Vetëm 15 milion dollarë (rreth 13 milion euro me kursin e atij viti) vlerësohej tregu total i publicitetit në Shqipëri për vitin 2003. Një treg që konsiderohej i çorganizuar, me tarifa shumë të ulëta të publicitetit, – që vitin si rrjedhojë e piraterisë së lartë, kryesisht në televizionet shqiptare, – si dhe me agjenci marketingu jo shumë të zhvilluara. Do të ishte fundi i vitit 2003, kur Këshilli Kombëtar i Radiotelevizioneve do të merrte nismën sfiduese për të zbatuar ligjin kundër piraterisë televizive.
Që prej asaj kohe tregu ka ndryshuar dhe është zhvilluar shumë, sidomos ai i televizioneve. Investime të shumta në teknologji (deri në atë dixhitale e High Definition) dhe programacion i larmishëm e cilësor bënë diferencën në treg dhe çuan në rritjen e audiencës për televizionet kryesore (Top Channel, Klan, Vizion Plus) teksa tregu i publicitetit u rrit me shpejtësi. Për vitin 2008 ai konsiderohet rreth 6 herë më i lartë në krahasim me vitin 2003, kur shumat e reklamuara në televizion arritën në rreth 7 milion euro (54% e totalit të reklamave të asaj kohe), ndërsa në treg janë zhvilluar agjencitë publicitare, që po ofrojnë shërbime të standardeve të larta.
Sipas të dhënave nga McMonitoring, kompanisë që realizon monitorimin e 8 mediave kryesore televizive, tregu i reklamave në televizion arriti në rreth 58 milion euro në fund të vitit 2008 (shiko nënndarjen: Aktiviteti reklamues dhe promovues në TV për vitin 2008). Duke konsideruar faktin që llogaritja është bërë duke marrë për bazë numrin e spoteve të monitoruara me çmimet zyrtare të deklaruara nga televizionet, dhe duke e skontuar këtë vlerë me 30%, që janë mesatarisht zbritjet, që mund të jenë kryer nga televizionet, atëhere tregu real i publicitetit në televizoion rezulton të ketë qenë rreth 40 milion euro.
Për totalin e tregut nuk ka matje të sakta, por vlerësimet e agjencive publicitare e çojnë këtë treg në një nivel prej rreth 60 milion euro për vitin 2008, ku pjesën më të madhe e zënë televizioni dhe reklamat outdoor.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve nga televizionet kryesore (e justifikuar me shumllojshmërinë në programacion dhe kapjen e audiencës maksimale, duke tërhequr në këtë mënyrë dhe reklamuesit) ka bërë që pesha e televizionit në totalin e tregut të vijë në rritje.
Spotet maksimale gjatë vitit 2008 për një reklamë 30 sekonda arritën në nivelin maksimal prej 135 mijë lekë për emisionet ‘Big Brother 1´ dhe ‘Portokalli´ në televizionin Top Channel. Në televizionin Klan, tarifa më e shtrenjtë ishte për emisionin ‘Opinion´ të gazetarit Blendi Fevziu me 90,000 lekë për një spot 30 sekonda.
Vizion Plus i kishte tarifat më të shtrenjta në transmetimin e ndeshjeve të Champions League me 80,000 lekë për 30 sekonda, e ndjekur nga Zonë e Lirë me 73,500 lekë/30 sekonda.
Më të lira ishin spotet në televizionin publik shqiptar, që arrijnë maksimumin në emisionet politike me rreth 30,000 lekë për një spot 30 sekonda.
Të preferuara mbeten dhe reklamat outdoor, për të cilat vlerësohet nga agjencitë se mund të arrijnë në 15-20% të tregut, ndërsa pesha e radiove dhe gazetave është më e ulët. Këto të fundit, megjithëse kanë tentuar të rrisin çmimet, vazhdojnë të vuajnë nivelin e pakët të reklamave dhe tarifave relativisht të ulëta, që në pjesën më të madhe bëjnë që gazetat të mos rezultojnë fitimprurëse në treg.
|
Tarifat minimale dhe maksimale të disa televizioneve kryesore gjatë sezonit të vitit 2008 (lekë/spot 30 sekonda) |
|
|
|
|
|
minimale |
maksimale |
Top Channel |
3,000 |
135,000 |
Klan |
6,000 |
90,000 |
Vizion Plus |
5,700 |
80,000 |
TVSH |
2,000 |
30,000 |
Digitalb |
10 euro |
20 euro |
Neës 24 |
|
100 euro |
Ore neës |
96 euro |
120 euro |
|
|
|
Burimi: Ofertat zyrtare të televizioneve përkatëse |
|
çmimet e reklamave në gazetat kryesore për një faqe të plotë, viti 2008 (lekë) |
|
|
|
|
|
minimale |
maksimale |
Gazeta panorama |
40,000 |
75,000 |
Shekulli |
50,400 |
90,000 |
Gazeta Shqiptare |
45,000 |
85,000 |
Shqip |
50,000 |
90,000 |
|
|
|
Burimi: Ofertat zyrtare të gazetave përkatëse |
Bankat dhe kompanitë celulare kryesojnë
Shoqëritë celulare mbeten furnizueset kryesore të tregut të publicitetit në vend, ku AMC dhe Vodafone shpenzojnë mesatarisht 5-6 milion euro në vit për reklama në televizione, outdoor, radio gazeta etj. Vitin e kaluar, tregut iu shtua dhe celulari i tretë Eagle mobile, që kishte shpenzime më të ulëta se dy kompanitë e mëdha. Kompanitë celulare shpenzojnë rreth 55% të fondeve për publicitet në reklama televizive; 20-25% në outdoor; 10-15% në gazeta e revista; radio 4-6% dhe pjesa e mbetur shkon për kinema, web etj, sipas të dhënave nga agjencitë publicitare.
Mjaft i pranishëm me spote është edhe platforma dixhitale, Digitalb.
Edhe bankat ishin mjaft agresive në daljet e tyre në media përgjatë 2008-ës, duke reflektuar konkurrencën e rritur në treg dhe garën për të tërhequr sa më shumë depozitues e kreditues.
Banka më e madhe në vend, Raiffeisen, sipas bilancit të vitit 2008, kishte një buxhet marketingu prej 2.5 milion euro; BKT rreth 1.9 milion euro, me një rritje të ndjeshme prej rreth 6% në krahasim me vitin 2007, po sipas të dhënave të bilancit; NBG kishte një buxhet që arrinte rreth 1 milion euro, sipas të dhënave nga agjencitë e marketingut. Në total llogaritet (sipas të dhënave nga bilancet) që bankat të kenë kryer mbi 10 milion euro shpenzime marketingu gjatë vitit 2008.
Peshë të rëndësishme vazhdojnë të zënë dhe reklamat për produktet ushqimore, pijet dhe ëmbëlsirat.
Reklamat qeveritare kishin një peshë jo të vogël të tregut të publicitetit në vitin 2008, kryesisht në spote televizive dhe outdoor. Vetëm fushata promovuese për hyrjen e Shqipërisë në NATO vlerësohet të ketë kushtuar rreth 1.7 milion euro.
Pse tregu mbetet më i ulëti në rajon
Pavarësisht zhvillimeve, tregu i publicitetit në Shqipëri vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon, në nivele të krahasueshme me Serbinë dhe Malin e Zi, teksa rekordin e mban Kroacia.
Ekspertët shpjegojnë se arsyeja kryesore e kësaj situate lidhet me faktin që tregu i publicitetit në Shqipëri vazhdon të mbetet informal, në kuptimin që askush nuk i bazon parashikimet për shpenzimet për publicitetin mbi bazë të përllogaritjeve ekonometrike të audiencës, por buxhetohen në bazë të shpenzimeve të viteve të kaluar. Pa bërë një llogaritje në bazë të ekonometrisë së audiencës (sa publik do të kapet me shpenzimet e parashikuara) nuk do të ketë një vlerësim të saktë të këtij tregu. Ekspertët sjellin shembullin e Maqedonisë, që në momentin që buxhetet filluan të bazoheshin në bazë të matjeve të audiencës, tregu shënoi një rritje të menjëhershme prej 40%.
Në Shqipëri mungojnë matjet e shpejta të audiencës, megjithëse ekzistojnë disa kompani që kryejnë matje audiencë nëpërmjet telefonit apo ditarit.
Një tjetër arsye e tregut më të ulët lidhet me tarifat, që janë relativisht më të ulëta në krahasim me rajonin, sidomos ato të shtypit të shkruar. Në Shqipëri një reklamë në një faqe të plotë gazete kushton maksimumi 700 euro, ndërsa në Kroaci e Bullgari arrin edhe mbi 3000 euro.
Reklamat on line, tregu po fillon të shfrytëzohet
Reklamimi përmes internetit, pavarësisht rritjes së interesit të konstatuar vitin e kaluar, mbetet mjaft i ulët në tregun shqiptar, duke zënë një peshë nën 1% të tregut total të reklamimit (tregu vlerësohet në 500-600 mijë euro në vit), më pak dhe se vendet e rajonit. Vilma Mesareja, drejtoreshë e marketingut të Balkanweb, një prej faqeve më të klikuara të internetit në vend, pohon se të ardhurat mujore të kësaj faqeje nga reklamimet në internet arrijnë në rreth 20 mijë euro, duke e bërë këtë portal më të madhin përsa i përket të ardhurave. “Kemi një numër klikimesh në ditë që arrin në 70-80 mijë”, thotë Mesareja.
Reklamimi nëpërmjet internetit po shihet me interes nga kompanitë celulare, sidomos për shërbimet që i adresohen të rinjve, po përdoret disa nga bankat, teksa po shfrytëzohet maksimalisht nga agjencitë turistike, si duke reklamuar në portalet kryesore ashtu dhe nëpërmjet marketingut direkt me email.
Por në përgjithësi, interneti nuk merret shumë në konsideratë nga kompanitë shqiptare përsa i përket reklamimit, ndonëse depërtimi i internetit ka shënuar rritje vitet e fundit për të arritur në 18%, sipas të dhënave të ITU-së, në rritje në krahasim me 14% në vitin e mëparshëm teksa përqindja e shtëpive me internet rezulton më e ulët, 8.7%. Gjithsesi, depërtimi i internetit mbetet më i ulëti në rajon, ku Maqedonia dhe Bosnja kanë një penetrim prej rreth 26-27%, Kroacia 40%, Bullgaria 30%.
Sipas një kërkimi në Alexa.com, Google, motori më i fuqishëm në botë i kërkimit, rezulton dhe faqja më e klikuar në Shqipëri, por të pakta janë kompanitë shqiptare, që e shfrytëzojnë reklamimin e lidhjeve të faqeve të tyre përmes Google2. Më të përparuara janë partitë politike, ku Partia Demokratike (me sloganin anëtarësohu) të shfaqet anash teksa navigon në faqe të tjera në internet.
Faqja ndërsociale e internetit, Facebook, ka pasur një rritje të menjëhershme të përdorimit në Shqipëri gjatë muajve të fundit, duke u renditur e dyta pas Google. Edhe ky site po shfrytëzohet në mënyrë sporadike nga disa biznese dhe përsëri është më i përdorur nga Partitë politike.
Nga faqet shqiptare, më e klikuara është site i Top Channel, që renditet i shtati, i ndjekur nga Balkan Web.
Interesi i pakët për të reklamuar në web ka bërë që dhe tarifat e reklamimit të jenë të ulëta, duke filluar nga 100-150 euro në muaj në faqet e formeve të lira apo site-ve me njoftime e shit-blerje, për të arritur deri në 4000 euro në muaj në faqet më të klikuara, të cilat kohët e fundit kanë bërë dhe një shtrenjtim të tyre deri me 40%.
|
Tarifat e reklamimit në disa nga faqet kryesore on line (për baner, dhe tarifa maksimale për hapje në faqen kryesore për disa gazeta) |
||
|
Min |
Maksimale |
|
Ballkan web (euro/muaj) |
750 |
4000 |
|
Shekulli on line (euro/muaj) |
299 |
999 |
|
Panorama on line (lekë/muaj) |
30,000 |
250,000 |
|
Gazeta shqip (euro/muaj për 1 modul) |
150 |
|
|
Portali on line Top Channel (euro/muaj) |
600 |
900 |
|
Burimi: Tarifat zyrtare të faqeve përkatëse |
Tabela
20 faqet e internetit më të klikuara në Shqipëri
1. google.com
2. Facebook.com
3. You tube.com
4. Yahoo.com
5. Windows live / live.com
6. Microsoft network (MSN) / msn.com
7. Top-Channel / top-channel.tv
8. Wikipedia / wikipedia.org
9. Balkan web.com
10. blogger.com
11. microsoft.com
12.Tagged.com
13. hi5.com
14. Webmaster.al
15. Conduit.com
16. Njoftime.com
17. Numernje.com
18. rapidshare.com
19. gazeta-shqip.com
20. zynga.com
Të tjera shqiptare…
22. peshkupauje.com
26. shekulli.com.al
28. panorama.com.al
30. zerikosovar.com
32. lajmerime.com
33. topnjoftime.com
34. zeriyt.com
38. shqiperia.com
40. icubinfo.com
Burimi: alexa.com
Kosova-Shqipëria, lidhja mes publicitetit
Synimet për krijimin e një tregu të përbashkët Shqipëri-Kosovë, ndonëse të vakëta, si dhe krijimi i një lidhjeje më të fortë kulturore (mes muzikës e programeve të tjera që gjejnë audiencë nga pala kosovare) po tërheqin vëmendjen e reklamuesve.
Denis Abazi, analist financiar në Top Channel pohon se kanë pasur reklama nga Kosova, sidomos në periudhën e transmetimit të shfaqjes nga realiteti ‘Big Brother´, jo vetëm me spote, por edhe me produkte që reklamoheshin gjatë kohës së transmetimit. Ai pohon se ka interes për reklamimin e produkteve kosovare në tregun shqiptar dhe interesi po rritet nga viti në vit, por përsëri numri i tyre mbetet i vogël. çmimi nuk vlerësohet si një element pengues, sipas tij, sepse tarifat ndonjëherë janë më të shtrenjta në Kosovë.
Ndërsa Klan dhe Alsat (ky i fundit një televizion rajonal) kanë arritur që të thithin më shumë reklama kosovare.
Gjithsesi, mungesa e integrimit mes zhvillimeve sociale të dy vendeve, duket se mban larg audiencën kosovare në pjesën më të madhe të kohës së transmetimit televiziv.
Ajo që agjencitë shqiptare të marketingut vlerësojnë tek pala kosovare është aftësia krijuese e tyre. “Ana krijuese nga kosovarët është më e mirë se sa nga ana e shqiptarëve”, thotë Edlira Mali, drejtore ekzekutive e agjencisë së marketingut “Ogilvy”, ku dy drejtuesit e ekipit të kreativitetit të kësaj agjencie janë kosvarë. Ky ekip krijues ka realizuar fushatat e AMC-së, design e Tetra Pack, fushatën e Concod, teksa ka marrë dhe çmime të shumta ndërkombëtare për statujën tipgrafike NEWBORN, simbolin e pavarësisë së Kosovës. Kurse përsa i përket menaxhimit, thotë Mali, është e kundërta. Këtu shqiptarët dallohen më shumë.
Rajoni ndien rënien e të ardhurave nga reklamat, Shqipëria jo
Tregu i publicitetit do të vijojë rritjen edhe gjatë vitit 2009, sipas pritshmërive të aktorëve të tregut, pavarësisht efekteve që kriza globale mund të japë në shkurtimin e buxheteve të disa kompanive. Drejtori i agjencisë publicitare R&T Advertising, Thanas Goga pohon se projeksioni i përafruar për rritjen e tregut të publicitetit për këtë vit pritet të jetë 15-20%. Fushata zgjedhore me një sërë spotesh elektorale (megjithëse është e vështirë të matet realisht efekti, dmth sa skonto marrin partitë, apo dhe nëse ato mund të reklamojnë falas kundrejt favoreve të tjera) është një element që po i jep shtysë tregut. Sipas Gogës, 6 mujori i dytë pritet gjithashtu të jetë pozitiv, sidomos në drejtim të reklamimit të tregut të pakicës, pas hapjes së qendrës tregtare City Park (që pritet diku nga shtator tetori) dhe hyrjes në tregun shqiptar të Mercator, kompanisë së specializuar në tregtinë me pakicë, që do të hapë të parin hipermarket të mirëfilltë në Shqipëri, në ambientet e City Park.
Nga ana tjetër, kompanitë më të mëdha celulare pritet të fillojnë të shkurtojnë buxhetet e tyre të marketingut, si një reagim ndaj rënies së të ardhurave të konstatuara në muajt e parë të vitit (Sipas deklarimeve të AMC-së, fitimi operativ bruto -para amortizimit dhe zhvlerësimit- i AMC-së për tremujorin e parë të vitit 2009 ra me 13.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, në 25.1 milion euro). Megjithatë, hyrja agresive në treg e operatorit të Eagle mobile, që ka buxhete disi më të ulëta se AMC e Vodafone, si dhe pritshmëritë e hyrjes së operatorit të katër brenda gjashtë muajve do të bëjnë që në total, shpenzimet e publicitetit të kompanive celulare të mos bien.
Bankat, janë një tjetër sektor, që të prekura nga kriza globale financiare, duket se kanë tkurrur buxhetet e tyre të reklamimit, por dhe këtu agresiviteti i pritur në marketing i disa grupeve bankare të huaja si Emporiki, Banka Popullore, Intesa Sanpopo pritet t´i japë një hov tregut.
Kriza globale nuk i ka stepur mediat shqiptare, si ato vizive dhe të shtypura, që të bëjnë një rritje tjetër të tarifave zyrtare të reklamimit prej 10-20% në muajt e parë të vitit 2009.
Bullgaria, rënie 20-30% në 2009-ën
Pas një rritjeje prej 9% të tregut të reklamimit në Bullgari (kur rritja një vit më parë kishte qenë 25%) pritshmëria për këtë vit është për një rënie të thellë midis 20 dhe 25% madje dhe deri në 30%, bënë të ditur të dhënat nga shoqatat e industrisë. Duke folur në një forum vjetor të Shoqatës Bullgare të Agjencive Reklamuese, kreu i saj, Krassimir Gergov fajësoi rënien ekonomike globale që kishte filluar të ndihej në Bullgari që prej gushtit 2008.
Kompanitë shpenzuan 518.8 milion leva (270 milion euro) sipas vlerësimeve të unionit të industrive. Reklamat on line gjeneruan rreth 21 milion leva në total, një rritje me 62%, por në ngadalësim nga rritja rekord prej 89%, që ishte arritur në vitin e mëparshëm.
Gergov tha se agjencitë e vogla po përballen me një rrugë të vështirë përpara, por argumentoi se kriza do të nxjerrë në pah kompanitë më të mira që mund të balancojnë cilësinë kundrejt çmimit.
Ai i këshillon agjencitë të punojnë më fort dhe të reduktojnë forcën e punës. Mediat, nga ana e tyre, duhet të përballen me këtë rënie nëpërmjet paketave eskluzive reklamuese gjatë fushatës elektorale, që mund të kompensojnë rënien e buxheteve reklamuese të disa firmave.
çmimet në reklamat televizive kanë rënë me 25-28%, ndërsa në median e printuar, çmimet janë rritur me 10% që nga fillimi i vitit.
“Reklamuesit kanë nevojë për ide të mëdha,” tha Bernhard Mayer, drejtor i mediave i gjigantit farmaceutikal, Beiersdorf. Ai parashikon që konsumatorët do të jenë më pak besnikë ndaj markave ndaj mesazhet duhet të jenë të thjeshta, praktike dhe të japin një sens sigurie. Ai këshilloi më shumë shpenzime online dhe komunikim direkt me konsumatorët.
Stéphane Pere, manaxher i reklamave online në grupin e biznesit të “The Economist” për Europën kontinentale, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, i kujtoi reklamuesit se reklamimi online kishte më shumë efekt dhe domethënie sesa banerat.
Kroaci, rënie 25%
Të ardhurat nga reklamimi në tregun kroat ranë me 25% për shkak të krizës financiare gjatë katër muajve të parë të 2009-ës.
Të ardhurat u ulën me rreth 50 milion Euro, sipas ekspertit të marketingut Kamil Antolovic, ish kreu i Shoqatës së Agjencive të Komunikimit (HURA).
Antolovic, kreu i agjencisë së marketingut, K&K, tha: “HURA ka 32 agjenci, pjesa më e madhe e të cilave ka të ngjarë të mos mbijetojnë deri në fund të vitit.”
Antulovic beson se tregu kroat ka shumë agjenci të marrëdhënieve me publikin (PR). Ai shtoi: “kompanitë e mëdha do të duhet të ulin kostot dhe të shkurtojnë disa punonjës, dhe ndoshta disa nga kompanitë e vogal do të mbyllen.”
1 Advertising industry in Albania. Prepared by Thanas Goga/ http://www.almemo.org.al/doc/20060623043215AdvertisingindustriinAlbania.pdf
2 Reklamat përmes Google shfaqen në web në faqe që përdorin programin AdSense të Google për të treguar reklama.
Nga Ornela Liperi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.