Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes të mbajtur të shtunën ka shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. E pas heqjes së masës së reciprocitetit në Kosovë kanë hyrë 10 kamionë me mallra të Serbisë.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
E nga heqja e kësaj mase tregtia mes Kosovës dhe Serbisë është rritur. Na fakt, sipas Doganës së Kosovës deri më tash nga shteti fqinjë kanë hyrë 10 maune me mallra.
“Nga heqja e reciprocitetit, për momentin janë rreth 10 maune që kanë hyrë me procedura doganore në Kosovë nga Serbia”.
Kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media ka thënë se i kanë hequr të gjitha pengesat me Serbinë, për të rifilluar procesin e dialogut.
“Dje kemi miratuar programin e qeverisë. Kemi miratuar programin e organizimit të qeverisë në përputhje me besimin e deputetëve të Kuvendit. Kemi hequr pengesat për procesin e dialogut, zotim ky që e kemi dhënë përpara partnerëve tanë. Tani presim që edhe pala serbe të heq pengesat që të filloj dialogu me Serbinë”, kishte thënë Hoti.
Qeveria ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars, të Qeverisë Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – që qeveria e udhëhequr nga ai kishte vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë në prill të këtij viti, ka thënë se me vendimin e fundit të qeverisë, për të shfuqizuar këto masa, Kosova ka marrë fajin për mungesën e deritanishme të dialogut.
Kurti ka deklaruar se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës i ka bërë “shërbim të mirë Serbisë”, duke shtuar se tani Kosova do të hyjë në dialog si fajtore për vonesën e rifillimit të këtij procesi.
Vendimin për heqjen e masave të reciprocitetit e ka mirëpritur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar këtë si vendim të mirë.
“(Presidenti i Kosovës, Hashim) Thaçi e bëri këtë sepse donte të thoshte ‘nuk më intereson BE-ja, më intereson vetëm SHBA-ja’. Ne nuk jemi në të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se (Kosova) është fëmija i tyre (SHBA-së). Nga ana tjetër, është një ide e mirë për të hequr të gjitha pengesat tregtare midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë thjesht dua të theksoj se ne nuk jemi në të njëjtin pozicion”, tha Vuçiq.
Reciprociteti ishte kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që kërkonin të hiqej kjo masë që të riniste dialogu.
Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.
Kujtojmë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për reciprocitet është marrë më 1 prill të këtij viti, duke e zëvendësuar këtë masë me taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, që pati vënë qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.
Nga ajo kohë është pezulluar edhe dialogu i këtyre dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel nga viti 2011./Fatos Shala për Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.