Recesioni ekonomik preku ndjeshëm tregun botëror të aluminit, ndërkohë që çmimet e metaleve ranë në mënyrë drastike, me dobësimin e kërkesës në fushën e ndërtimit, industrinë e makinave dhe atë të aviacionit. Fenomeni solli erozion të fitimeve të kompanive kryesore, në shkrirjen dhe bashkimin e disa prej tyre, ashtu si edhe pezullimin e investimeve në të gjithë globin. Raporti vlerëson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Europës Perëndimore u përballën me rënie të kërkesës në disa industri. Kriza financiare ndërkombëtare globale nuk preku vetëm furnizimin. Aktorët e këtij sektori u detyruan gjithashtu të zhvendosin prodhimin në vende të tjera që ofrojnë më pak kosto operacionale.
Në vitet e ardhshme, kompanitë e shkrirjes në Europë dhe SHBA pritet të përballen me një konkurrencë të madhe, për shkak të prodhimit masiv dhe furnizimit të lirë që po sigurojnë prodhuesit e aluminit në Kinë dhe në Lindjen e Mesme. Industria gjithashtu është duke përjetuar rritje të prodhimit të aluminit në vendet GCC, përfshirë Arabinë Saudite, Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Rajoni i Lindjes së Mesme përfiton gjithashtu nga avantazhet e rezervave të pasura të bauoxid-it, por edhe energjinë ekonomike që pritet të ndihmojë vendet në zhvillimin e aktiviteteve përpunuese të aluminit. Përveç kësaj, rajoni i vendeve arabe është në afërsi të tregjeve europiane, çka u mundëson kompanive të shkrirjes të zvogëlojnë shpenzimet.
Rajoni i Azisë e Paqësorit udhëhiqet nga rritja e konsumit kinez, i cili përbën tregun me rritjen më të shpejtë për përdorimin e aluminit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, niveli i rimëkëmbjes së tregut të aluminit pritet të jetë më i ngadaltë.
Gjatë njëzet viteve të fundit, alumini ka fituar pjesë të tregut të prodhimit të makinave, duke sfiduar dominimin e çelikut dhe të hekurit. Përdorimi i aluminit në automjete është rritur me shpejtësi, për shkak të përfitimeve të tilla si pesha e lehtë, mungesa e gërryerjes, densiteti i lartë. Por alumini po fiton peshë edhe në sektorin e paketimit, për shkak të kombinimit të karakteristikave të tij: i fortë, i lehtë, i riciklueshëm. Shtetet e Bashkuara janë përdoruesit më të mëdhenj të këtij metali të butë në paketim. Ai ka një përdorim të gjerë në formën e kanoçeve të pijeve, paketimeve ushqimore, kryesisht të konservuara. Riciklimi i aluminit shënon nivelin më të lartë krahasuar me metalet e tjera. Si pasojë, konkurrenca në tregjet e skrapit pritet të mbetet e fortë.
Kërkesa në rritje për metalin e lehtë është ushqyer kryesisht nga lulëzimi i ekonomisë kineze, ekonomi që tashmë po konsumon një të katërtën e prodhimit botëror të aluminit. Analistët vlerësojnë një normë vjetore rritjeje 8-9% në industrinë e automobilave kinezë deri në vitin 2011, ndërsa rritja e shpenzimeve në ndërtim prej vitit 2007 ka qenë mesatarisht 12%. Sipas analistëve, këta faktorë të kombinuar tregojnë se Kina konsumoi rreth 36% të prodhimit botëror të aluminit në vitin 2010.
Duke qenë më i lehtë se metalet e tjera, përdorimi i tij në industrinë e makinave vlerësohet eficient në shumë drejtime. Nga studimet e bëra rezulton se një kilogram alumin, i përdorur për të zëvendësuar metale të tjera në prodhimin e makinave, e ul konsumin e gazit me 8.5 litra dhe prodhon 20 kg CO2 më pak. Reduktimi i peshës së makinës me 10% rezulton të kursejë 9% konsumin e karburantit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.