Tregu i letrave me vlerë ka pësuar rënie sa i takon vlerës së transaksioneve në total ashtu edhe numrit të tyre. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raportoi se në vitin 2019 në vlerë absolute dy grupet kanë pasure ecuri më të dobët se viti 2018. Kështu rritja në transaksionet e llojit B që janë shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar nuk kanë mundur të amortizojnë plotësisht rënien në transaksionet e llojit C që janë blerje para afatit të maturimit.
“Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë vitit 2019, ka pasur një rritje prej 458 milionë lekë ose 8.85% krahasuar me vitin 2018. Ndërkohë numri i transaksioneve është ulur në masën 16.55%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë vitit 2019, ka pasur ulje prej 735 milionë lekë ose 22.52% dhe gjithashtu, një ulje në numrin e transaksioneve në masën 9.29%, krahasuar me një vit më parë.
Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 277 milionë lekë, krahasuar me vitin 2018” raportoi AMF.
Referuar të dhënave volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2019 u dominua në masën 53,92% në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 46.08% nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i përket numrit të transaksioneve, 87.42% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.
“Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2019 flasin për një dominim të transaksioneve “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” dhe “Blerje në tregun primar” përkatësisht me 42.69% dhe 38.56% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, për vitin 2019 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.20% të të gjitha transaksioneve në këtë treg” nënvizon AMF.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.