Kur Italia fqinjë ka dështuar në dy dekada rresht të liberalizojë tregun e energjisë nga monopolet e ENEL dhe TERNA, Shqipëria, me të njëjtin model, synon të liberalizojë tregun totalisht edhe për konsumatorët fundorë në vitin 2020. Zbardhet projektmodeli i ri për tregun e energjisë. Shqipëria adopton shembullin norvegjez që ka në themel zhvillimin e Bursës. Skepticizëm nga bizneset. Rreziku ndaj çmimeve më të larta real dhe HEC-et e vogla të pambrojtura: Shembulli italian t’i shërbejë Shqipërisë
Nga Blerina Hoxha
Imagjinoni Shqipërinë dy vite më pas, me një treg ku pjesa më e madhe e shitjes dhe blerjes së energjisë të realizohet në Bursë, ku zonat e lira të tregtimit të saj të ngrihen në të gjitha pikat kufitare, ku çdokush mund të zgjedhë furnizuesin e vet dhe jo domosdoshmërisht Operaatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ku KESH mund të shesë energjinë e HEC-eve lirisht me çmime të larta pa qenë e detyruar të furnizojë OSHE dhe ku çdokush mund të negociojë çmimin lirisht.
Të gjitha këto zhvillime paksa utopike për momentin, ku tregu është tërësisht i centralizuar dhe mbi 90% në pronësi të shtetit, synohen të bëhen realitet qysh vitin që vjen. Si model është marrë Norvegjia, e cila po shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë, tani kur edhe Europa e zhvilluar duket se nuk është hapur totalisht drejt liberalizimit të tregut.
Në kontrast,në Italinë fqinjë, përpjekjet e dy dekadave për liberalizimin e tregut kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Kompanitë shtetërore të prodhimit, transmetimit dhe të shpërndarjes, ENEL dhe TERNA, vijojnë të ruajnë pozitat monopol dhe, nga ana tjetër, çmimet janë nga më të lartat në Europë.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për energjinë, fillimi i vitit 2018 duhet t’i gjejë të gjitha bizneset në tregun privat të energjisë, ndërsa që nga qershori i 2016-s, klientët e tensionit të mesëm të furnizohen nga privatët dhe jo OSHEE. Bizneset i shohin me skepticizëm këto zhvillime pasi afati i daljes në treg është te dera, ndërsa modeli ende nuk është gati. Ndërsa ekspozimi ndaj tregut rrezikon të sjellë çmime të larta në kushtet kur lidhjet me rajonin janë të kufizuara dhe tregu nuk është i zhvilluar.
Edhe projektmodeli i tregut të energjisë, që është për diskutim në grupet e interesit, bazohet në një model të avancuar të mekanizmit financiar për të cilin tregu shqiptar nuk i ka njohuritë e nevojshme dhe madje është skeptik. Por Entela Cipa, këshilltare për Energjinë në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës, pohon faktin se modeli që është zgjedhur për të zhvilluar tregun e energjisë në Shqipëri është një nga më të avancuarit në Europë dhe se adoptimi i tij nuk është i pamundur. Cipa kujton se në treg tashmë operojnë kompani me zë nga Europa të tilla si, austriakët e Ashtës dhe së shpejti norvegjezët e Statkraft të Devollit dhe, nga ana tjetër, ka operatorë në pjesën e tregtimit që kanë mundësi dhe kapacitetet teknike për të zhvilluar tregun e energjisë nëpërmjet Bursës.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se, modeli i ri i tregut është jetik për bizneset prodhuese që kanë si lëndë të parë energjinë. Jaka tha se, Dhoma ende nuk është njohur me draftin, por theksoi se, është shumë e rëndësishme që modeli, i cili do të aplikohet, të mos ndikojë në rritjen e kostove për biznesin.
Ekspertja Cipa thotë se, OSHEE, me asistencën e Bankës Botërore, po krijon një sistem të ri të dhënash re për të evidentuar dhe një herë klientët në tensionin e mesëm, të ulët dhe të lartë. Ajo pohon se edhe me linjat ekzistuese të transmetimit- dhe pa u krijuar ende bursa e energjisë siç pretendon modeli -, klientët me konsum në tensionin e mesëm do të mund të dalin në treg në mënyrë të pavarur në qershorin e vitit që vjen. Pasi, sipas saj, Shqipëria ka furnizues të mjaftueshëm për të përballuar kërkesën e 50 klientëve të parë që janë të lidhur në tensionin e mesëm dhe që do të furnizohen nga tregu i lirë qysh vitin që vjen.
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, tha se, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën. Ai tha se, po bëhen edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhura me njëri-tjetrin dhe më likuid. Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet, është shprehur Gjiknuri, i cili është totalisht në të njëjtën linjë me modelin e tregut që kanë sugjeruar norvegjezët.
Çfarë synon modeli i ri i tregut
Ministria e Energjetikës ka shpërndarë në grupet e interesit draftmodelin e tregut të energjisë. Projekti për zhvillimin e tregut të energjisë synon përmirësimin e menaxhimit të rezervës hidrike dhe të sistemit të transmetimit; Një përdorim më optimal të kapaciteteve transmetuese ndërkufitare; Më shumë operatorë në treg për ofrimin efikas të shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit në Shqipëri, duke bërë të mundur shitjen e këtyre shërbimeve ndërkufitare. Parashikohet sigurimi i qasjes në treg të huaj për konsumatorët (falas) në mënyrë që ky segment klienti të mund të furnizohet në mënyrë të pavarur nga OSHE.
Prodhimi i energjisë në Shqipëri dominohet nga kompania shtetërore KESH, e cila disponon hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin, me një kapacitet total të instaluar prej 1350 MW. Përveç kësaj, ka një numër të HEC-eve të vogla me një kapacitet total prej rreth 80 MW dhe disa HEC-e të tjera në ndërtim, të tilla si Banja (70 MW) dhe Moglica (186 MW), që pritet të përfshihen në prodhim gjatë periudhës 2016 dhe 2018.
Shqipëria është e dominuar nga hidrocentralet, të cilat janë krejtësisht të varura nga fluksi i reshjeve dhe në këtë mënyrë ka fleksibilitet të lartë për të ruajtur rezervat e energjisë, por për këtë është e varur nga fqinjët e saj.
Bursa e energjisë, një mundësi
Integrimi financiar i tregut shqiptar të energjisë, nëpërmjet një burse të posaçme, po shihet si modeli më i pranueshëm për të ardhmen, pavarësisht se realiteti shqiptar është shumë larg këtyre zhvillimeve.
Tregu Day-Ahead (DAM) ose Dita më Përpara sipas projektit, që ka vënë në diskutim qeveria shqiptare, do të lejojë një integrim të shpejtë me vendet fqinje nëpërmjet një bashkimi më të fortë me tregun rajonal. Modeli i ri i tregut të energjisë që është në diskutim sugjeron se në këtë formë do të rriten likuiditetet dhe efikasiteti në aksesin e çmimeve në tregun kombëtar në Shqipëri. Modeli i propozuar nga norvegjezët e vendos Shqipërinë në frontin e zhvillimit nga një pasivitet që e karakterizon aktualisht në raport me vendet fqinjë.
Plani për themelimin e Bursës së Energjisë nuk kërkon shumë kohë sipas propozimeve në draft. Nga fillimi i dizajnit në tremujorin tretë 2015 deri në marrëveshjet e kërkuara ligjore do të mundësojnë nisjen nga puna të Bursës në tremujorin e fundit 2016.
Pronësia dhe qeverisja e tregut do të bazohet në konceptin e “kontrollit lokal – bashkëpunimin rajonal”, duke lejuar kontrollin e tregut lokal dhe duke përfshirë qasjen në të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Ndërsa parimisht është pranuar që në themel të modelit të ri të jetë bursa e energjisë, Shqipëria, ende pa një bursë klasike, me tregje financiare të fokusuara vetëm të bankat, do ta ketë shumë të vështirë të adoptojë modelin norvegjez. Këtë risk e marrin në konsideratë edhe ekspertët në Ministrinë e Energjetikës, por sipas tyre, nëse ky model zbatohet në praktikë, maksimizimi i fitimeve nga burimet aktuale të energjisë do të jenë më të mëdha se në ndërtimin e veprave të reja të prodhimit.
Pse një bursë e energjisë elektrike
Dikush mund të pyesë pse një sistem relativisht i vogël i energjisë si Shqipëria (7.8 TWh/vit) duhet të marrë në konsideratë zhvillimin e një burse. Por nëse ke një treg të vogël dhe e ndërlidh atë me efikasitet në rrjetin ndërkombëtar, sakaq e ke shumëfishuar.
Mes Shqipërisë dhe Kosovës, transmetimi efektiv aktualisht është rreth 220 MW. Ky kapacitet do të rritet në 650 MW, kur linja e re 400 kV të jetë përfunduar në fund të vitit 2016. Në të njëjtën linjë pritet të rriten kapacitetet ekzistuese të transmetimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi prej 400 MW në 450 MW, dhe mes Shqipërisë dhe Greqisë nga 244 MW deri 350 MW.
Ndërsa në vitin 2017, një kabllo nënujore transmetimi 1000 MW nën det në mes Malit të Zi dhe Italisë do të krijojë një lidhje të fortë mes Ballkanit dhe tregut italian. Në vitin 2020 një linjë 400 kv pritet të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë. Prandaj, kapaciteti i transmisionit midis Shqipërisë dhe vendeve të tyre fqinje do të jetë shumë i fortë në periudhën afatmesme duke lënë të kuptohet se, përfitimet nga tregu rajonal mund jetë të shpejta.
Për më tepër, kapaciteti i transmetimit midis tregut shqiptar dhe në vendet fqinje (Kosova, Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe IRJM), do të jetë e bollshme dhe në rritje me kalimin e kohës.
Edhe tani, sistemi shqiptar i energjisë është i ndërlidhur me vendet fqinjë dhe kjo sjell një varësi të lartë nga tregtia me fqinjët e mjaftueshme për themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë APE (Albania Power Exchange).
Menaxhimi më efikas i çmimeve
Në shkrimet e mëparshme të “Monitor” është raportuar se KESH ka shitur energjinë e prodhuar nga HEC 50% më lirë se bursat rajonale dhe për të njëjtin muaj OSHE e ka blerë 47% më shtrenjtë energjinë që i duhej për mbulimin e humbjeve në mars të këtij viti. Prandaj modeli i ri i tregut të energjisë thekson se, ka shumë hapësira për menaxhimin e çmimeve, të cilat mund të shërbejnë edhe si një çelës për ekonomizimin e rezervave në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës. Menaxhimi i rezervuarve është shumë i vështirë pa qasje në një treg afatshkurtër me mundësi të larta zgjedhjeje, thuhet në draftmodelin e ri të tregut.
Pa një treg afatshkurtër (Bursa) nuk mund të sigurohet shfrytëzimi efikas i sistemit hidroenergjetik shqiptar, d.m.th vlera e këtyre aseteve nuk mund të maksimalizohet, dhe rezultati ka gjasa të thellojë varësinë nga importi tepër shtrenjtë në Shqipëri.
Kontratat kalimtare
Në draftin për modelin e ri të tregut të energjisë, Ministria e Energjetikës ka konkluduar se, zgjidhja më e mirë fillestare për një treg të energjisë elektrike është konsideruar të jetë një treg Day-Ahead për Shqipërinë që synon kombinim të shkëmbimit më efikas të energjisë me vendet fqinje.
Një treg Day-Ahead është konsideruar si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare për arritjen e efikasitetit ekonomik në sektorin e energjisë, përmes termave tregtarë afatshkurtër. Ajo është gjithashtu në përputhje me marrëveshjet aktuale të nënshkruara me Komunitetin e Energjisë dhe modelit të synuar të BE-së dhe është duke u zbatuar në vende të tjera.
Ky treg i përshtatet Shqipërisë për shkak se posedon mundësi të rezervojë energjinë nga digat. Fjala bie që rezerva hidrike mund të shitet shumë shtrenjtë nëse papritur një termocentral në vendet fqinjë ka defekt të papritur.
Energjia nga uji lejon kontrata dypalëshe afatgjata ndërkufitare dhe në këtë mënyrë, bën të parashikueshme të ardhurat afatgjata.
Modeli Day-Ahead që do të aplikohet nga Bursa u mundëson konsumatorëve të kualifikuar të blejnë energjinë elektrike të tyre në përputhje me qëllimin fillestar të liberalizimit, ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet furnizuesit.
Albania Power Exchange do të tregtojë me një model tregu që është i kolateralizuar për të minimizuar rreziqet për tregun. Bursa gjithashtu ofron një organizim fleksibël për të lejuar përfshirjen e më shumë fushave të tregut si një treg i vetëm.
Si do të funksionojë
Shqipëria është pjesë e një prej katër fushave të kontrollit në rajonin e Europës Juglindore. Tregtia e tanishme me Europën Juglindore është e bazuar në kontratat bilaterale dhe ankande të organizuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit. Dizajni i propozuar i tregut nuk do të sjellë asnjë ndryshim në detyrimet e OST-të dhe llogarive të saj, por Day-Ahead-Market (DAM) duhet të zëvendësojë shumicën e kontratave të brendshme dypalëshe në Shqipëri dhe një pjesë e rëndësishme e tregtisë ndërkufitare do të bëhet nga zonat që do të ngrihen enkas për këtë qëllim (ZKA).
Pushteti i çmimeve do të rrjedhë nga një zonë me çmim të ulët në një zonë të lartë. Për më tepër, OST-ja shqiptare rekomandohet të rezervojë një pjesë të kapacitetit transmetues në kufijtë e jashtëm. Tregu për Shqipërinë, në këtë mënyrë, do të jetë i dizajnuar në përputhje me rregullat ndëreuropiane.
Shkëmbimet e energjisë europiane (PXs) do të mund të sjellin transparencë dhe parashikueshmëri për pjesëmarrësit e tregut dhe investitorët në të gjithë Europën. Shqipëria kështu do të përfitojë nga harmonizimi dhe integrimi me këto tregje dhe që lejon investitorët ndërkombëtarë të marrin pjesë në tregun shqiptar bazuar në të njëjtat modele të aplikuara në tregjet e tjera.
Katër zona eksport-importi
Tregtia e energjisë me fqinjët do të bëhet nëpërmjet krijimit të zonave të import/eksportit të lidhura së bashku përmes ankandeve.
Sipas modelit të ri të tregut të energjisë një zonë import-eksporti do të ngrihet në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Një pjesë e kapacitetit do të mbahet si rezervë e përbashkët, ndërsa kapaciteti i mbetur do të tregtohet me ankand nga zona e lirë për import-eksport dypalësh.
Një zonë e dytë eksport-importi do të jetë në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Një zonë e tretë eksport–importi do të jetë për tregtinë me Serbinë dhe zona e katërt ndërkufitare për tregtinë e energjisë, do të jetë ajo Greqi-Shqipëri. Modeli i ri i tregut sugjeron që zonat e eksport-importit të regjistrohen me Bursën e Energjisë si çdo pjesëmarrës tjetër në treg.
KESH do të çlirohet nga OSHEE
Modeli i ri tregut të energjisë që është në diskutim aktualisht e çliron KESH nga detyrimi për të furnizuar OSHEE-në dhe klientët tariforë. Mirëpo kjo do të shoqërohet me masa dhe një periudhë tranzitore për të mos cenuar furnizimin normal me energji.
Çdo marrëdhënie e ardhshme tregtare ndërmjet këtyre subjekteve mund të bëhet përmes kontratave financiare të energjisë të negociuara lirisht ose të vendosura nga qeveritë përkatëse, si kontratat bazë financiare kalimtare ngarkesës.
Elemente të tjera të rëndësishme të Modelit përfshijnë detyrimin e OST për të blerë humbjet e rrjetit.
E mira e HEC-eve është se duke e pasur rezervën hidrike me kosto zero mund të ruajë atë për të shitur në një moment të përshtatshëm tregtar. Në draftin e ri sugjerohet që hidrocentralet me rezervuarë gjithmonë duhet të marrin në konsideratë mundësitë e tyre komerciale për menaxhimin e rezervuarëve të tyre. Për këtë arsye, KESH duhet të bëhet i aftë në planifikimin e prodhimit për ta tregtuar atë në pikun e tregut, ashtu si çdo kompani tjetër operon me rezervuarë si kudo në Europë.
Konsumatorët me ngarkesë fleksibël në këtë mënyrë mund të zvogëlojnë kërkesën gjatë periudhave me çmime shumë të larta. Në këtë mënyrë i gjithë brezi, konsumi dhe transmetimi do të “përshtaten” me çmimet spot në të gjithë rajonin në bazë të ofertave një ditë më përpara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.