Flet Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a.
Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin e saj me Bashkimin Europian edhe sa i përket tregut të kapitalit, por në këtë rrugë duhet të mbahet parasysh situata aktuale ku ndodhet ky treg. Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve, shprehet se përmirësimi i kuadrit ligjor është pozitiv, por ai duhet të shihet me kujdes. Lidhur me hallkat e tregut, ai shprehet se tashmë, ato janë plotësuar dhe tregu, pas një faze të gjatë gjumi, ka hyrë në rrugën e rritjes.
A mund të bëjmë një bilanc të ecurisë së Bursës Shqiptare të Titujve ALSE nga hapja e deri më tani? Si ka qenë interesi?
Ecuria e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, për vitin e parë kalendarik të aktivitetit (deri më 31 dhjetor 2018) ka tejkaluar pritshmëritë dhe parashikimet tona. Në një këndvështrim të përgjithshëm, gjatë vitit të parë të aktivitetit në periudhën shkurt – dhjetor 2018, vlera e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE arriti në nivelin 2.57 miliardë lekë, ose rreth 20.8 milionë euro, me një sasi (volum) prej më shumë se 106,700 njësi titujsh të tregtuar dhe një numër total prej 127 transaksionesh.
Gjatë kësaj periudhe, në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE kanë dominuar: transaksionet mes bankave me njëra-tjetrën, transaksionet në Oraret Zyrtare (On-Exchange), transaksionet në Obligacione Thesari; transaksionet në valutën LEK.
Pjesa më e madhe e transaksioneve të zhvilluara gjatë vitit të parë të aktivitetit janë transaksione në tregun me pakicë (bankë-klient) që përbëjnë edhe rreth 63% të totalit krahasuar me transaksionet ndërbankare (bankë-bankë). Transaksionet mes bankave në ALSE janë dominuese në vlerën e tregut (55.6% e totalit), dhe në sasinë e tregtuar të titujve (69.8% e totalit). Parë në këndvështrimin e maturimit nga bonot e thesarit, titujt më aktivë janë ata me maturim 12-mujor, të ndjekur nga BTH 6-mujore, ndërkohë që mungojnë transaksione në BTH 3-mujore, sepse afati i tyre i maturimit është shumë i shkurtër. Parë në këndvështrimin e maturimit nga obligacionet e thesarit, titujt më aktivë në tregtim janë ata me maturim5-vjeçar dhe 10-vjeçar, të ndjekur nga 2-vjeçarët, për sa i përket numrit të transaksioneve dhe ata me maturim 7-vjeçar për sa i përket volumit dhe vlerës së tregtuar.
Në këndvështrimin tuaj, në çfarë faze ndodhet sot tregu i kapitaleve në vend?
Tregu i kapitaleve në vend është në një fazë intensive zhvillimi, me një ritëm mjaft të shpejtë, por edhe cilësor. Kështu, parë në të gjitha këndvështrimet, tregu i kapitaleve po zgjerohet në drejtim të ndërmjetësve financiarë (të rinj dhe ekzistues), shërbimeve financiare, instrumenteve financiarë, përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ, rritjes së nivelit të cilësisë dhe efikasitetit dhe mbikëqyrjes nga rregullatorët.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka një interes të vazhdueshëm të investitorëve për alternativa të reja investimi, që mund të sjellin një normë kthimi më të lartë për portofolat e tyre të kursimit (ana e kërkesës për tituj) si dhe një rritje të nevojës së biznesit për diversifikimin apo përmirësimin cilësor të burimeve dhe parametrave të financimit të aktivitetit të tyre (ana e ofertës për tituj). Edhe pse e gjithë pesha specifike e tregut jobankar në përgjithësi, por edhe atij të kapitaleve në veçanti, mbetet e vogël brenda sektorit financiar (sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë është më pak se 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto), duhet thënë se vitet e fundit, kemi një rritje relative të shpejtë dhe cilësore të prezencës së këtij tregu dhe operatorëve të tij.
Cilat janë sfidat që hasen dhe që kufizojnë zhvillimin? Sa frenues janë faktorë të tillë si edukimi financiar i vakët, mungesa e besueshmërisë apo struktura e përgjithshme e ekonomisë?
Sfidat janë pa fund, kur vjen puna për zhvillimin, sidomos të tregut të kapitaleve dhe industrisë së titujve në Shqipëri. Kryesorja ka të bëjë me mungesat strukturore që ka arkitektura aktuale e tregut, në aspektin teknik por jo në pak raste, problematike bëhen edhe mungesat në aspektin ligjor e rregullativ.
Në më shumë se 5 vite që ka filluar projekti i krijimit të bursës së parë me kapital privat në vend, duhet thënë se kemi bërë një punë të madhe, në drejtim të identifikimit të të gjithë këtyre mungesave e nevojave, si dhe adresimit tek institucionet rregullatore përkatëse.
Gjithashtu, ka qenë bashkëpunimi i shkëlqyer dhe bashkërendimi i punës me institucionet rregullatore (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë) për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata të problematikave të hasura, me qëllim mundësimin e zhvillimit të një tregu kapitalesh të shëndetshëm që të plotësojë, në mënyrë sa më efikase, nevojat për kapital në ekonominë e vendit. Në këtë tablo nuk ka munguar edhe ekspertiza e mbështetja financiare e donatorëve të huaj në vend, të cilët kanë mbështetur procesin nga pikëpamja e përmirësimeve ligjore, duke ndihmuar rregullatorët në drejtim të harmonizimit të kuadrit ligjor me direktivat e BE-së, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare në industrinë e titujve.
Paralel me punën për amortizimin e problematikave dhe mungesave strukturore e ligjore, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka qenë mjaft aktive edhe në drejtim të tërheqjes drejt këtij tregu të ri, si të ndërmjetësve financiarë, ashtu edhe të investitorëve potencialë, që duan të diversifikojnë portofolat e tyre. Sidomos në këtë këndvështrim, i kemi dhënë prioritet të jashtëzakonshëm edukimit financiar, me një fokus të veçantë te studentët e fakulteteve ekonomike në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik e Jopublik në vend. S’jemi mjaftuar me kaq, por kemi rritur prezencën në publik, nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive, apo rrjeteve sociale, pa lënë mënjanë një faqe zyrtare mjaft interaktive me informacion të bollshëm edukativ, por edhe statistikor me të dhënat më të fundit nga transaksionet financiare të ekzekutuara në ALSE.
Sa të plotësuara janë hallkat e këtij tregu sot në kuptimin e aktorëve pjesëmarrës siç janë fondet e investimit, brokerat e licencuar, këshilluesit e investimeve, bursa, kuadri i përshtatshëm ligjor?
Tregu i kapitaleve në Shqipëri nuk ka vuajtur kurrë për praninë e institucioneve financiare të nevojshme, apo për mungesë ekspertize. Në këtë aspekt, në tregun vendas nuk kanë munguar kurrë ndërmjetësit financiarë, njëherazi edhe operatorë të rëndësishëm në industrinë e titujve, siç janë fondet e investimit, brokerat e licencuar, kujdestarët e titujve, këshilluesit e investimeve etj.
Problematika kryesore që ka shoqëruar tregun vendas të kapitaleve ka qenë për shumë vite mungesa e një burse funksionale, e cila mbledh rreth vetes të gjithë aktorët dhe i ndihmon në procesin e përputhjes së kërkesës e ofertës për fonde me kushtet e kostove minimale të ndërmjetësimit financiar. Pikërisht mungesa e këtij institucioni, si dhe mungesa e një institucioni tjetër po aq të rëndësishëm, siç është depozitari i titujve të biznesit (databaza e pronësisë së titujve), kanë nxitur operatorët ekzistues të kërkojnë forma të tjera jo tradicionale të operacionalitetit në industrinë e titujve, duke i dhënë një drejtim ndryshe kësaj industrie për më shumë se dy dekada.
Kështu, p.sh., mungesa e bursës funksionale ka sjellë krijimin e një tregu paralel me pkicë të titujve të Qeverisë, nëpër sportelet e bankave të nivelit të dytë, i cili, nuk është shumë likuid, lë për të dëshiruar në aspektin e transparencës (çmimet nuk publikohen në një vend të centralizuar e lehtësisht të aksesueshëm nga investitorët) si dhe ka kosto relativisht të lartë ndërmjetësimi për investitorët. E njëjta situatë ka ndodhur pak a shumë me mungesën e depozitarit të titujve të biznesit, mungesa e të cilit ka detyruar bankat që të plotësojnë këtë “hapësirë” përtej aktivitetit normal të tyre, nëpërmjet shërbimeve të kujdestarisë së titujve.
Pikërisht zgjatja në kohë dhe deformimi i drejtimit të këtyre tregjeve ka sjellë edhe një lloj rutine dhe dominimi të tregut të titujve të Qeverisë nga bankat e nivelit të dytë, duke krijuar vështirësi për hyrjen e operatorëve të rinj konkurrues, siç janë firmat e brokerimit, ndërkohë që tregu i titujve të biznesit është kryesisht i pambuluar dhe i pashërbyer. Edhe licencimi i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE dhe fillimi i funksionimit normal të saj, pak e ka ndryshuar këtë situatë, në kushtet kur tregtohen vetëm tituj të Qeverisë. Kjo ndodh sepse bankat i kanë krijuar tashmë kanalet e tyre të tregtimit të titujve në sisteme dhe platforma paralele me kosto relativisht standarde dhe ngurojnë të ndryshojnë kahje në kushtet e një dominance të tregut. Po ashtu, edhe pse ALSE ka më shumë se një vit funksionim, fondet e investimeve apo kompanitë e sigurimeve që kanë portofola të mëdha të ekspozimit në tituj të Qeverisë, pothuajse nuk u afrohen transaksioneve në bursë, pasi shërbehen nga bankat e nivelit të dytë prej më shumë se 2 dekadash.
Kjo është arsyeja pse Bursa Shqiptare e Titujve ALSE e shikon si shumë të domosdoshme nisjen sa më parë të listimit dhe tregtimit të titujve të biznesit (obligacione korporate dhe aksione) si një segment mjaft potencial i tregut, i cili mund të zgjojë jo vetëm interesin e institucioneve financiare banka, fondeve të investimeve etj., por edhe të individëve të cilët janë në kërkim të normave më të larta të kthimit për kursimet e tyre.
Ka në diskutim një projektligj “Për tregjet e kapitalit”, e keni parë këtë draft? Keni ndonjë koment mbi të dhe cilat janë risitë që sjell ai për tregun? Po rezerva keni?
Siç e përmenda edhe më lart, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, së bashku me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, ka bërë një punë të lavdërueshme në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, që mbulon tregun e kapitaleve, por edhe segmente të tjera po aq të rëndësishme, siç është industria e fondeve të investimit dhe pensioneve. Sa i përket draft-ligjit të Tregut të Kapitalit, ai sjell mjaft risi pozitive, kryesisht në drejtim të:
- -Mbledhjes së të gjithë kuadrit ligjor të industrisë së titujve nën të njëjtën çati, në një ligj të vetëm
- -Harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor aktual me direktivat e BE-së dhe me praktikat më të mira botërore në industrinë e titujve
- -Përcaktimit më të qartë e të saktë të rolit të disa institucioneve dhe tregjeve financiare
- -Futjes për herë të parë dhe mbulimit ligjor të aktivitetit të disa operatorëve të rëndësishëm, si ndërmjetës financiarë në tregun e kapitaleve, të cilët mungonin në ligjin ekzistues, siç janë depozitarët e titujve, agjencitë e vlerësimit të rrezikut (rating), menaxherët e portofolave të titujve etj. Padyshim që ligji, në gjykimin tonë, ka nevojë edhe për përmirësime, sidomos në drejtim të marrjes parasysh të arkitekturës aktuale të tregut, pasi gjykojmë që duhet gjetur një mesatare e artë mes nevojës për harmonizim të legjislacionit me direktivat e BE-së dhe nevojës për nxitjen dhe zhvillimin e një tregu të vogël, i cili ndodhet në gjenezën e tij, siç është tregu i kapitaleve në Shqipëri. Gjithashtu, e gjejmë me vend dhe të rëndësishëm për ligjin e ri, përcaktimin e afateve të qarta për operatorët e tregut dhe për Autoritetin, unifikimin e termave financiarë të përdorur ndër vite në tregun vendas etj. Gjithsesi, duhet thënë që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka shpërndarë në kohë draft-ligjin për mendim tek operatorët dhe grupet e interesit, si dhe ka mbledhur komentet e tyre. Besoj se një pjesë e konsiderueshme e komenteve të operatorëve të tregut janë marrë në konsideratë, me qëllim përmirësimin cilësor të këtij ligji thelbësor për zhvillimin e tregut të kapitaleve në dekadat që pasojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.