Tregu i sigurimeve ka shënuar rritje vit pas viti

23/09/2017 4:37 PM 0 komente

Flet Z. Kadri Morina, president i Eurosig

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka pasur një fillim mjaft të vonuar krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe është zhvilluar me karakteristikat dhe historikun e tyre. Ky treg në raport me vendet e tjera, është një treg modest, i përqendruar më së shumti në sigurimin e detyrueshëm.

 

Si do ta vlerësoni ecurinë e kompanisë Eurosig për vitin 2016 dhe periudhën e deritanishme të 2017-s?

Shoqëria EUROSIG, tashmë ka një emër në industrinë e sigurimeve dhe përbën një vlerë të shtuar në këtë industri. Përvoja 13-vjeçare në fushën e sigurimeve, zgjerimi në tregun rajonal të sigurimeve, në Kosovë dhe Maqedoni, jo vetëm i ka konsoliduar këto vlera, por i ka bërë të qëndrueshme dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e shoqërisë.

Shoqëria EUROSIG, edhe gjatë vitit 2016, dëshmoi se mbetet shoqëri e fokusuar tek klienti, shërbimi ndaj tyre, dëmshpërblimi real dhe në kohë i dëmeve. Vlera e dëmeve të paguara është tregues domethënës. Kjo përkujdesje ndaj klientëve është dhe çelësi i suksesit të EUROSIG-ut.

Nga viti në vit, Shoqëria ka arritur të shtojë produktet dhe shërbimet ndaj klientit, duke mundësuar kështu një gamë të gjerë mbulimesh për t’i ardhur në ndihmë atij. Gjithashtu, nga viti në vit, GRUPI EUROSIG ka pasur një rritje relativisht të lartë, veçanërisht vitet e fundit, me zgjerimin e shoqërisë edhe në rajon. Ashtu si viti 2016, krahasuar me vitin 2015, kishte një rritje mjaft pozitive. Gjithashtu viti 2017, deri në muajin shtator, duke u krahasuar me një vit më parë, ka shënuar rritje dyshifrore dhe me përkushtim e profesionalizëm në shërbimet ndaj klientit, pritet të ruajë të njëjtin ritëm deri në përfundim të këtij viti kalendarik.

Filozofia e EUROSIG-ut për orientimin ndaj klientit përbën një qasje që mbart vlera për tani dhe në të ardhmen. Shtrirja e EUROSIG-ut në të gjithë vendin dhe burimet njerëzore të punësuara shtojnë vlerat dhe rrisin mundësitë për suksese në vijimësi. Asetet humane po konsolidohen, duke u shërbyer sfidave të së ardhmes.

Pozicionimi dhe besueshmëria e arritur në tregun e sigurimeve me një rritje të ndjeshme, relativisht të shpejtë, përmirësimi i imazhit të EUROSIG-ut, zgjerimi i rrjetit të shitjes së produkteve, investimet e bëra në teknologjinë e informacionit, kanë ardhur si rezultat i një drejtimi të suksesshëm menaxherial, pune të vazhdueshme nga një staf i kualifikuar, dinamik dhe profesionist i vërtetë në fushat që veprojnë.

Drejtuesit dhe punonjësit e EUROSIG-ut janë të vëmendshëm ndaj kërkesave të klientit, duke ju ofruar atyre produktet më favorite dhe këshillat më të mira.

Performimi i EUROSIG në raport me industrinë dhe historinë e saj, me rritje dhe konsolidim në tregun e sigurimeve, përbëjnë një vlerë që do të ndikojë pozitivisht në ecurinë e shoqërisë në të ardhmen.

 

Cilat janë pikat e forta të kompanisë tuaj?

Kur përmendet EUROSIG, nocioni i parë që ju kalon ndër mend është “kompani sigurimesh”. Me siguri të plotë, mund t’ju themi që nuk mund të konsiderohet më thjesht një kompani sigurimesh, por një Institucion i Rëndësishëm Sigurimesh.

Të qenët lider në fushën e sigurimeve, bazuar në standarde europiane, që orientohet nga performanca e shtuar, në përputhje me kërkesat e palëve të interesuara, duke u mbështetur në filozofinë e vlerave, profesionalizmit, bazueshmërisë ligjore, reflektimit ndaj kërkesave të klientit dhe fokusimit tek ai.

EUROSIG, në sajë të rezultateve në rritje financiare, ka investuar në blerjen 100 për qind të aksioneve të shoqërisë INSIG. Gjithashtu ka shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë e Maqedoni, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara edhe në këto shtete fqinje. Rezultatet pozitive në rritje kanë ndikuar në konsolidimin e vazhdueshëm të pozicionit të EUROSIG në tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe në rajon.

Gjatë trembëdhjetë viteve të veprimtarisë së EUROSIG, kemi treguar se jemi gjithmonë me vizion, kemi identifikuar vazhdimisht mundësi të reja, duke ecur me kërkesat e tregut dhe nevojat e klientëve. Hartimi dhe ofrimi i produkteve novatore, përkujdesja maksimale ndaj klientit, pagesa në kohë e dëmeve ka përmbushur synimin tonë që t’i bëjmë klientët tanë të ndihen të qetë dhe të sigurt, përtej marrëdhënies formale të biznesit.

Megjithëse zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe rajon ishin jo të favorshme, në sajë të strategjisë efektive që zbatuam, kemi kapërcyer me sukses sfidat e tregut të sigurimeve. Duke u paralelizuar me vitet e kaluara, në krahasim me vitin 2015, u rritëm me 13,22%, duke u renditur në vendin e dytë në shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, me 15,63% të tregut.

Qeverisja efektive e shoqërisë, në përputhje me kriteret dhe standardet e përcaktuara në aktet ligjore, nënligjore, rregullatore dhe aktet e brendshme të EUROSIG, ka qenë, është dhe do të jetë prioritet kryesor i punës sonë.

Standardet e larta të arritura nga EUROSIG janë provë e bashkëpunimit të suksesshëm që kemi përforcuar në vite me klientët dhe partnerët tanë, si dhe rezultat i përkushtimit maksimal të Menaxhimit të Lartë, Menaxhimit Operacional dhe të gjithë stafit të EUROSIG.

 

Tregu i sigurimeve mbetet më i ulëti në rajon dhe më pak i zhvilluari. Pse ndodh kjo dhe cilat janë sugjerimet tuaja për të rritur madhësinë e tregut dhe për ta diversifikuar atë? Te cilat shërbime janë potencialet më të larta?

Tregu i sigurimeve është një pjesë tepër e rëndësishme e sistemit financiar në Shqipëri. Me privatizimin nga Shteti dhe blerjen 100% të aksioneve të INSIG nga EUROSIG Sh.a në Maj 2016, u konvertua tërësisht në treg të privatizuar. Në të përfshihen shoqëritë private, të cilat realizojnë procesin e sigurimit të individëve apo bizneseve.

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka pasur një fillim mjaft të vonuar krahasuar me vendet e tjera të rajonit, dhe është zhvilluar me karakteristikat dhe historikun e tyre. Ky treg, në raport me vendet e tjera, është një treg modest i përqendruar më së shumti në sigurimin e detyrueshëm.

Gjatë viteve të fundit është krijuar një bazë juridike që rregullon të drejtat dhe detyrimet ndërmjet të siguruarit dhe shoqërisë siguruese, janë zgjeruar llojet dhe tipet e mbulimit të sigurimit, si dhe janë krijuar kushtet dhe mundësitë e risigurimit me shoqëri të huaja, por edhe vendase, si mjet i domosdoshëm i mbrojtjes së interesave të të siguruarve.

Aktiviteti i siguruesve vazhdon të mbetet i influencuar nga treguesit makroekonomikë, të tillë si rritja ekonomike, papunësia apo të ardhurat reale. Gjithashtu ka një sërë faktorësh të tjerë, disa të lidhur edhe me reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme, të cilët herë ndihmojnë dhe herë vonojnë zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve.

Megjithëse Shqipëria renditet si vendi me primet më të ulëta në rajon, tregu i sigurimeve ka shënuar rritje vit pas viti, ndërkohë që në rajon ky treg, në disa vende, ka qëndruar në të njëjtin nivel dhe në disa vende ka pësuar edhe një rënie të lehtë.

Aktualisht, përqindjen më të lartë në treg e zë sigurimi i detyrueshëm, por qëllimi dhe qasja e EUROSIG është drejt balancimit me sigurimin vullnetar.

Qëllimi i Shoqërisë EUROSIG ka qenë dhe mbetet puna në ekip, menaxhimi efikas, përgjegjshmëria e lartë në shërbimin ndaj klientit. Kjo do të jetë në themel të punës sonë edhe gjatë vitit 2017.

 

Cilat janë planet që keni për të ardhmen në drejtim të zgjerimit, investimeve, produkteve të reja?

GRUPI EUROSIG, vitet e fundit, ka qenë faktor shumë i rëndësishëm me iniciativat e saj në zgjerimin e aktivitetit të saj në Shqipëri dhe në rajon.

Sfidat për vitin 2017 janë të mëdha, ambicioze dhe të arritshme. Ne synojmë të rrisim besimin e klientëve tek Eurosigu, duke mbetur një shoqëri e orientuar nga klienti, një shoqëri që prodhon siguri dhe që mbetet një vlerë e shtuar në industrinë e sigurimeve dhe në shoqërinë shqiptare në tërësi.

Rritja e primeve të shkruara bruto është e konsiderueshme krahasuar me vitin 2016, duke garantuar rritje të kapitalit financiar, të performancës ekonomike, të aftësisë paguese, të rezervave, si dhe duke përsosur sistemin e kontrollit të brendshëm dhe sistemin e menaxhimit të riskut.

Në fundin e vitit 2017, raporti i volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar me volumin e primeve të shkruara bruto në sigurimin e detyrueshëm motorik të jetë në masën 40 me 60.

Shpenzimet për vitin 2017 të mbahen në nivelin 82% e të ardhurave.

Rritja e volumit të dëmeve të paguara, duke synuar vlerësim të drejtë, pagesë të shpejtë, si dhe rritje deri në 26% të raportit të volumit të dëmeve të paguara me volumin e primeve të shkruara bruto, deri në fund të vitit 2017.

Projektimi dhe hedhja në treg e një produkti të ri brenda vitit 2017.

 

Objektivat specifike:

  • Segmentimi i klientëve, duke u përqendruar te produktet vullnetare, nëpërmjet burimeve njerëzore me formimin e duhur profesional, kombinuar me një marketing bindës.
  • Zbatimi rigoroz i politikave dhe procedurave për marrjen në sigurim dhe risigurimin, me bazë riskun.
  • Hartimi i një sistemi të Teknologjisë së Informacionit funksional dhe bashkëkohor për të gjitha shërbimet e shoqërisë.
  • Ideimi dhe hedhja në treg e produkteve të reja; hedhja në treg e produkteve online, kryesisht atyre të shëndetit; zbatimi i politikave për uljen e produkteve me humbje teknike.
  • Trajnimi i burimeve njerëzore, i kombinuar me trajnime të nivelit të mesëm operacional edhe jashtë Shqipërisë.
  • Vlerësim të drejtë, të shpejtë dhe pagesë të dëmit brenda gjysmës së kohës të përcaktuar në rregullore.
  • Ndjekja e një politike konservative të shpenzimeve në tërësi, veçanërisht e shpenzimeve të përgjithshme.
  • Mbajtja e një gjendjeje të shëndoshë financiare, duke siguruar një aftësi paguese të qëndrueshme, aktive të mjaftueshme në mbulim.
  • Forcimi i auditimit dhe kontrollit të brendshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of