Duke filluar nga 1 janari i këtij viti, tregu i telefonisë celulare është rikthyer në pozitat e një duopoli, pas bashkimit ligjor mes operatorëve ONE Telecommunications dhe Albtelecom.
Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se tashmë One Albania është operatori më i madh në treg për nga numri i përdoruesve aktivë, por Vodafone Albania që deri në fund të 2022 ishte operatori më i madh sipas këtij treguesi e ka rritur pjesën e vet të tregut.
Në fund të vitit të kaluar, Vodafone Albania raportonte 1.31 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare, në rritje me 10.1% krahasuar me një vit më parë. Rritja dyshifrore e numrit të raportuar të përdoruesve aktivë e ka zgjeruar pjesën e tregut të Vodafone në 47.1%, nga 45.2% që mbante në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dy operatorët e tjerë, ONE dhe Albtelecom, para bashkimit të tyre në fund të dhjetorit kishin së bashku rreth 1.47 milionë abonentë ose 52.9% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë, nga 54.8% që zotëronin një vit më parë.
Rënia ka ardhur kryesisht si rezultat i tkurrjes së numrit të abonentëve të Albtelecom në shërbimin celular, me 11.7% më pak krahasuar me fundin e vitit 2021. Ndërkohë, One Telecommunications ka vijuar zgjerimin e bazës së abonentëve aktivë edhe për vitin 2022, me 7.1% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare në vend u rrit me 5.6% vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga AKEP, ky numër arriti në 2.78 milionë në fund të vitit 2022. Në numri total të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare përfshihen të gjithë përdoruesit me kontratë dhe ata përdorues me parapagim që kanë kryer komunikim nga numri i tyre celular në tre muajt e fundit.
Treguesit financiarë të tregut të komunikimeve elektronike për vitin e kaluar nuk janë ende të disponueshme, megjithatë, deri në fund të vitit 2021, Vodafone Albania kishte të ardhura nga komunikimet elektronike më të mëdha se One dhe Albtelecom Mobile të marra së bashku.
Sipas shifrave të publikuara nga AKEP, Vodafone zotëronte 51.8% të tregut celulare, sipas totalit të të ardhurave nga komunikimet elektronike, për një shumë totale prej 12.7 miliardë lekësh. One dhe Albtelecom raportuan të ardhura nga komunimet e lëvizshme elektronike në vlerën e 11.8 miliardë lekëve ose 48.2% të tregut.
Tregu i telefonisë celulare ndodhet përpara kapërcimit të radhës në teknologji, në gjeneratën 5G. Pritet që AKEP të shpallë gjatë këtij viti tenderin e parë të frekuencave që do të përdoren për këtë teknologji.
Ky proces parashikohet sfidues, për shkak të nevojës së madhe për investime të reja, ndërkohë që në vitet e fundit fitimet e tregut janë tkurrur ndjeshëm, për shkak të konkurrencës së ashpër dhe nevojës konstante për investime në kapacitetet teknike të rrjeteve. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.