“Historia përsërit vetveten”. Kështu këndoi grupi ABBA në Festivalin e Eurovision-it të vitit 1974, në këngën “Waterloo”, që i dha grupit suedez famë globale.
Gjysmëshekulli më vonë, këto fjalë tingëllojnë me vend. Grupi është ribashkuar, dhe do të nxjerrë një album të ri në nëntor. Ndërkohë, në Britani, ku ABBA dominoi klasifikimet muzikore për më shumë se një dekadë pas fitores në Eurovision, duket se po rritet jehona e viteve 1970, shkruan The Economist.
Në atë kohë, Britania po vuante nga mungesa të energjisë dhe përçarje industriale. Sot, ajo po përballet përsëri me probleme të furnizimit me energji, rafte të zbrazëta nëpër supermarkete dhe nevoja për ndihma qeveritare. Më 20 shtator, Kwasi Kwarteng, sekretari i biznesit, i premtoi Parlamentit se “nuk do të ketë javë pune treditore, sepse nuk do të kthehemi në vitet 1970”. Siç ndodh gjithmonë me deklarata të tilla politike, vëmendjen nuk e tërhoqën premtimet e tij, por fakti se ato u konsideruan të nevojshme për t’u thënë.
Po ndodh një rritje e shpejtë e çmimeve të energjisë në mbarë botën, veçanërisht të gazit natyror. Këto rritje janë të dhimbshme për shumë vende, por veçanërisht për Britaninë. Që kur nafta dhe gazi u zbuluan në brigjet e saj verilindore gjysmëshekulli më parë, gazi ka prodhuar pjesën më të madhe të energjisë elektrike dhe ka ngrohur pothuajse të gjitha shtëpitë e vendit. Por gazi i Detit të Veriut po mbaron; dhe ndërsa Britania ka zëvendësuar impiantet e qymyrit me energji të erës në mënyrë që të ulë emetimet e karbonit, ajo është bërë e tepër e varur nga importet e gazit natyror, veçanërisht në një mot të qetë.
Gjatë dekadës së fundit, qeveria i ka lejuar furnizuesit e rinj të zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut të energjisë me pakicë, me modele biznesi që i kanë lënë ata të papërgatitur për turbullirat e mundshme të tregut. Tani, në prag të konferencës për klimën në nëntor, në Glasgow, Britania duhet të zgjedhë nëse duhet të lejojë kolapsin e tregut të saj të energjisë, apo të ofrojë subvencione të mëdha për karburantet fosile.
Origjina e kësaj rrëmuje fillon në vitet 1980 dhe 1990, kur privatizimi krijoi një treg oligopolistik të energjisë të dominuar nga “Gjashtëshja e madhe”, që u paguante aksionerëve dividentë të mëdhenj dhe shefave paga të majme. Qeveria iu përgjigj zemërimit për faturat e larta të energjisë me një liberalizim të mëtejshëm, i cili krijoi një treg të fragmentuar (shih grafikun). Disa nga pjesëmarrësit e rinj ishin kompani novatore, si Bulb, që ofron aplikacione për gjurmimin e konsumit dhe Octopus, që shkurajon konsumin nëpërmjet çmimeve dinamike, kur kërkesa është e lartë. Por shumica e këtyre kompanive kishin kapital të vogël dhe nuk prodhonin energji, ato thjesht e blinin atë me shumicë në tregjet globale dhe e shisnin. Disa i kushtonin pak vëmendje sigurimit të vazhdimësisë së ofertës ose mbrojtjes kundër luhatjeve të çmimeve.
Operacione të tilla ishin gjithmonë të cenueshme nga shtrëngimi i mundshëm i kërkesës. Por rreziqet u rritën në vitin 2017 me mbylljen e një qendre të madhe të magazinimit të gazit, dhe si pasojë, Britania ishte në gjendje të ruante vetëm 2% të kërkesës së saj vjetore. Ndërkohë, importues të tjerë të mëdhenj të gazit, mund të ruajnë 20-30%. Dhe rreziqet u rritën më tej në vitin 2019, kur qeveria kufizoi çmimet e konsumit në përgjigje të ankesave të vazhdueshme për faturat e larta të energjisë.
Stuhia e përsosur erdhi këtë verë. Ndërsa kufizimet pandemike u lehtësuan, kërkesa globale për energji, u rrit. Furnizimi me gaz në Rusi, që është një prodhues i madh, u ndërpre dhe për shkak të motit jashtëzakonisht të qetë, turbinat e erës në Britani nuk po prodhonin shumë energji. Në gusht, Ofgem, rregullatori i industrisë, tha se nga tetori, kufiri i çmimeve do të rritet me 12%. Por që atëherë, çmimi me shumicë i gazit i paguar nga kompanitë britanike të energjisë, është rritur me më shumë se 70%. Shtatë kompani kanë dështuar që nga gushti, dhe pa ndërhyrjen e qeverisë, me dhjetëra të tjera do të dështojnë. Drejtuesi i një prej kompanive më të mëdha, thotë se Ofgem ka qenë “duke fjetur” përballë kësaj situate.
CF Industries, kompani plehrash kimike në pronësi amerikane, ndërpreu prodhimin në dy qendrat britanike, duke thënë se vazhdimi i operimit nuk ishte më ekonomik. Efektet ndikuan në zinxhirin e furnizimit me ushqim. Dioksidi i karbonit komercial (CO2), një nënprodukt i prodhimit të plehrave kimike, përdoret për të trullosur kafshët para therjes, për të paketuar ushqim të freskët dhe për ta mbajtur ushqimin e freskët gjatë transportit. Në kohë normale, CF Industries mbulon më shumë se gjysmën e furnizimit të Britanisë. Shoqata Britanike e Përpunuesve të Mishit, një organ tregtar, paralajmëroi për mungesa të pashmangshme të mishit.
Më 21 shtator, qeveria njoftoi se pas bisedimeve, CF Industries do të rifillonte prodhimin e CO2. “Subvencionimi i çmimeve të energjisë do të kushtojë shumë miliona” – pranoi George Eustice, sekretari i Mjedisit.
Qeveria duhet të ndihmojë shumë më tepër kompani të tjera. Kur një firmë energjetike me pakicë dështon, Ofgem i transferon klientët e saj tek një ofrues tjetër. Megjithatë, këtë vit, kompanitë “e mbijetuara” ngurrojnë të marrin përsipër ngarkesa të tilla. Ofgem ka të ngjarë të rrisë tavanin e çmimit të energjisë përsëri në pranverën e ardhshme, por jo aq sa duhet për të sjellë faturat në një linjë me çmimet globale. Kështu që qeveria po shqyrton të marrë përsipër humbjet nga klientët e transferuar, ose të krijojë një kompani të përkohshme, në pronësi publike dhe deficitare, për t’i furnizuar ata gjatë dimrit.
Secila prej këtyre mundësive do të jetë e shtrenjtë. Pyetja se sa e shtrenjtë do të varet nga fakti se sa firma dështojnë, sa shpejt dhe sa të larta do të jenë çmimet e gazit. Zyrtarët thonë se shpresojnë që kostoja për taksapaguesit mund të mbahet në nivelin “disa miliarda”. Pas një dekade neglizhimi të sigurisë së energjisë, fatura po afron./ The Economist