Kapacitetet e pamjaftueshme të prodhuesve kosovarë kanë bërë që marrëveshjet tregtare të arritura mes Kosovës dhe disa shteteve tjera të jenë gati pa ndonjë efekt pozitiv për ekonominë e vendit. Kosova, deri më tani ka të nënshkruar Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje si e tillë shumë herë ishte shkelur nga vendet anëtare të saj.
Marrëveshje për tregti të lirë, Kosova ka të nënshkruar edhe me Turqinë, derisa nëse në këtë vit arrihet të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Kosova do të fitojë qasje të pakufizuar në tregun e BE-së, përveç në disa kategori që BE-ja do të tentojë t’i mbrojë. Në këtë rast prodhuesit kosovarë do të kenë qasje dhe do të mund të depërtojnë te tregu i BE-së, si të ishte një treg vendor. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë të Kosovës, Arian Zeka thotë se hyrja në fuqi e këtyre marrëveshjeve do të ketë ndikim më shumë negativ sesa pozitiv. “Do të ndalem të flas fillimisht për ndikimet pozitive. Kjo do jetë një mundësi më e madhe për prodhuesit kosovarë që të plasojnë produktet e tyre në tregjet e BE-së dhe Turqisë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi realist se duke e ditur që e kemi një sektor jo të zhvilluar të prodhimtarisë, ndikimet do të jenë më shumë negative se sa pozitive, për shkak se do të largohen pengesat për importimin pa ndonjë taksë doganore të cilat prodhohen në ato shtete”, bën të ditur Zeka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.