Flet CEO e Grupit Balfin, Edlira Muka
CEO e Grupit Balfin, Edlira Muka, duke dhënë një këndvështrim më të gjerë mbi të gjitha industritë, tha se rikuperimi i pasojave të pandemisë do të ndodhë gjatë dy viteve të ardhshme.
Ajo tha nuk mund të flasim për rikuperim të një periudhe të kaluar, por për ringritje në ritmet e konsumit dhe ekonomisë në nivelet e rritjes ku ishim. Duke u nisur nga vlerësimi që bëjmë sot, në këto kushte, për sektorin e tregtisë me pakicë, rikuperimi mund të zgjasë nga tetë muaj deri në fund të vitit 2021.
Sa kohë kërkon rimëkëmbja në sektorin e tregtisë me pakicë dhe në sektorët e tjerë që ju operoni, industrinë e rëndë dhe atë financiare?
Ekonomia në nivel global po përballet me një moment mjaft të vështirë dhe sfidues. Ndryshe nga shumë kriza të mëparshme, me të cilat është përballur ekonomia dhe shoqëria njerëzore, kjo e sotmja karakterizohet nga një paparashikueshmi e lartë.
Në një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më globale dhe me rrjetet e ekonomisë të lidhura fort përtej kufijve të shteteve, shumëçka varet nga sjellja e virusit dhe aftësitë e shkencës dhe teknologjisë për ta vënë nën kontroll. Kjo pandemi ka sjellë dhe trende të reja konsumi dhe sjellje konsumatore, si dhe mundësi të reja për të krijuar të ardhura.
Si një grup investimesh i pranishëm në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, ne po vërejmë që efektet e krizës mbi sektorin e tregtisë me pakicë janë thuajse të njëjta kudo. Ky sektor ka pësuar dëmtimet e veta dhe ecuria drejt rikuperimit do të varet shumë nga zhvillimi që do të ketë pandemia, jo vetëm në shkallë vendi, por dhe në nivel rajonal dhe global.
Nuk mund të flasim për rikuperim të një periudhe të kaluar, por për ringritje në ritmet e konsumit dhe ekonomisë në nivelet e rritjes ku ishim. Duke u nisur nga vlerësimi që bëjmë sot, në këto kushte, për sektorin e tregtisë me pakicë, rikuperimi mund të zgjasë nga tetë muaj deri në fund të vitit 2021.
Industria e rëndë, edhe para krizës së shkaktuar nga përhapja e COVID-19, nuk po kalonte momente të mira. Duke marrë në referencë kryesisht ecurinë e shoqërive që janë pjesë e Grupit, mund të them se kjo industri është përballur me sfida në këndvështrimin e rënies së kërkesës globale dhe zhvillimit të marrëdhënieve tregtare ndërmjet shteteve që dominojnë këtë industri.
Shumë fabrika në botë kanë ulur kapacitetet apo kanë mbyllur prodhimin gjatë pandemisë dhe tani janë duke rihapur operacionet gradualisht. Rikthimi i industrisë së rëndë në nivelet e mëparshme do të kërkojë më së paku një vit kohë. Kjo edhe në varësi të mbarimit të stoqeve aktuale të krijuara në nivel botëror dhe rifillimit me kapacitet të plotë të industrive fundore prodhuese, të cilat furnizohen nga këto industri.
Duke qenë një industri me ndikim të gjerë në punësim dhe ekonomi, industria e rëndë në shumë vende të botës po ndihmohet nga Qeveritë. Kjo do të ndikojë në konkurrueshmërinë e industrisë së rëndë të Shqipërisë dhe Kosovës në tregjet botërore dhe rritjen ekonomike në tregjet lokale.
Sektori financiar, pas krizës së vitit 2008, ka bërë hapa përpara në përgatitjen e strukturave për rastet e krizave. Në Shqipëri, ky sektor ka përballuar me sukses nevojat e klientëve për të rishikuar planet e tyre të pagesave. Ajo çfarë mbetet e rëndësishme për këtë sektor është rritja e investimeve si private dhe publike, të cilat kërkojnë kapitale të reja investuese apo qarkulluese, aspekt i cili rigjallëron kredidhënien dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Cilat janë fazat dhe skenarët e rikuperimit në grupin tuaj?
Grupi BALFIN ka në përbërjen e tij një portofol të diversifikuar investimesh dhe të shtrirë në disa vende. Për momentin, 50% e biznesit ushtrohet jashtë Shqipërisë në vendet si Austria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Ky konfigurim portofoli dhe kjo shtrirje gjeografike na jep një përparësi për të menaxhuar më mirë rreziqet e drejtpërdrejta ose të ndërlidhura, duke pasur edhe informacion direkt se si ndikohen nga kriza industritë në tregje të ndryshme.
Pavarësisht krizës së krijuar, ne do të vijojmë investimet në shumicën e sektorëve të cilët janë drejtpërdrejt të lidhur me projekte që krijojnë të ardhura ose ulin shpenzimet operacionale. Gjithashtu jemi të fokusuar në zgjerimin gjeografik të Grupit, duke parë për mundësi në tregje të reja.
Ne jemi duke monitoruar ecurinë e pandemisë dhe efektet që po krijon në sektorë të ndryshëm të ekonomive vendase dhe tregut global. Kemi ngritur një ekip që u është kushtuar analizave dhe vlerësimeve të situatës, duke raportuar periodikisht bashkë me një listë rekomandimesh për secilën shoqëri dhe për investime të reja. Në analizat që kemi bërë së brendshmi, rikthimi i gjithë Grupit në ritmet e biznesit që ishim mund të kërkojë tetë deri në 18 muaj. Për momentin, gjithçka varet nga përhapja e pandemisë dhe aktivizimi i qeverive për të mbështetur bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.