Të gjitha segmentet e tregut financiar shënuan ritme relativisht të larta rritje vitin e kaluar. Tregjet u ndikuan pozitivisht nga kthimi i rritjes ekonomike pozitive, por edhe nga efekti i kufizuar i pandemisë në shëndetin e institucioneve financiare në vend
Ersuin Shehu
Tregjet financiare në përgjithësi u ndikuan në përmasa të kufizuara nga pandemia në vitin 2020, ndërsa viti 2021 solli një kthim të shpejtë në nivelet e para-krizës për shumicën e segmenteve të tregut.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor 2021, totali i aktiveve të sektorit bankar arriti në 1.77 trilionë lekë, me rritje vjetore prej 10.8%. Rritja me ritme të larta e depozitave ka mbështetur zmadhimin e mëtejshëm të sektorit, që ka zgjeruar ndërmjetësimin në të gjitha zërat kryesorë të aseteve, përfshi huadhënien.
Mbështetur në të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave, portofoli neto i kredisë së sektorit bankar, në fund të vitit 2020 (sipas standardeve IFRS), arriti vlerën e 614 miliardë lekëve, ose rreth 5 miliardë eurove. Me bazë vjetore, rritja e portofolit të kredisë ka arritur në 8.5%. Ky ritëm rritjeje është më i larti që prej vitit 2011. Të gjitha bankat, pa përjashtim, e kanë rritur kreditimin gjatë vitit 2021, pavarësisht se me ritme të ndryshme.
Të dhënat paralele nga Banka e Shqipërisë tregojnë se edhe kredia e re për ekonominë paraqitet në rritje. Në dhjetë muaj, bankat kanë disbursuar rreth 197 miliardë lekë kredi, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Vlera e kredisë së re është shumë afër nivelit të vitit 2019, çka dëshmon rimëkëmbje në vijimësi nga efektet e pandemisë. Në rritjen progresive vjetore të kredisë, deri tani i gjithë kontributi ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 39%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kreditë me probleme, në nivelin më të ulët në 13 vjet
Paralelisht me rritjen e kreditimit, zhvillim kyç për vitin 2021 ishte ulja e mëtejshme e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar. Në fund të muajit nëntor, ky tregues ra në 6.2%, nga 8.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Niveli i kredive me probleme është më i ulëti i shënuar që prej vitit 2008, kur ky tregues nisi trajektoren rritëse. Muaj pas muaji, statistikat tregojnë se raporti i kredive me probleme po shfaq një rënie të qëndrueshme, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me pandeminë që u shfaqën vitin e kaluar.
Në vitin 2020, raporti i kredive me probleme u mbajt nën kontroll falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, siç ishin shtyrja e pagesave, apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Një qasje të ngjashme ndoqën shumica e bankave qendrore, me shpresën se pasojat e pandemisë do të ishin afatshkurtra. Për shkak të efektit të këtyre masave, pritshmëritë e bankierëve ishin që testi i vërtetë për kreditë me probleme do të ishte viti 2021, sidomos gjysma e dytë e tij.
Disa projeksione fillestare hipotetizonin se raporti i kredive me probleme mund të arrinte deri në 15%. Por, në fakt, gjërat duket se kanë shkuar shumë më mirë se parashikimet fillestare. Përmirësimet në ekonominë reale dhe vijimësia e huadhënies kanë dhënë efekt të dukshëm pozitiv në ecurinë e raportit të kredive me probleme.
Rritja pozitive e portofolit, veç kredidhënies së re, po ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga rritja e peshës së kredisë afatgjatë në portofolin total të huasë.
Fitimi arrin nivelin më të lartë në një dekadë
Sektori bankar shënoi përmirësime të mëtejshme të performancës financiare në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare arriti në 15.8 miliardë lekë, më i larti i regjistruar në dekadën e fundit.
Gjithashtu, për herë të parë në dekadën e fundit, të gjitha bankat e sektorit deri tani raportojnë një rezultat financiar me fitim deri në fund të 9-mujorit. Rritja e fitimeve të sektorit bankar reflekton zgjerimin e mëtejshëm të aktiveve dhe sidomos përmirësimin e huadhënies, por mbi të gjitha, aftësinë për të mbajtur nën kontroll dhe për të ulur më tej raportin e kredive me probleme, pavarësisht goditjes që dha pandemia.
Rënia e kredive me probleme shkurton shpenzimet e bankave për provigjione, që zakonisht japin ndikimin kryesor në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare. Përmirësimi i performancës është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit. Kthimi mesatar nga kapitali për 9-mujorin 2021 arriti nivelin e 12.45%, nga 9.01% në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe 10.67% në të njëjtën periudhë të vitit 2019, para fillimit të pandemisë.
Edhe huadhënia jashtë tregut bankar, me tendencë pozitive
Megjithëse ka përmasa ende mjaft të vogla, tregu i shoqërive të kursim-kreditit arriti norma rekord të rritjes në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të tremujorit të tretë 2021 arriti vlerën e 14.6 miliardë lekëve, ose pothuajse 120 milionë eurove.
Aktivet e këtij sektori janë rritur me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredidhënia për anëtarët përbën edhe zërin kryesor në bilancin e këtyre kompanive, me 68% të totalit të aktiveve. Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë të papërfillshme zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jofinanciare. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të, në fund të muajit shtator 2021 arriti në pak më shumë se 10 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë.
Shoqëritë e kursim-kreditit funksionojnë në formën e kooperativave financiare, ku anëtarët mund të vendosin depozita dhe të përfitojnë kredi. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos për fermerët dhe bizneset e vogla në zonat rurale.
Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të shtatorit, depozitat përbënin afërsisht 73% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë, ato prekën shifrën e 10.6 miliardë lekëve, në rritje 23% me bazë vjetore.
Ecuri pozitive gjatë vitit 2021 shfaqën edhe institucionet financiare jobanka, megjithëse të dhënat statistikore për këtë segment janë të disponueshme vetëm për gjysmën e parë të vitit. Në mesin e vitit 2021, portofoli i huasë i dhënë nga institucionet financiare jobanka arriti në 41.3 miliardë lekë, ose rreth 340 milionë euro.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë është rritur me 10.7%. Portofoli i huasë në këtë segment u takon kryesisht institucioneve financiare të kredidhënies dhe të mikrokredisë. Ky ishte një nga segmentet e tregut financiar që u ndikuan më shumë nga vala e parë e pandemisë. Megjithatë, duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, aktiviteti kreditues edhe për institucione iu kthye rritjes së qëndrueshme.
Sigurimet kalojnë nivelet e para-krizës
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 10-mujorin 2021, primet e shkruara bruto u rritën me 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e primeve të shkruara bruto rezulton më e lartë edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, me 10.1% më shumë.
Kjo tregon se tregu i sigurimeve ka rifituar tendencën normale të rritjes edhe në raport me periudhën e para-krizës. Tregu shqiptar i sigurimeve mbetet kryesisht i varur nga produktet që, në mënyrë direkte apo indirekte, janë të detyrueshme, kryesisht në segmentin e sigurimeve motorike.
Shtimi i numrit të mjeteve në qarkullim, zgjerimi i turizmit hyrës në rrugë tokësore, janë elemente që vetvetiu sigurojnë rritje graduale të këtij segmenti të tregut. Për 10-mujorin 2021, sigurimet e detyrueshme motorike ishin dukshëm dominuese dhe sollën mbi 66% të primeve në segmentin më të madh të tregut, atë të jo-jetës.
Normën më të lartë të rritjes po e shfaqin produktet që, vitin e kaluar, u ndikuan më shumë nga pandemia. Këtë vit primet nga policat kufitare janë rritur me 137.7%, ndërsa ato nga kartoni jeshil, me 27.8%. Sigurimi i brendshëm motorik TPL, deri tani, po shënon një normë rritjeje me 8%. Ndër sigurimet motorike, në rritje shfaqet edhe sigurimi KASKO i automjeteve, me 25.2% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ky sigurim ligjërisht është vullnetar, por në pjesën dërrmuese ai lidhet me financimet e automjeteve me qira financiare. Rritja e turizmit këtë vit duket se ka ndikuar në mënyrë të tërthortë edhe biznesin e makinave me qira dhe produktin e sigurimit KASKO në sigurime.
Sigurimet vullnetare ngelen në pakicë në tregun e sigurimeve, megjithëse edhe ato kanë shfaqur një tendencë në rritje vitin e kaluar. Për 10-mujorin 2021, primet e shkruara bruto në sigurimin e katastrofave arritën vlerën e 1.52 miliardë lekëve, me një rritje prej 34.6% krahasuar me një vit më parë. Në numër kontratash, rritja e tregut është më e ulët, rreth 10% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ritme të larta të rritjes këtë vit po shfaq edhe tregu i sigurimit të jetës. Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto janë rritur me 24.5% me bazë vjetore. Tregu vazhdon të dominohet nga sigurimi i jetës së debitorit, ku primet këtë vit janë rritur me 30% dhe përbëjnë pothuajse 70% të totalit të tregut.
Në mënyrë të tërthortë, kjo tregon se tregu i sigurimit të jetës po rritet sidomos falë kredisë për pasuri të paluajtshme, ku sigurimi i jetës së huamarrësit është kusht i kërkuar nga bankat. Edhe për shkak të rritjes së çmimeve të pronave, limitet e përgjegjësive në kontratat e sigurimit të jetës janë rritur, duke gjeneruar më shumë prime për kompanitë e sigurimit.
Fondet e investimit, tregu është rritur me 12%
Tregu i fondeve të investimit u rimëkëmb ndjeshëm gjatë vitit 2021, pas një cikli disavjeçar në stanjacion. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, në fund të tremujorit të tretë 2021, asetet neto të tregut arritën vlerën e 75 miliardë lekëve, ose rreth 615 milionë euro.
Që nga fillimi i vitit, asetet e tregut janë zgjeruar me 11.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregu është rritur me 12.2%. Rritja e tregut të fondeve të investimit duket se është ndikuar pozitivisht nga përmirësimet e ekonomisë reale, por pjesërisht edhe një ecuri më e mirë e kthimeve nga investimit, sidomos për fondet në valutë të huaj.
Një tendencë e tillë i ka bërë fondet më atraktive për investitorët. Në fund të 3-mujorit të tretë, numri i anëtarëve në fondet e investimit arriti në më shumë se 38 mijë, me një rritje prej 16.4% që nga fillimi i vitit dhe 21.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një shtysë për rritjen e tregut ka dhënë hyrja e aktorëve të rinj në treg.
Vitin e kaluar, AMF licencoi tre fonde të reja investimesh, ndërsa në vitin 2020 ishin licencuar katër fonde të tjera. Aktualisht, në treg veprojnë 11 fonde dhe 5 shoqëri administruese. Sipërmarrësit kryesorë në tregun e fondeve të investimit në Shqipëri janë bankat dhe shoqëritë e sigurimeve.
Të ndara sipas monedhës, pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në Lek, ndërsa ato në valutë të huaj përbëjnë vetëm 12% të totalit. Fondet në Lek i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, në mungesë të alternativave të tjera.
Kjo i kufizon ndjeshëm hapësirat e diversifikimit të portofolave dhe të përmirësimit të kthimeve për anëtarët dhe mund të jetë potencialisht një faktor që i kufizon hapësirat e rritjes së tregut. Aktualisht, fondet e investimit në Lek kanë një profil të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe ofrojnë kthime pak më të larta se depozitat bankare.
Ndërsa pjesa më e madhe e aseteve në Euro janë të investuara në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël investohen në instrumente me rrezik më të lartë, kryesisht aksione. Fondet në valutë të huaj kanë luhatshmëri më të madhe të kthimeve, sidomos ato që investojnë në aksione.
Pensionet private u rritën, por tregu mbetet modest. AMF propozon ligj të ri
Tregu i pensioneve private vijoi rritjen me ritme dyshifrore edhe në vitin 2021. Vlera e aseteve neto të fondeve të pensioneve, në fund të muajit shtator 2021, arriti në 4.28 miliardë lekë ose rreth 35 milionë euro, në rritje me 18.9% që nga fillimi i vitit dhe 24.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pjesën dërrmuese, asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara në obligacione të qeverisë shqiptare. Numri i kontribuuesve në fund të muajit shtator arriti në 32 932, me një rritje prej 6.2% që nga fillimi i vitit dhe me 7.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në treg, aktualisht veprojnë katër fonde të pensioneve private. Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 4.2% e atyre që paguajnë kontribute në skemën e detyrueshme shtetërore dhe afërsisht sa 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve (bazuar në Anketën e Forcave të Punës).
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur një projektligj të ri, që synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse. Për të nxitur investimet e punëmarrësve (por edhe të punëdhënësve të tyre) në fonde të pensioneve private, projektligji rrit përjashtimet tatimore që parashikohen në ligjin aktual.
Aktualisht, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore (përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale), është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 30 mijë lekësh në muaj.
Sipas ligjit aktual, kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250 mijë lekë.
Projektligji i ri propozon që, edhe për kontributet e punëdhënësit, vlera e njohur si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të bazohet në pagën minimale. Duke mbledhur kontributet e punëdhënësit dhe atij të punëmarrësit, projektligji parashikon një përjashtim tatimor mbi kontributet e një individi sa dy paga minimale, shumë që aktualisht përkthehet në 60 mijë lekë në muaj, ose 720 mijë lekë në vit.
Mbështetur në nenin 90 të ligjit në fuqi, çdo pagesë e marrë nga anëtari i fondit të pensionit, tatohet me tatimin mbi të ardhurat personale. Sot një pension privat në përfitim tatohet me 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër e individit. Sipas projektligjit që propozon AMF, përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit duhet të tatohen me normën në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale, vetëm për kthimin nga investimi, por jo për vlerën e kontributeve.
Projektligji i përgatitur nga AMF sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani (dhe që ngelen një alternativë edhe me projektligjin e ri), por ndryshimi është se në fondet e mbyllura, pjesëmarrja ligjërisht është e kufizuar, vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.