Tregu në riformatim
Të paktën në tre vitet e fundit, tregu i leasing-ut po përballet me një sërë sfidash. Sipas Bankës së Shqipërisë, tregu ra me 18% në 2015-n, por që erdhi kryesisht nga përthithja e disa kompanive leasing nga bankat. Megjithatë, operatorët për 2016-n shprehen më optimistë dhe besojnë se tregu do të shkojë drejt rritjes.
Nga Elona Bedalli
Tkurrja e vazhdueshme e investimeve të bizneseve në makineri e pajisje, blerjet e pakta të makinave të reja nga individët, por edhe rifomatimi i tregut, kanë ulur ritmet e rritjes së tregut të qirasë financiare (leasing) në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2015, portofoli bruto i tregut të qirasë financiare arriti në rreth 5.9 miliardë lekë nga rreth 7.1 miliardë lekë që ishte në vitin 2014. Ky treg vazhdoi të dominohej nga financimet për mjetet e transportit personal (rreth 47%) dhe nga mjete transporti pune (34.4%).
Krahas riformatimit të tregut, një tjetër shkak, që po çon në reduktimin e huadhënies nga këto institucione financiare jobanka është rëduktimi i ndjeshëm i investimeve për blerjen e makinerive dhe pajisjeve nga bizneset. Klientët kryesorë të leasing-ut kanë qenë kompanitë e infrastrukturës, që merrnin me qira financiare mjete të mëdha për shtrimin e rrugëve dhe punimeve të ndryshme. Me tkurrjen e investimeve të qeverisë në punët publike, ka rënë ndjeshëm edhe volumi i punës për kompanitë e infrastrukturës dhe si pasojë, edhe leasing-ut.
Një tjetër arsye e fortë ka të bëjë me numrin e ulët të makinave të reja të regjistruara, në krahasim me ato të vjetra.
Të dhënat e siguruara nga Automobil Club Albania tregojnë se që nga viti 2012, numri i makinave të reja të targuara ka pësuar luhatje, ku 2014-a rezultoi me shifrën më të ulët 1,777 në total.
ECURIA E MAKINAVE TË REJA
Edhe pse në këto kushte, operatorët e tregut thonë se do të vazhdojnë që të mbështesin biznesin në planet e tyre të investimeve, përmes zgjerimit të gamës së produkteve dhe shërbimeve.
Kompanitë zunë 31.1% të tregut jo financiar në 2015-n
Në dhjetor 2015, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, referuar raportit të mbikëqyrjes vjetore, totali i aktiveve të subjekteve financiare jobanka arriti vlerën e 31.81 miliardë lekëve, duke përbërë 2.4% të totalit të aktiveve të sistemit bankar.
Krahasuar me vitin paraardhës, aktivet në total të subjekteve financiare jobanka shënuan rënie të lehtë prej 425.9 milionë lekësh ose 1.32%.
Ky rezultat, sipas Bankës së Shqipërisë, erdhi kryesisht nga rënia e aktiveve të subjekteve Credins Leasing dhe Tirana Leasing, si rrjedhojë e shkrirjes së tyre me subjekte të tjera. (Credins Leasing, gjatë vitit 2015 ka ndërmarrë hapat për t’u bashkuar me përthithje nga Banka
Credins SH.A; Portofoli i shoqërisë Tirana Leasing SH.A, është blerë nga shoqëria Raiffeisen Leasing SH.A).
Në portofolin e kredive SFJB, subjektet e qirasë financiare zunë 31.1% të tregut.
Ecuria e portofolit mbi baza neto dhe bruto
Në fund të vitit 2015, portofoli bruto i subjekteve financiare jobanka ka shënuar rënie prej 773.7 milionë lekësh ose 3.9%, duke arritur vlerën e 18.96 miliardë lekëve. Rënia në portofolin bruto të SFJB-ve i atribuohet tkurrjes së portofolit të qirasë financiare me rreth (17.9%), si rrjedhojë e reduktimit të portofolit të subjekteve Tirana Leasing dhe Credins Leasing.
Nga pikëpamja strukturore, portofoli i subjekteve të kredidhënies dhe të qirasë financiare dominohet kryesisht nga financimet për biznes (91.7%), të orientuara drejt sektorëve të “Tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (26.7%), “të tjera” (17.0%), si dhe “Bujqësisë, gjuetisë dhe silvikulturës” (12.9%). Ndërkohë, financimet faktoring kryhen tërësisht për qëllime biznesi dhe janë të orientuara drejt sektorëve “të tjerë” (52.7%).
Portofoli i mbarë SFJB-ve paraqitet i orientuar drejt financimeve në monedhën vendase (63.4%) dhe me afate të mesme maturimi (75.8%).
Për sa i përket objektit të financimeve, portofoli i qirasë financiare vazhdimisht dominohet nga financimet për mjete transporti personale (46.8%) dhe mjete transporti pune (34.4%).
Portofoli i qirasë financiare, sipas objektit të financuar
Tregu, pjesa më e madhe e kompanive, me humbje
Tregu i leasing-ut pësoi disa ndryshime në konfigurim gjatë vitit 2015 kryesisht në periudhën korrik–tetor.
Credins Leasing u bashkua me përthithje nga Banka Credins, ndërsa portofoli i shoqërisë Tirana Leasing u ble nga shoqëria Raiffeisen Leasing sh.a.
Banka e Shqipërisë, në raportin vjetor të mbikëqyrjes për vitin 2015, liston shtatë kompani që operojnë në këtë treg: Credins Leasing, Raiffeisen leasing, FIN-AL, Tirana leasing, LandesLeasing, Porsche Leasing dhe Albania Leasing.
Sipas të dhënave të pasqyrave financiare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për periudhën 2013-2014 (vetëm disa nga shoqëritë kanë dorëzuar bilancet e vitit 2015) vihet re se pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar me rënie të xhirove.
Deri në fund të vitit 2014, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit, operatori më i madh në treg ishte Tirana Leasing, me një qarkullim vjetor prej 150 milionë lekësh. Me blerjen e saj në 2015-n nga Raiffeisen Leasing, ky i fundit kalon automatikisht si operatori më i madh në tregun e qirasë financiare. I dyti më i madh mbetet Credins Leasing me një qarkullim vjetor prej 136 milionë lekësh (edhe ky është përthithur nga banka Credins).
Më herët, Union Bank ka blerë Landeslease.
Credins dhe Tirana Leasing janë përthithur, duke u larguar si emra nga tregu, ndërsa Landeslease e ruan emrin, por është në pronësi të Union Bank.
Pse ka shumë bashkime e përthithje?!
Po pse po ndodhin kaq shumë bashkime e përthithje në këtë sektor?! Kompanitë vlerësohen se nuk kanë arritur të gjejnë terren të zhvillojnë këtë produkt financiar për dy arsye kryesore. Së pari, tregu i makinave të reja është shumë i vogël dhe makinat e përdorura nuk janë produkt që mund të tregtohen nga ky segment. Së dyti, leasing për makineri të tjera (veç automjeteve) është sërish një treg i vogël, pasi nuk ka blerës të mëdhenj për makineri të përdorura.
Një tjetër arsye që po i ”detyron” mëmat të blejnë bijat e tyre lidhet me faktin se Banka e Shqipërisë nuk lejon financim për Leasingun nga Banka mëmë për më shumë se 20% të kapitalit të Bankes (sikur të ishte klient i palidhur me Bankën) dhe kjo e pengon Leasingun të financohet nga Banka megjithëse kjo ka fonde të lira. Kjo zgjidhet në momentin që mëma e përthith aktivitetin e leasing. Përmes përthithjes aksionerët e bankës gjithashtu mund të ulin nevojat për kapital.
2016-a, pritshmëritë janë më pozitive
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, operatorët e këtij tregu gjatë 2016-s presin përmirësim të situatës.
Ida Shehu, drejtore ekzekutive e Raiffeisen Leasing sh.a, shprehet se do të vazhdohet të mbështeten bizneset në planet e tyre të investimeve, kjo edhe përmes gamës së produkteve dhe shërbimeve të ofruara.
Ndërsa Marjola Gurma, drejtore e Porsche Finance Group Albania, thotë se gjatë gjysmës së dytë të vitit, trendi është kryesisht në zgjerimin e flotave në shoqëritë tregtare për të finalizuar skemat e shoqërive, sipas plan-buxheteve vjetore.
Rezart Ferzaj, drejtor ekzekutiv Landeslease, pohon se një nga problemet më të mëdha është rënia e fuqisë blerëse nga ana e individëve dhe kjo reflektohet ndaj tendencës për të blerë makina të vjetra. Kjo është një sjellje që vazhdon si e tillë prej disa vjetësh. Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ka një numër më të lartë të makinave të vjetra krahasuar me ato të reja.
Do të mbështesim bizneset në planet e tyre të investimeve
Flet Ida Shehu, drejtore ekzekutive, Raiffeisen Leasing sh.a
Cila ka qenë ecuria e shërbimit leasing gjatë 2015-s (krahasuar me 2014-n) referuar edhe blerjes së Tirana Leasing?
Gjatë vitit 2015, kompania Raiffeisen Leasing sh.a. arriti të forcojë më tej pozitat e saj, si numri një në tregun shqiptar të financimit nëpërmjet qirasë financiare. Në këtë rritje ka ndikuar edhe finalizimi i marrëveshjes së blerjes së portofolit të kompanisë së qirasë financiare Tirana Leasing sh.a, pjesë e Grupit Bankar të Pireut. Kjo ishte lëvizja më e rëndësishme në fushën e blerjeve midis kompanive të leasing-ut, që formalizohet në tregun financiar shqiptar, e miratuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Me blerjen e portofolit të Tirana Leasing sh.a, Raiffeisen Leasing ka arritur të rrisë portofolin me 32%, numrin e aseteve të financuara me 50%, si dhe ka zgjeruar numrin e klientëve, sidomos ata individë.
Blerja e portofolit të Tirana Leasing ka rritur ndjeshëm dominimin e Raiffeisen Leasing në treg me një pjesëmarrje me më shumë se 60% të tij.
Dëshiroj të përmend që këtë vit, kompania Raiffeisen Leasing festoi 10-vjetorin e aktivitetit të saj në Shqipëri. Në këto 10 vite të aktivitetit në Shqipëri, kompania Raiffeisen Leasing ka synuar që leasing të jetë pjesë e kulturës së të bërit biznes, duke qenë gjithmonë pranë bizneseve shqiptare me shërbime cilësore, fleksibël dhe duke iu përshtatur nevojave të tyre.
Cilat janë problemet kryesore me të cilat po përballet ky treg? Si e vlerësoni konkurrencën?
Kërkesa nga klientët individë vazhdon që të jetë e ulët për sa i përket blerjes së makinave të reja.
Viti 2015 ka qenë një vit me sfida për tregun shqiptar të automjeteve, ku shitja e makinave të reja ishte ende në shifra shumë të ulëta, në krahasim me vendet e rajonit.
Si e parashikoni ecurinë për vitin 2016? Cila është e ardhmja e këtij tregu? Cila është strategjia që ju po ndiqni?
Raiffeisen Leasing sh.a., do të jetë në pozita që të mbështesë në mënyrë aktive bizneset në planet e tyre të investimeve edhe gjatë vitit 2016, duke ofruar financimin e mjeteve të lëvizshme dhe pajisjeve. Ne do të jemi tërësisht të përkushtuar në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit afatgjatë me klientët dhe koncesionarët tanë dhe do të vazhdojmë në mënyrë aktive t’iu përgjigjemi nevojave të tyre, me gamën e produkteve dhe shërbimeve që ne ofrojmë.
Synimi ynë, të konsolidojmë pozitat në treg
Flet Rezart Ferzaj, drejtor i përgjithshëm i Landeslease
Si ka qenë ecuria e Landeslease në vitin 2015 në krahasim me vitin paraardhës?
Viti 2015 shënoi pikën e kthesës drejt rritjes për Landeslease, pas transferimit të suksesshëm të pronësisë tek Union Bank në fund të vitit 2014, kohë në të cilën banka u bë aksioneria e vetme e Landeslease.
Tashmë kompania po ecën në rrugën e saj të operimit efikas dhe të shitjeve aktive. Gjatë vitit 2015, kompania falë strategjisë që zbatoi, rriti pozicionimin në treg, në një kohë kur për vite me radhë ishte me aktivitet në rënie dhe kishte humbur mjaft terren.
Periudha e 6-mujorit të dytë të 2015-s ishte tejet pozitive për kompaninë, pasi u rivendosën marrëdhëniet e qëndrueshme me klientët dhe koncensionarët, çka ka kontribuar ndjeshëm në suksesin tonë.
Cila ka qenë strategjia juaj?
Një filozofi e re pune e orientuar nga kërkesa e tregut. Përgjigja ndaj këtyre nevojave me cilësi dhe shpejtësi është besoj çelësi i suksesit tonë.
Ka disa elementë në strategjinë tonë që kontribuojnë në këtë sukses, por po ndalem te disa më kryesoret:
Së pari, i jemi përgjigjur kërkesave me produkte të mirëmenduara, por edhe kemi ofruar fleksibilitet në përputhje me specifikat e secilit klient.
Së dyti, ngritja e një sistemi që mundëson finalizimin e shërbimit leasing, në kohë shumë të shpejtë, na ka dhënë një avantazh konkurrues.
Rritja e bashkëpunimit me koncensionarët, duke ofruar së bashku produkte interesante për klientët është një tjetër element i rëndësishëm i strategjisë sonë.
Cilat janë problemet kryesore me të cilat po përballet tregu i qirasë financiare?
Padyshim që një nga problemet më të mëdha është rënia e fuqisë blerëse nga ana e individëve dhe kjo reflektohet si në rënien ndaj kërkesës për makina në përgjithësi, por edhe te një tendencë për të blerë makina të vjetra. Shqipëria, ka të raport shumë të lartë të shitjes së makinave të vjetra, krahasuar me ato të reja dhe për mendimin tim kjo ka të bëjë jo vetëm me situatën në të cilën gjendet individi (tkurrje e blerjeve për shkak të faktorëve ekonomikë), pasi kjo është e dukshme dhe nuk ka nevojë për komente.
Nëse e krahasojmë këtë fenomen me vendet e tjera të rajonit, tek te është më i theksuar dhe unë mendoj se kjo vjen për shkak të keqorientimit në nivelin e politikëbërjes.
Sa i përket tendencës së bizneseve në lidhje me investimet mund ët themi se , setpja vihet re edhe te investimet në pajisje dhe makineri, por edhe te mjetet motorrike.
Sidmos te makinat vihet re një tendencë për bërjen e llogarive aftshkurtra, për të zgjidhur nevojat e momentit me më pak kosto, çka e orienton këtë kategori drejt makinave të përdoruara.
Megjithatë ekzistojnë kategori sipërmarrjesh që e vlerësojnë leverdinë ekonomike të marrjes me leasig të makinave të reja.
Rënia e investimeve publike është gjithaashtu një faktor për ecurinë e këtij tregu dhe kjo ndihet edhe më shumë sa i përket pjesës së makinerive dhe pajisjeve ët renda. Kërksa për këto makina është afër nivelit zero.
Cili është parashikimi juaj në lidhje me ecurinë e tregut të leasing-ut gjatë 2016-s?
Tregu duket do të vazhdojë të ruajë të njëjtën performancë dhe ne nuk presim ndryshime të mëdha për aq kohë sa nuk do të ndërmerren ndryshime ligjore që do të stimulonin shitjen e makinave të reja.
Edhe nga këndvështrimi i situatës ekonomike nuk shohim elementë që të na bëjnë optimistë për një rritje të lartë ekonomike. Rrjedhimisht nuk kemi pritshmëri për një zgjerim trë tregut, si tek individët, ashtu edhe te bizneset.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar një rritje të qëndrueshme në treg dhe për të konsoliduar pozitat. Ne do të vazhdojmë të rrisim bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj klientëve tanë. Synimi ynë është që të arrijmë të renditemi të dytët në treg për nga madhësia e portofolit.
Rritja në treg bazohet kryesisht në kapacitetet tona të brendshme, sikurse edhe gjatë 2015-ës.
Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në rifreskimin e produkteve, forcimin e marrëdhënieve me furnitorët, si dhe të mjeteve motorike dhe pajisjeve. Nga ana tjetër ne do të vazhdojmë të mbështetemi edhe në përvojën e krijuar për nëj shërbim më të shpejtë dhe cilësor.
Synojmë zgjerimin e portofolit
Flet Marjola Gurma, drejtore e Porsche Finance Group Albania
Cila ka qenë ecuria e shërbimit leasing gjatë 2015-s (krahasuar me 2014-n)? Çfarë përqindje zini në treg?
Porsche Bank AG, si një degë e Porsche Holding, e orientuar në shërbimet financiare, operon në tregun automotiv, që prej vitit 2013. Objektivi ynë është t’iu ofrojmë klientëve zgjidhje për blerjen e makinave nëpërmjet leasing-ut financiar (qirasë financiare) ose dhënies me qira operative të automjeteve. Koncepti i biznesit që kemi sjellë, “one stop shop” nënkupton orientim drejt klientit, ofrimin e shërbimeve që sigurojnë vlerë në raport me nevojat e tyre.
Duke filluar nga 2014 e në vijim 2015, portofoli ynë është në rritje. Tashmë, pas 3 vitesh, ne jemi pozicionuar si aktorë kryesorë në tregun total financiar automotiv, duke konsoliduar pozitat.
Cilat janë problemet kryesore me të cilat po përballet ky treg? Si e vlerësoni konkurrencën?
Grupi ynë është i fokusuar në mënyrë specifike vetëm në financimin e automjeteve, të reja ose të përdorura. Në momentin që Porsche Leasing hyri në tregun financiar, operatorët e tjerë kishin një përvojë deri 10-vjeçare që operonin në këtë treg, me një gamë më të gjerë produktesh.
Kultura e konsumatorit në tregun tonë është që i drejtohet kryesisht bankave për të financuar aktivitetin e tij, përfshirë edhe blerjen e aseteve dhe kjo tendencë në fillimet tona ishte një sfidë për ne.
Një problematikë që hasim lidhet me trajtimin e rasteve të automjeteve të përdorura nga individë. Sipas një interpretimi zyrtar të lëshuar nga administrata tatimore, subjektet që ofrojnë shërbimin e qirasë financiare nuk mund të financojnë automjetet që blihen nga subjekte të paregjistruara, në TVSH (individë). Sipas këtij interpretimi, shoqëritë e qirasë financiare nuk e zbatojnë dot regjimin e marzhit të parashikuar nga ligji i ri i TVSH-së, i cili ka krijuar shumë lehtësi në aktivitetin e shitjes së automjeteve të blera nga individë. Kjo pengesë, nuk na jep mundësinë të financojmë këtë segment konsumatori, duke e detyruar të blejë vetëm me para në dorë, kategori e cila jo gjithmonë e ka mundësinë e pagesës cash.
Gjithashtu, në aktivitetin e qirasë financiare, ne kemi ndeshur edhe problemin e mosrimbursimit të TVSH nga ana e administratës tatimore. Shoqëritë që ofrojnë qiranë financiare, rezultojnë me TVSH kreditore. Administrata tatimore ka mbajtur qëndrim të ndryshëm në lidhje me rimbursimin e TVSH kreditore brenda sektorit tonë. Disa shoqëri të qirasë financiare janë rimbursuar, kurse disa shoqëri të tjera, përfshirë edhe shoqërinë tonë, nuk është rimbursuar për TVSH, pavarësisht se ndodhemi në të njëjtat kushte. Ky qëndrim i ndryshëm i administratës tatimore sjell shkelje të parimit të neutralitetit dhe të konkurrencës së drejtë në treg. Gjithashtu, mosrimbursimi i TVSH çon në rritje të kostos së kapitalit për shoqërinë.
Shoqëritë që ofrojnë qiranë financiare mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë. Në bazë të rregullores për administrimin e rrezikut për subjektet financiare jobanka, këto shoqëri duhet të kontrollojnë midis të tjerash edhe normat e lejuara për pozicionet e hapura valutore (për të mos i tejkaluar ato). Gjykojmë se normat e vendosura për shoqëritë tona nuk janë të nevojshme. Shoqëritë e qirasë financiare nuk paraqesin rrezik nga pikëpamja e pozicioneve të hapura në valutë të huaj. Ato nuk kanë depozita si detyrime ndaj publikut. Nga ana tjetër, shuma e financuar është plotësisht e mbështetur në kolateral (që është objekti i qirasë financiare). Në këto kushte, nuk ka ndonjë arsye për të monitoruar pozicionet e hapura në monedhë të huaj. Ne do të sugjeronim mundësinë e rishikimit të rregullores përkatëse në lidhje me normat e pozicioneve të hapura valutore, për të shmangur problematikën që lind me shoqëritë e qirasë financiare.
Cili është efekti që po jep ulja e investimeve dhe e konsumit? Po efekti i numrit të lartë të makinave të vjetra?
Ekzistenca e një tregu informal për automjetet e përdorura, paraqet vështirësi për sa u përket skemave të financimit. Gjatë 2015, në Shqipëri janë tregtuar afërsisht 35.000 automjete të përdorura krahasuar me 1.900 automjeteve, ose për çdo makinë të re janë shitur afërsisht 18 makina të përdorura.
Në aspektin financiar, kryesisht transaksionet në këtë segment të tregut mbeten kryesisht cash, pra jashtë skemave të financimit.
Duke marrë parasysh këtë trend të tregut, klientëve ju krijohet mundësia e vlerësimit të automjeteve, që kanë në përdorim, zëvendësimit të flotave të tyre dhe financimi i një flote të re, duke eliminuar kostot shtesë financiare që lidhen me trajtimin e shitjes së automjeteve të përdorura dhe amortizimin e tyre.
Për ne, është e rëndësishme, që klienti gjatë periudhës së financimit, të përdorë në kushte optimale mjetin dhe me gjithë problematikat, që lidhen me këtë treg, mbetet një mundësi potenciale e zgjerimit të portofolit tonë.
Si e parashikoni ecurinë për vitin 2016? Cila është e ardhmja e këtij tregu? Cila është strategjia që ju po ndiqni?
Gjatë 6–mujorit të parë të 2016-s, kemi vëne re një rritje të kërkesës për financim, kryesisht nga shoqëritë e ‘rent a car’. Kjo lidhet me fillimin e sezonit turistik, dhe rritjen e kërkesës për investim në këtë sektor potencial të ekonomisë së vendit tonë.
Gjithashtu, një trend gjatë 2015-s dhe që ka vijuar kryesisht gjatë 2016, por që mbetet edhe në fokusin e grupit tonë, lidhet me shoqëritë e taksive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit dhe standardit.
Gjatë gjysmës së dytë të vitit, trendi është kryesisht në zgjerimin e flotave në shoqëritë tregtare për të finalizuar skemat e shoqërive, sipas plan-buxheteve vjetore.
Nga viti 2014 deri në 2015, tregu automotiv, ka pasur një rritje rreth 17% dhe ne vlerësojmë që edhe gjatë 2016 do të ketë një rritje por kjo më e moderuar, me rreth 5%. Bazuar në këto ritme, duke marrë parasysh skemat dhe politikat e financimit, ne vlerësojmë një rritje prej rreth 15% për Porsche Leasing, me fokus kryesor ruajtjen e pozicionit tonë në tregun financiar.
Projektet për këtë vit dhe në vijim kanë në fokus inovacionin dhe teknologjinë, automatizim të proceseve dhe lehtësi të procedurave për klientët tanë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.