Ekonomia shqiptare është e orientuar nga tregtia dhe shërbimet. Tregtia me shumicë dhe pakicë është kontributori i dytë më i madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, pas bujqësisë, me gati 11% të totalit. Shërbimet zënë 9% të PBB-së. Nëse i shtojmë dhe akomodimin dhe shërbimin ushqimor, me rreth 2.2% të PBB-së, këta sektorë që përbëjnë rreth 22% të PBB-së janë pothuajse tërësisht të paralizuar. Tregtia po mbijeton kryesisht përmes shitjeve online, por ato mbeten të kufizuara për shkak të kulturës së ulët të pagesave online dhe pamundësisë për të shërbyer në pjesën më të madhe të vendit, përveç zonave qendrore.
Karburantet, konsumi bie me 90%, nëse vazhdon do të ketë vështirësi në pagesat e kredive
Tregtia e karburanteve ka një peshë të konsiderueshme në ekonomi sa i përket qarkullimit të parasë. Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha që “Monitor” publikon çdo vit, të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve, qarkulluan 187 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro (rritje 18% me bazë vjetore), ose gati 17% të xhiros së 200 VIP-ave (në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot). 3 kompani janë ndër 10 më të mëdhenjtë (Kastrati sh.a.; Genklaudis; Europetrol Durrës, Albania). Karburantet janë dhe një ndër kontributorët kryesorë në pagesën e TVSH-së në buxhet, sidomos për mbledhjen e këtij zëri në dogana.
Burime nga kompania Kastrati, më e madhja në vend, thanë se që prej fillimit të kufizimit të qarkullimit, konsumi i karburantit ka rënë me 90%, teksa shumë automjete tashmë nuk lëvizin fare.
Konsumi total i naftës dhe benzinës në vend vlerësohet sipas operatorëve në rreth 1.1 milionë tonë, ose rreth 1.5 miliardë euro, duke përbërë rreth 15% të tregtisë me shumicë e pakicë gjithsej, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.
Operatorët pohojnë se ata mund të vazhdojnë në këtë situatë dhe për pak kohë, duke përdorur likuiditetet rezervë, por ata po rezultojnë më të prekurit nga koronavirusi në fazën e parë. Humbjet e tyre kanë ardhur dhe si rrjedhojë e zhvlerësimit të rezervave të sigurisë, të cilat janë blerë me një çmim prej 600 euro/ton dhe sot vlejnë rreth 300 euro.
Nëse situata vijon e tillë, kompanitë pohojnë se do të kenë likuiditete sa për të paguar pagat dhe shpenzimet korente. Por, në rast se nuk do të arrihet së paku 70% e xhiros që kishin përpara krizës, ata paralajmërojnë se do ta kenë të pamundur që të paguajnë këstet e kredisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.