Visa është krye të “garës” së kartave bankare në tregun shqiptar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2020, bankat tregtare shqiptare kishin rreth 636 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa.
Kjo shifër përbënte rreth 51.7% të numrit të aktiv të kartave bankare në fund të vitit të kaluar. Gjigandi tjetër global i pagesave, MasterCard renditet i dyti, me rreth 593 mijë karta aktive ose rreth 46.9% të totalit.
Dy markat e mësipërme përbëjnë pjesën dërrmuese të kartave të lëshuara nga sektori bankar shqiptar. E treta me diferencë të thellë renditet American Express, me rreth 17,500 karta ose 1.4% e numrit të përgjithshëm të tyre. Kartat lokale në fund të vitit të kaluar ishin vetëm 266 dhe zinin një pjesë tregu të papërfillshme.
Megjithatë, po të shohim ecurinë e kartave bankare në kohë, Visa është në rënie dhe vitet e fundit tendenca e tregut është dukshëm në favor të MasterCard. Për vitin 2020, numri i kartave Visa ra për të dytin vit radhazi, me 3% më pak krahasuar me vitin 2019 dhe me 16% krahasuar me vitin 2018. Rënia e numrit të kartave Visa është ndikuar edhe nga shkrirja e NBG Bank me ABI Bank, duke qenë se NBG ishte ndër bankat që ofronin vetëm karta Visa.
Për MasterCard numrat janë në rritje të vazhdueshme, për të dymbëdhjetin vit radhazi. Për 2020, numri i kartave MasterCard u rrit me 16.1%.
Lojtari i tretë në treg American Express, pësoi rënie të numrit të kartave në Shqipëri, me 18.6%. Aktualisht, kartat American Express ofrohen vetëm nga një bankë tregtare në Shqipëri.
Në fund të vitit 2020, shqiptarët kishin në përdorim 1.26 milionë karta bankare aktive, në pjesën dërrmuese karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Numri i kartave të pagesave u rrit me 4.8% krahasuar me një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave me kartë në Shqipëri arriti në më shumë se 5.8 milionë gjatë vitit 2020, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Pagesat në pikat elektronike të shitjes shënuan një rritje domethënëse me 17% krahasuar me vitin 2019.
Pas shpërthimit të pandemisë, konsumatorët nisën të përdornin më shumë kartat në pagesat për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, qoftë në pikat e shitjes fizike apo në internet. Përdorimi i kartave u nxit nga kufizimet e vendosura, por edhe perceptimi se kontakti me paranë cash mund të sillte një rrezik të shtuar për përhapjen e koronavirusit që shkakton Covid-19.
Kjo solli paralelisht edhe një numër më të vogël të tërheqjeve cash në bankomate në 16.1 milionë, nga 16.5 milionë që kishin qenë një vit më parë. Sidoqoftë, efekti i pandemisë është ndjerë edhe në ecurinë e pagesave elektronike, e lidhur kjo sidomos me rënien e ndjeshme të turizmit hyrës. Si vlerë, pagesat me kartë në terminalet POS të bankave tregtare shqiptare ranë lehtë vitin e kaluar në 25.5 miliardë lekë, rreth 2.7% më pak krahasuar me vitin 2019. / E.Shehu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.