Intervistë me Erjon Taçe, drejtor i Departamentit të Thesarit në OTP Bank Albania
Erjon Taçe, drejtor i Departamentit të Thesarit në Bankën OTP Albania, thotë për revistën “Monitor”, se kërkesa dhe oferta për euro në tregun valutor në gjysmën e dytë të vitit 2020 ka qenë e balancuar, gjë që ka përcaktuar një kurs të qëndrueshëm mes monedhës europiane dhe Lekut.
Z. Taçe shton se prania e Bankës së Shqipërisë, si rregullator i luhatjeve të forta dhe të pajustifikuara nga faktorët fondamentalë, luan rol pozitiv psikologjik në tregun e brendshëm valutor. Sipas tij, tregu valutor në Shqipëri ka provuar se i përthith shpejt luhatjet, ndaj mendon se kursi do të jetë i qëndrueshëm në vitin 2021, por, presionet mund të jenë më shumë në kahun e një mbiçmimi të lehtë të Lekut.
Si e vlerësoni ecurinë e kursit të këmbimit Euro-Lek vitin e kaluar? Pse, në gjykimin tuaj, kriza nuk solli nënçmim të monedhës vendase në kursin e këmbimit me Euron? Cilët ishin faktorët që amortizuan efektin e krizës në kursin e këmbimit valutor?
Që të japim një analizë të saktë, duhet ta ndajmë vlerësimin për gjysmën e parë dhe gjysmën e dytë të vitit, disi të shkëputura nga njëra-tjetra.
Muajt e parë të vitit lidhen me fillimin e pandemisë dhe pikëpyetjet e shumta mbi të, si dhe sollën me vete pasiguritë që lidheshin me situatën e re. Në këtë kontekst, tregu valutor reagoi, duke reflektuar zhbalancime të kërkesë-ofertës në treg. U pa që raporti EUR/ALL pati një sjellje tipike për pasigurinë: rritje të kursit, e pambështetur me vëllimet e duhura; dhe kjo dëshmohet qartazi në zgjerimin e ‘spread-ve bid-ask’ në treg. Ishte ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë që solli kursin në nivelet e mbështetura nga faktorët fondamentalë dhe normalizimin e tregtimit.
Në gjysmën e dytë të vitit, ecuria ka qenë e qetë, si rrjedhojë kërkesa dhe oferta për valutë të huaj ka qenë në përgjithësi e baraspeshuar. Tregu valutor ka pasur luhatje relativisht të vogla. Hapja graduale e ekonomisë dhe rifillimi i rutinës së biznesit ka shuar më së shumti pikëpyetjet mbi pasigurinë në vazhdimin e vitit, e mbështetur edhe nga ideja që Banka e Shqipërisë do të ishte “mbas derës”, e gatshme për të siguruar që kursi të vijonte rrjedhën normale të ekonomisë larg “goditjeve” afatshkurtra. Megjithatë, gjatë sezonit veror 2020, kursi EUR/ALL është luhatur në nivele më të larta sesa në sezonin 2019, duke shprehur qartë një rënie të prurjeve nga turizmi i huaj, i cili edhe u zëvendësua deri diku me turizëm vendas.
Luhatjet afatshkurtra në tregun valutor janë dëshmuar se përthithen lehtë nga tregu. Ndërkohë, sistemi financiar nuk pësoi tronditje (përkundrazi, bankat qëndruan të hapura duke u ofruar klientëve të gjithë diapazonin e shërbimeve si në një kohë normale). Duke u nisur nga historiku i ecurisë së kursit të këmbimit në Shqipëri, pikërisht kjo situatë e qëndrueshme e institucioneve financiare ka bërë më së shumti që kursi i këmbimit të jetë (i lirë), i stabilizuar në rrjedhën e vet dhe në linjë me faktorët (ekonomikë) fondamentalë.
Në muajin dhjetor, Euro ra në nivele edhe më të ulëta se në sezonin veror në kursin e këmbimit me Lekun. Cilat ishin shkaqet?
Dhjetori, ashtu si muajt e tjerë të vitit, në përgjithësi ka një sjellje sezonale. Kjo lidhet me një zhvendosje të përkohshme të kërkesë-ofertës në treg, si p.sh. një porosi e avancuar nga entitete tregtare, një kontratë që duhet të mbyllet para fundit të vitit, e kështu me radhë. Këtu duhet të përmenden edhe pritshmëritë e agjentëve ekonomikë. Është një dukuri e parë edhe në vitet e kaluara: diku me luhatje më të lartë dhe diku më e zbutur, diku në kohë më të shkurtër (3-4 ditë) dhe diku më e shtrirë në kohë (1-2 javë). Dhjetori i 2020-s pati luhatjen sezonale më të ulët në disa vite.
Leku është mbiçmuar ndjeshëm në muajt e fundit të vitit të kaluar në kursin e këmbimit me Dollarin Amerikan. Pse ka ndodhur kjo?
Kur flasim për kursin valutor të Lekut, duhet të kemi parasysh një fakt: Leku nuk është një monedhë që tregtohet lirisht në gjithë botën. Leku mbetet një monedhë lokale. Gjithashtu edhe lokalisht (në Shqipëri), tregtimi i Lekut bëhet në shkallën më të madhe për arsye ekonomike. Faktorët që e ndikojnë janë faktorët ekonomikë, kontratë biznesi etj.
Tregtia (e huaj) në Shqipëri bazohet, në pjesën më të madhe, në kontrata që lidhen në monedhën EUR. Është pikërisht kursi EUR/ALL ai që tregon nivelin e Lekut. Kursi i Lekut kundrejt monedhave të tjera si USD, GBP, CHF etj., reflekton thjesht zhvillimet në tregje të huaja.
E thënë ndryshe, vëllimet dominuese të këmbimit valutor të Lekut janë kundrejt monedhës EUR. Në këtë kontekst, ecuria e kursit të USD /ALL është kryesisht reflektimi i ecurisë së kursit EUR/USD në tregjet botërore dhe nuk lidhet me faktorë ekonomiko-financiarë të tregut tonë. Forcimi i Lekut kundrejt Dollarit Amerikan, të cilit i referoheni në pyetje, është rrjedhojë e dobësimit të Dollarit Amerikan kundrejt monedhës europiane EUR në tregun botëror.
Si e parashikoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe valutat kryesore të huaja në vitin 2021?
Viti 2021 konsiderohet si viti i korrigjimit në ekonomi, duke marrë në konsideratë edhe nxjerrjen e vaksinave për COVID-19. Nëse ecuria e pandemisë do të vijë në venitje dhe aktiviteti ekonomik në rritje, mendohet që kursi i këmbimit EUR/ALL do të ndjekë lirisht rrjedhën e logjikës ekonomike (baraspeshimin e kërkesë – ofertës). Presionet mendohen të jenë më shumë në kahun e poshtëm për arsye të vazhdimit të ecurisë së EUR/ALL në vitet e fundit. Por, nuk priten shumë nivele të ulëta të kursit.
Ndërkohë në kahun e sipërm, presionet pritet të jenë më të pakta, nuk priten ngritje të shpeshta dhe të vazhdueshme të kursit. Rigjallërimi i aktivitetit ekonomik mund të ketë ndikim të përkohshëm nga rritja e importeve krahasuar me 2020-n (si p.sh. një rritje e konsumit, blerje makinerish për investime të reja etj.). Por, janë luhatje që absorbohen shumë shpejt dhe koha ka treguar se këto tejkalohen menjëherë, për të vijuar më tej me një forcim gradual të Lekut në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.