Titujve të biznesit ka penguar zhvillimin e këtij tregu dhe licencimi i ALREG nga AMF në muajin janar 2019 mund të jetë një hap i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë së titujve.

Siç u shprehëm dhe në fillim të intervistës kemi mungesë të madhe të edukimit financiar, gjë që çon dhe në mungesë të këshilluesve në investime, jo se mungojnë, por nuk ka treg. Kohët e fundit, nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare janë marrë një sërë masash për rregullimin e kuadrit ligjor për këtë sektor, si miratimi i rregullores së re në lidhje me Agjentin e Lidhur, dhe sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të AMF, pranimin e projektstatuteve për dy shoqëri komisionere të reja, pra mund të themi se është në zhvillim si kuadri rregullativ, edhe shtimi i aktorëve të tregut.

 

Është në diskutim një projektligj “Për tregjet e kapitalit”, e keni parë këtë draft? Keni ndonjë koment mbi të dhe cilat janë risitë që sjell ai për tregun? Po rezerva keni?

Triumf Grup, si aktor i prekur nga ky ligj, ka qenë pjesëmarrës në workshop-et e zhvilluar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për miratimin e këtij ligji. Jemi shumë optimistë mbi ligjin e ri, pasi tregu është zhvilluar dhe ligji aktual daton në vitin 2008. Ndarja e investitorëve institucionalë nga investitorët e thjeshtë është një risi që sjell ky ligj. Nga sa kemi vënë re në ligjin e ri, shihet mungesa e licencimit të brokerit për investitorët institucionalë, ka mungesë në përcaktimin e afateve për dorëzimet e dokumenteve dhe përgjigjet nga ana e AMF, por pjesa që na prek më shumë është kërkesa e lartë për organizimin e shoqërisë.

Në ligjin e ri kërkohen struktura organizative të mëdha, që shton kostot e burimeve njerëzore dhe kostot totale për financat e brishta të shoqërive komisionere në një treg embrional. Ligji duhet të parashikojë faza kohore tranzitore për zbatim nga shoqëritë komisionere, në mënyrë që t’u japin mundësinë këtyre operatorëve të rëndësishëm të rriten gradualisht së bashku me tregun e kapitaleve.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of