Tregti pa kufij deri në vitin 2023 në kuadër të projektit rajonal

11/09/2018 4:04 PM 0 komente

Këshilli i Koordinimit Rajonal (KKR), që funksionon si një strukturë koordinuese e Nismës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor (WB6), ka ndërmarrë një nismë për zerimin e tarifave doganore ndërmjet vendeve deri më 2023.

Vendet e WB6 janë të angazhuar për Zbatimin e Planit të Veprimit në fushën e tregtisë për të arritur objektivin e krijimit të një zone ekonomike rajonale në CEFTA me rregulla të njëjta si në BE. Masat synojnë uljen e kostos së tregtisë për të eliminuar pengesat dhe për të optimizuar koston e prodhimit. Kryeministrat e gjashtë vendeve kanë firmosur që deri në vitin 2023 në rajonin tonë mallrat, shërbimet, investimet dhe njerëzit të lëvizin lirisht pa tarifa njësoj si BE-ja sot, pa kuota apo pengesa dhe ku tregtia lehtësohet nga rregullat e OBT-së.

Kontrollet e përbashkëta kufitare me një ndalesë duhet të nisin nga puna gjatë 2018-2019. Heqja e barrierave për tregtinë e shërbimeve dhe njohja elektronike e certifikatave duhet të ndodhë deri në vitin 2023. Deri në vitin 2020, duhet të jetë zbatuar protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të CEFTA dhe vendet duhen të kenë kryer gjithashtu investimet në infrastrukturën e brendshme për tregtinë pa tarifa. Deri në vitin 2020, gjithashtu duhet të funksionojë një Task Forcë që të ndalojë subvencionet e fshehta të shteteve të veçanta ndaj sektorëve të caktuar.

Shqipëria aktualisht e ka të kufizuar tregtinë me vendet e rajonit. Sipas të dhënave nga CEFTA, shihet se tregtia e Shqipërisë me këto vende nuk pësoi ndryshime të dukshme që kur u nënshkrua marrëveshja në vitin 2013. Përkundrazi në vitin 2016, Shqipëria importoi më pak mallra nga vendet e CEFTA-s se viti paraardhës. Nga 8% që ishte pesha e importeve në këto vende më 2015, në 2016 zbriti në 6%.

Raporti për tregtinë i CEFTA-s tregon se, Shqipëria ka partnerin e saj më të fuqishëm tregtar për eksportin Italinë. Me këtë shtet, Shqipëria realizon 58% të eksporteve, ndërsa me vendet e CEFTA-s realizoi vetëm 14% të eksporteve, një peshë e njëjtë me atë të vitit 2015. Shihet se gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka rritur më tej (7%) përqendrimin e eksporteve me Italinë në raport me 2015-n.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of