Intervistë me Z. Klaidi Ҫitozi
Drejtor i Përgjithshëm
Shoqëria e sigurimeve Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group
Pavarësisht se jemi një nga tregjet më të pazhvilluara të rajonit, ne si kompani kemi objektivat tona që do të ndihmojnë në përmirësimin e këtij realiteti.
Si do ta vlerësoni ecurinë e kompanisë SIVIG për vitin 2016 dhe periudhën e deritanishme të 2017-s?
Vienna Insurance Group gjatë vitit 2016 dhe 2017 ka qenë e kënaqshme dhe me rritje cilësore të vazhdueshme, duke përmirësuar pozicionin e saj në treg.
Rritjen më të madhe e kemi pasur në linjat e biznesit të sigurimit vullnetar jo motorik. Kjo për arsye të ekspertizës, kapaciteteve siguruese dhe cilësore të risiguruesve tanë, si dhe mbështetjes logjistike know-how të kompanisë mëmë Vienna Insurance Group.
Për vitin e mbyllur financiar 2016, kompania zotëron 15% të tregut të sigurimeve në Shqipëri dhe së bashku me degën e saj në Kosovë ka realizuar një xhiro vjetore prej 25 milionë Euro. Asetet e saj arrijnë një vlerë prej 52 milionë Eurosh. Kompania është e mirëkapitalizuar, e mirërezervuar dhe ka më shumë likuide sesa kërkohet në bazë të ligjeve në fuqi.
-Cilat janë pikat e forta të kompanisë suaj?
Një kompani e mirë ka shumë pika të forta, por do të veçoja:
- Pagesa në kohë dhe me korrektësi e dëmeve, që trajtohen nga ekspertë të mirëfilltë dhe me eksperiencë të gjatë në fushën e sigurimeve.
- Gama e gjerë e produkteve, produktet tailor-made për klientë me kërkesa më komplekse.
- Kapacitete të larta siguruese dhe mbështetja te risiguruesit më me emër në Europë të vlerësuar me A+.
- Rrënjë të forta, kompani sigurimi prej 18 vjetësh në Shqipëri.
- Pjesë e grupit më të madh të sigurimeve në Europën Lindore dhe Qendrore, Vienna Insurance Group.
Tregu i sigurimeve mbetet më i ulëti në rajon dhe më pak i zhvilluari. Pse ndodh kjo dhe cilat janë sugjerimet tuaja për të rritur madhësinë e tregut dhe për ta diversifikuar atë? Te cilat shërbime janë potencialet më të larta?
Megjithëse tregu i sigurimeve po rritet nga viti në vit, përsëri në krahasim me vendet e rajonit mbetet prapa. Aktualisht, shqiptarët shpenzojnë në vit mesatarisht 35 Euro për frymë, rajoni shpenzon nga 50 – 100 Euro për frymë, ndërsa Europa shpenzon rreth 2000 Euro për frymë. Arsyet e kësaj situate janë disa, por do të theksoja mungesën e kulturës në sigurime, gjendjen e përgjithshme ekonomike, si dhe mungesën e besimit te kompanitë e sigurimit. Të gjithë individët dhe bizneset duhet të mendojnë të sigurojnë shëndetin, jetën, pronën, biznesin, me qëllim që të përballojnë çdo të papritur në të ardhmen dhe të ruajnë të njëjtin nivel jetese dhe vazhdimësie, pavarësisht rreziqeve të ndryshme që sjell jeta. Në këtë kuadër, roli i autoriteteve mbikëqyrëse të tregut është vendimtar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të siguruesve në treg, transparencës së tyre kundrejt palëve të interesuara, si dhe mbrojtjes së konsumatorit, me qëllim rritjen e besimit të tyre në këtë treg.
Cilat janë planet që keni për të ardhmen në drejtim të zgjerimit, investimeve, produkteve të reja?
Pavarësisht se jemi një nga tregjet më të pazhvilluara të rajonit, ne si kompani kemi objektivat tona që do të ndihmojnë në përmirësimin e këtij realiteti. Në këtë kuadër, së pari po investojmë në rritjen e cilësive të burimeve njerëzore, trajnimit të tyre brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet seminareve të VIG Academy si dhe “Job rotation” në Vienna Insurance Group. Së dyti, po investojmë në software bashkëkohore dhe në teknologji të informacionit. Së treti, po investojmë në informimin, ndërgjegjësimin e individëve dhe bizneseve rreth produkteve tona dhe rëndësinë e të qenët të siguruar.
Të gjitha këto i bëjmë në funksion të klientëve tanë, që të kemi mundësi në çdo moment t’u ofrojmë produkte dhe shërbime të standardeve europiane, si dhe të ndihen të sigurt që ne i mbajmë premtimet tona, siç është dhe slogani ynë prej vitesh, “Besimi juaj, detyrimi ynë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.