Një anketim i këtij viti në 400 biznese në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor i realizuar nga Forumi Rajonal i Dhomave të Tregtisë në WB6 CIF) gjeti se, 73% e kompanive të intervistuara përballen me probleme tregtare lidhur me masat jo tarifore në tregtinë ndër rajonalë.
Barrierat kryesore jo-tarifore janë: Rregullat e origjinës, barrierat teknike për tregti, dhe masa që lidhen me eksportin.
76% e kompanive të intervistuara pohuan se përballen me probleme në lidhje me administrimin dhe procedurat në dogana.
Shumica e tyre raportuan mungesë informacioni në dispozicion të publikut, probleme me formalitetet që lidhen me importin, eksportin dhe tranzitin, probleme që lidhen me zhdoganimin e mallrave dhe problemet me tarifat dhe gjobat e vendosura në lidhje me tregtinë.
Për funksionimin e Tregut Rajonal, kompanitë ngritën çështjen e standardeve unike si një nga çështjet më të rëndësishme për krijimin e një tregu rajonal.
Gjithashtu pengesa e dytë më e madhe shihet marrja së lejeve të punës për punonjës që kërkojnë të angazhohen në vende të tjera të Rajonit.
70% e kompanive të intervistuara janë të angazhuara në tregtinë e jashtme dhe rreth 5% e kompanive janë të interesuara për tregti, por raportojnë barrierat në tregti.
Në kuadër të nismës për krijimin e tregut Rajonal, dhomat e tregtisë, nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Serbia kanë formuar një forum të përbashkët për të paraqitur në mënyrë të njehsuar problematikat dhe kërkesat e biznesit në kuadër të këtij procesi.
Forumi i përbashkët përfaqëson rreth 350,000 kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe ka për mision bashkëpunimin e komunitetit të biznesit brenda Rajonit për të lehtësuar pengesat e mbetura për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në tregjet e rajonit të BB.
Bizneset në të gjithë rajonin përveç barrierave tregtare, kanë vlerësuar si problematike kohën e gjatë në proceset e përpunimit të mallrave në dogana. Koha e pritjes është vënë në monitorim nëpërmjet buletini të përditshëm për minutat që harxhon një kamion në doganat hyrëse.
Forumi Rajonal i dhomave të Tregtisë gjithashtu ofron asistencë dhe ndihmesë për kompanitë e Rajonit që duan të futen në tregjet e BE-së. Dy platforma online po zhvillohen për këtë qëllim. Njëra është “platforma e aksesit në tregje” e cila do të ketë të dhëna furnizuesit e dyta është “Platforma e inteligjencës së Tregut”.
Gjatë këtij viti më shumë se 2000 kompani në Rajon do të listohen si furnizues të mundshëm dhe përfshijnë sektorë që nga industria e lehtë, industria automobilistike, biznese që aplikojnë ekonomin qarkulluese dhe agro-ushqimi./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.