Tregu i qirasë financiare (lizingut) vitin e kaluar arriti vlerën e 9.6 miliardë lekëve ose rreth 80 milionë eurove.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky treg vitin e kaluar shënoi një rritje vjetore me 6.2%. Rritja e tregut të lizingut paraqitet e përmirësuar në raport me nivelet e vitit 2020, kur tregu ishte rritur me vetëm 2.1%. megjithatë, rritja e tregut ende është larg niveleve të para pandemisë. Në vitin 2019, tregu i lizingut ishte rritur me rreth 28%.
Tregu i qirasë financiare vuajti ndjeshëm vitin e parë të pandemisë, për shkak të mbylljes së ekonomisë dhe rënies së ndjeshme të turizmit. Një nga aktivitetet ku lizingu ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët. Vitin e kaluar, turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të u rimëkëmbën ndjeshëm, por efekti në rimëkëmbjen e tregut të lizingut rezultoi vetëm i pjesshëm.
Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve. Portofoli i qirasë financiare, sipas produkteve, dominohet nga financimet për mjete transporti personale (40%) dhe mjete transporti pune (31%).
Megjithatë, në vitet e fundit kompanitë e lizingut po rrisin fokusin edhe në financimin e pajisjeve për prodhimine energjisë së rinovueshme, sidomos të paneleve diellore. Rritja e fortë e çmimeve të energjisë vitin e kaluar ka shtuar sidomos interesin e bizneseve për këto produkte dhe kompanitë e lizingut janë shfaqur mjaft aktive për të promovuar financimin e tyre. Vlerësohet se ky segment i tregut ka dhënë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e tregut të lizingut gjatë vitit 2021.
Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë.
Mekanizmi i lizingut parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit apo pajisjes së financuar. Parapagimi minimal ndryshon në varësi të kushteve që ofron secili institucion financiar, por mund të fillojë nga 10%, deri në 30% të vlerës. Pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë të vlerës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në tregun e qirasë financiare ushtrojnë aktivitet 11 institucione të licencuara për ofrimin e qirasë financiare.
Veç institucioneve financiare të veçanta, ky produkt ofrohet edhe nga disa prej bankave tregtare në vend. Disa prej tyre fillimisht ngritën institucione të veçanta për qiranë financiare, por në vazhdim ato zgjodhën që t’i mbyllnin këto institucione dhe ta përfshinin aktivitetin e lizingut brenda strukturave të bankës, me qëllim kryesisht uljen e kostove të aktivitetit./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.