Tregtia mes vëllezërve

17/10/2020 10:06 PM 0 komente

Tregtimi i mallrave mes Kosovës dhe Shqipërisë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Nga janari e deri më tani, llogaritet se në Kosovë kanë hyrë nga Shqipëria mallra në vlerë 122 milionë euro. Kurse, Kosova ka dërguar në Shqipëri mallra në vlerë 76 milionë euro

 

 

 

Nga Fatos Shala

Kosova dhe Shqipëria prej shumë vitesh e konsiderojnë veten si dy shtete partnere në ekonomi. Qeveritë shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë janë mbledhur disa herë vitet e fundit, me qëllim lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme. Një takim i tillë ndodhi edhe në fillim të tetorit, ku u nënshkruan disa marrëveshje ekonomike.E ndërkohë që dy qeveritë vazhdojnë të bëjnë marrëveshje, qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë po bëjnë tregti me njëri-tjetrin.

Monitor.al ka siguruar të dhënat e Doganës së Kosovës, që tregojnë se cili shtet shiti e bleu më shumë nga fillimi i këtij viti e deri më tani. Nga këto të dhëna shihet se me Kosovën, Shqipëria ka më shumë eksporte sesa importe. Pra shqiptarët e Shqipërisë kanë shitur më shumë në Kosovë sesa kanë blerë prej saj.

“76 milionë e 361 mijë euro është vlera e produkteve që Kosova ka eksportuar në drejtim të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Doganës, pesha neto e të gjithë këtyre produkteve është 128 milionë e 431 mijë e 293 kilogramë”, thuhet në përgjigjet e Doganës për “Monitor”.

Kurse, Shqipëria në drejtim të Kosovës ka dërguar mallra në vlerë shumë më të lartë. “Nga muaji janar e deri më tash, Kosova ka importuar mallra nga shteti amë 122 milionë e 394 mijë euro. Pesha neto e këtyre mallrave, që kanë hyrë në Kosovë nga Shqipëria, është 671 milionë e 496 mijë e 526 kilogramë”, bëri të ditur Dogana.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se Kosova është i vetmi vend me të cilin Shqipëria ka një bilanc tregtar të ndjeshëm pozitiv. Eksportet nga Shqipëria drejt Kosovës ishin për 8 mujorin 2020 rreth 3 herë më të larta sesa importet. Kosova është partneri i dytë i Shqipërisë për eksportet, me 10% të totalit, pas Italisë.

 

 

Bien eksportet nga Shqipëria, rezistojnë importet e Kosovës

Në muajin gusht 2020, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 14.7 milionë euro, ose 43% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.7%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria më 18.9%, Maqedonia e Veriut më 9.4%, Serbia me 7.5% dhe Mali i Zi me 5.2%.

Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2020 arritën në 52.3 milionë euro, ose 19.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria dhe Serbia, me nga 6% dhe Maqedonia e Veriut me 5.8%.

Për 8-mujorin, importet e Kosovës në Shqipëri kanë qëndruar të pandryshuara në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke mos u ndikuar nga pandemia. Në të kundërt, eksportet e Shqipërisë në Kosovë, sipas INSTAT kanë me 25% me bazë vjetore për 8 mujorin, të ndikuara nga produktet e çelikut dhe nga nafta.

 

Çfarë shiti e çfarë bleu Kosova nga Shqipëria?

Sipas INSTAT, sipas kapitujve, produktet më të eksportuara në Kosovë janë giza dhe çeliku, çimento dhe tullat, zarzavate (kryesisht shalqi, domate, kastraveca etj), ujë etj. Kurum, prodhuesi shqiptar i çelikut është eksportuesi më i madh në Kosovë, ndërsa edhe fabrikat e çimentos kanë fituar treg në vite.

Nga Kosova importohen kryesisht lingotat e gizës dhe çelikut, tubat, ndërsa produkti i tretë më i importuar është birra (kryesisht Birra Peja, që vitet e fundit ka depërtuar në tregun shqiptar). Më tej vijojnë ujërat, mbështetëset dhe mbajtëset e dyshekëve. Ndërsa Shqipëria eksporton në Kosovë kryesisht domate, kastraveca, shalqi, ajo importon përgjithësisht patate. Ky i fundit është një produkt ku Kosova është konkurrues edhe në tregun shqiptar.

 

 

Barrierat tregtare mes dy shteteve

Me gjithë lidhjet e afërta historike, kulturore dhe numrin e madh të marrëveshjeve tregtare të nënshkruara nga Kosova dhe Shqipëria, kompanitë e Kosovës përballen me pengesa të ndryshme, qoftë teknike apo edhe tarifore gjatë eksportimit të produkteve në Shqipëri apo kalimit tranzit.

Javë më parë, ishin bërë publike edhe disa nga barrierat me të cilat po përballen bizneset. Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë lidhen me pengesat me dokumentacione fitosanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes.

“Biznes vëllazëror” , 8 barrierat tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë

Disa nga pengesat më të shpeshta që janë paraqitur:

Kërkesat për noterizim të analizës fitosanitare. Një nga problemet më shpesh të cekura nga bizneset është kërkesa nga institucionet shqiptare që çdo dërgesë të ketë kopje të noterizuar të analizës, ose certifikatë origjinale fitosanitare të veçantë për dërgesën.

Kosto për skanerin në doganë. Përderisa eksportet për në vendet e tjera duhet të futen në skanerin e sigurisë në doganë, vetëm në rastet kur sistemi paraqet rrezik të lartë të sigurisë, të tilla si kontrabandimi, trafikimi apo ndonjë çështje tjetër sigurie, të gjitha eksportet për në Shqipëri duhet të futen në skanerin e sigurisë.

Çmimet referencë. Probleme me çmimet referencë kanë pasur veçanërisht eksportet e çokollatës dhe patateve nga Kosova. Në rastin e eksporteve të çokollatës, Dogana e Shqipërisë kishte caktuar një çmim referencë prej 3.3 euro, në kundërshtim me faturat e paraqitura nga eksportuesi kosovar.

Kosto për tarifë rrugore. Që nga shtatori i vitit 2019, të gjithë automjetet duhet të paguajnë një tarifë për kalimin në autostradën Milot-Morinë. Pagesa për kamionët bëhet sipas dy kategorive varësisht nga kapacitetet e kamionëve, rreth 17 dhe 23 euro. Këtë pagesë e kanë konsideruar si shumë të shtrenjtë të gjithë eksportuesit nga
Kosova, veçanërisht duke e krahasuar atë me pagesën e rrugës në Maqedoni për në Portin e Selanikut.

Korrupsioni nga oficerët doganorë. Disa biznese kanë raportuar pengesa të ndryshme që bëhen nga oficerë doganorë nga Shqipëria, në rastet kur ata kanë diskrecion mbi procedura të caktuara doganore. Me qëllim marrjen e ryshfetit, oficerë doganorë i vonojnë procedurat për orë të tëra, ndërsa në raste tjera mallrat bllokohen me arsyetim të mos përshtatjes së dokumentacionit me dërgesën.

Mungesa e besimit në partnerë biznesi. Ndër barrierat të cilat nuk lidhen me funksionimin e institucioneve është edhe mungesa e besimit te partnerët e biznesit, për shpërndarje të produkteve në Shqipëri. Sipas prodhuesve në Kosovë, edhe dallimet kulturore kanë ndikuar negativisht në raportet e biznesit.

Akciza diskriminuese në sasi të alkoolit. Për dallim nga Kosova, Republika e Shqipërisë aplikon një akcizë të përshkallëzuar për pijet alkoolike në varësi të sasisë së prodhuar brenda vitit nga një prodhues vendas apo i huaj.
Akciza në ambalazh të plastikës. Një akcizë tjetër, e cila aplikohet në Shqipëri, është edhe akciza për ambalazh të plastikës prej 35 lekësh për kilogram. Kjo barrierë tarifore është raportuar nga eksportuesit e çokollatës dhe ujërave të ambalazhuara, për shkak se ndikon në rritjen e çmimit final të produktit.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore.

Projekti i autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdare që lidh Kosovën me Shqipërinë, i filluar në prill të vitit 2010 dhe ka përfunduar në vitin 2013. Autostrada, e cila është financuar nga buxheti i Kosovës, vlerësohet të ketë kushtuar rreth 1 miliard euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of