Intervistë me Julian Manen, zv.president i menaxhimit të tregtisë me pakicë dhe pasurive të paluajtshme, grupi Balfin
Si e parashikoni tregun e shitjeve me pakicë, qendrat tregtare, veshje, elektronikë, ushqimore etj., në 2016-n krahasuar me 2015-n. Cili pritet të jetë trendi në këta sektorë?
Tregun në përgjithësi e shoh me një rritje të vogël për vitin tjetër. Pra, një trend rritjeje normal që ndodh nga viti në vit. Në disa sektorë të veçantë si elektronika mund të ketë rritje pak më të madhe për shkak të sezonaliteteve. Kjo mund të ndodhë duke pasur parasysh faktin që Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Europian që mund të sjellë shitje më të mëdha televizorësh. Në sektorët e tjerë pritet një rritje e lehtë dhe nëse lufta ndaj informalitetit vazhdon me ritme të mira, do të kemi strukturim të tregut drejt rrjeteve të strukturuara dhe të organizuara. Kjo do të ishte pozitive për tregun në përgjithësi ndërsa edhe shteti mund të mbledhë më lehtë taksat. Ka përpjekje të shumë bizneseve të vogla për të konkurruar me mënyra inovative dhe kjo ka shtuar konkurrencën në treg, gjë që është pozitive për vetë tregun, pasi rrit konsumin duke ulur çmimet.
Qendrat tregtare dhe bizneset e strukturuara kanë rritje të klientelës dhe të të ardhurave, por për shkak të konkurrencës informale kanë fitime më të ulëta. Sigurisht, që volumi total i blerjeve mund të rritet nëse në treg do të ketë likuiditet si pasojë e financimeve të qeverisë apo atyre private të huaja. Kjo do të rriste tregun e brendshëm dhe rritja do të ishte e ndjeshme.
Cilat janë prirjet në tregun shqiptar? Ku po orientohen shqiptarët dhe a ka ndonjë gjë nga e cila po heqin dorë, apo e kanë reduktuar shumë nga shporta e tyre?
Vihet re një orientim i lehtë i konsumatorit drejt produkteve më cilësore, pavarësisht se çmimi mund të ketë një ndryshim të vogël. Ky është një trend normal që ndodh nga viti në vit dhe që është diçka pozitive për tregun në përgjithësi. Është e vërtetë që lufta ndaj informalitetit e filluar nga qeveria vitin e kaluar pati një ndikim të vogël në tkurrjen e tregut në muajt e parë, por në afatgjatë kjo është një reformë që duhet bërë. Duke filluar nga 2016-a, kjo do të ndikojë pozitivisht në treg. Për këtë arsye ka pasur një ulje të shpenzimeve të shqiptarëve për tre-katër muajt e fundit të 2015-s, gjë që pritet të ndryshojë gjatë 2016-s. Duke qenë se ekonomia jonë nuk është e bazuar mbi prodhimin, por kryesisht te remitancat dhe investimet shtetërore, rritja e konsumit do të varet shumë nga këta faktorë. Remitancat varen kryesisht nga ekonomitë rajonale që duhet të kenë një trend pozitiv të vogël për vitet në vazhdim, ndërsa për investimet nga buxheti i shtetit, rol do të luajë lufta ndaj informalitetit. Nëse rezulton e suksesshme do të ketë më shumë taksa të mbledhura dhe si rrjedhojë, edhe më tepër investime publike. Pra, më tepër sesa rritje në vetvete për vitin tjetër pritet një ristrukturim i tregut dhe kalim i të ardhurave nga “rruga” në njësitë e organizuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.