Ku ngjan dhe ku ndryshon tregu i sigurimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës? Pse funksionon sistemi bonus-malus në Kosovë dhe pse tregu del me humbje? Flasin për “Monitor” drejtuesit e kompanive shqiptare që kanë degë në Kosovë
Nëse ka një treg që është i integruar si një shtet i vetëm Shqipëri-Kosovë, është tregu i sigurimeve. Shtetasit e Kosovës që vizitojnë Shqipërinë dhe ata nga Shqipëria në Kosovë nuk kanë nevojë për asnjë sigurim motorik shtesë, si karton jeshil apo policë kufitare, por vlen polica e sigurimit të brendshëm.
Mes Byrove të Sigurimeve të Shqipërisë dhe Kosovës ka marrëveshje për trajtimin e dëmeve dhe në këtë mënyrë është mundësuar liria e lëvizjes së automjeteve pa polica shtesë sigurimi. Guvernatori i Bankës së Kosovës, që mbikëqyr edhe tregun e sigurimeve, thotë se kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguajnë edhe për dëmet që shkaktohen nga aksidentet në Shqipëri. Sipas tij, vetëm vitin e kaluar janë paguar mbi 400 mijë euro nga kompanitë e sigurimeve për aksidentet në Shqipëri.
Tregu i sigurimeve në Kosovë ka ndjekur një trend të ngjashëm me atë të Shqipërisë sa i përket numrit relativisht të madh të shoqërive të sigurimit, 13 në total, për një treg që nuk gjeneron më shumë se 87 milionë euro në vit. I fokusuar gjithashtu te sigurimet e detyrueshme motorike, vetëm vitet e fundit tregu i sigurimeve në Kosovë po zgjerohet drejt sigurimeve vullnetare e në mënyrë të veçantë nëpërmjet kompanive me kapital nga vendet e Bashkimit Evropian.
Një ndryshimi i rëndësishëm është çështja e kartonit jeshil, për të cilin Banka Qendrore e Kosovës po shikon modalitetet për ta përfshirë Kosovën në Marrëveshjen e Kartonit Jeshil (të Gjelbër), në mënyrë që diaspora të gjejë mbulesë siguruese brenda policave siguruese nga vendi i origjinës e jo të ketë pagesë shtesë për sigurim veturash.
Profili i tregut, vijojnë humbjet
Ndryshe nga tregu shqiptar, tregu i sigurimeve në Kosovë ka rezultate financiare negative dhe për vitin e fundit, humbja neto ishte 2.8 milionë euro. Kjo pasi nga 87 milionë euro prime, më shumë se 45 milionë euro janë paguar për dëmet, ndërkohë që 44.6 milionë euro kanë qenë shpenzimet.
Në total, i gjithë tregu ka 193.9 milionë euro asete, ku vlera e primeve të shkruara (bruto) ishte 99.2 milionë, prej të cilave pjesën dërrmuese e zë tregu i jo-jetës dhe 3.5 milionë sigurimet e jetës. Edhe në Kosovë, pjesa kryesore e sigurimeve që paguajnë shtetasit shkon për sigurimin e makinave me rreth 51.2 milionë euro, nga të cilat për dëme janë paguar rreth 29.5 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Banka Qendrore e Kosovës.
Siguruesit veprimtarinë e tyre e ushtrojnë përmes 74 degëve, 427 zyrave dhe 94 agjentëve të jashtëm brenda territorit të vendit. Gjatë vitit 2018, kemi ngushtim të rrjetit të përgjithshëm të siguruesve në vend, gjë që reflekton strategjinë e zvogëlimit të shpenzimeve të ndjekur nga siguruesit. Rënia e numrit të agjentëve ndër të tjera reflekton edhe faktin, që nga hyrja në fuqi e rregullores për licencimin e ndërmjetësuesve në sigurime, agjentët e brendshëm të siguruesve nuk janë më subjekt i miratimit të BQK-së.
Shpërndarja gjeografike e rrjetit të siguruesve përfshin pothuajse të gjithë territorin e vendit, megjithatë nuk përputhet me shpërndarjen gjeografike të popullsisë. Ndërsa përqendrimi më i madh i popullsisë është në rajonin e Prishtinës (28.0 për qind), përqendrimi i rrjetit të siguruesve është në rajonin e Pejës, që është një nga rajonet më pak të populluara në vend dhe kjo strukturë është konsistente gjatë pesë viteve të fundit.
Sa i përket pronësisë, ndarja është gjysmë për gjysmë mes kapitalit vendas dhe kapitalit të huaj, ku sigurisht pjesa kryesore janë kompani sigurimi që kanë ardhur nga Shqipëria dhe më pas janë blerë nga investitorët austriakë si “Uniqa” dhe “Vienna Insurance Group”.
Hyrja e parë në treg ishte nga INSIG Kosova, që u themelua në vitin 2002 nga INSIG Shqipëri, e cila zotërohej në ato vite në 100 për qind të kuotave nga shteti shqiptar dhe konkretisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në vitin 2016 u bë edhe privatizimi i plotë i INSIG sh.a nga kompania Eurosig sh.a., çka bëri që nën kompaninë privatizuese të kalonin edhe degët në Kosovë dhe Maqedoni.
SIGAL UNIQA Group AUSTRIA Kosova u krijua në vitin 2003 duke shënuar zbatimin e strategjisë për ndërkombëtarizim të aktivitetit sigurues të SIGAL sh.a përmes blerjes së një shoqërie ekzistuese sigurimi. SIGAL Kosova u licencua nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës si kompani jo-jetë për sigurime të përgjithshme. SIGAL UNIQA Group AUSTRIA Kosova është kompania e dytë më e madhe e sigurimeve në Kosovë dhe zotëron mesatarisht 11.63% të volumit të përgjithshëm të primeve. SIGAL UNIQA Kosova ka shtrirë shërbimin e saj si për nga numri i produkteve që ofron, ashtu edhe gjeografikisht përmes dhjetëra degëve dhe agjencive të veta në gjithë Kosovën.
Në shtator të vitit 2007, Sigma u bë anëtare e Vienna Insurance Group me blerjen e 75% plus 1 aksion të kapitalit të SIGMA-s nga TBIH – Shërbimet Financiare grup N.V në të cilën Vienna Insurance Group ka shumicën e aksioneve.
Eurosig në vitin 2014 është shtrirë edhe në Kosovë duke e blerë kompaninë e sigurimeve “Dardania” dhe privatizimi më 2016 i INSIG (VKM e datës 23 mars 2016), ka sjellë zgjerimin e veprimtarisë së Eurosig në fushën e sigurimeve dhe në Kosovë e Maqedoni. Por vitin e kaluar, Bordi Ekzekutiv i BQK-se mori vendim për revokim të licencës së kompanisë së sigurimeve të SH.A. “Insig” Dega në Kosovë.
Banka Qendrore ka treguar se revokimi i licencës së Kompanisë së Sigurimit “Insig” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sipas BQK, sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend.
“Në vitet e fundit, kemi një përshpejtim të rritjes së aktivitetit pothuajse në të gjithë komponentët e sistemit financiar, përderisa edhe treguesit e performancës dhe qëndrueshmërisë kanë shënuar përmirësim të mëtejmë.
Për sa i përket sektorit të sigurimeve në veçanti, aktiviteti i këtij sektori po vazhdon të rritet, ndërsa masat rregullative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së kanë rezultuar në një performancë financiare pozitive të këtij sektori, pas një periudhe mjaft të gjatë me humbje.
Prandaj, ne zotohemi që do të vazhdojmë me ndërmarrjen e të gjitha masave që parashikon ligji, në mënyrë që në tregun tonë të lejojmë operimin e vetëm atyre institucioneve financiare që janë të afta t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit, si dhe t’i kontribuojnë fuqizimit të mëtejmë të stabilitetit financiar”, thuhet në fund të njoftimin që ka bërë BQK.
Si e rriti BQK primin për sigurimin motorik
Gjatë muajve të fundit të vitit 2019, në Kosovë pati protesta ndaj një vendimi të marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për rritjen e tarifës për sigurimin e automjeteve. Por edhe pas protestave, Banka Qendrore nuk e ndryshoi vendimin dhe guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha para mediave se ata kanë vepruar në bazë të legjislacionit në fuqi. Sipas tij, çmimet e sigurimeve të automjeteve nuk janë ndryshuar që nga viti 2001.
“Bordi ekzekutiv ka marrë një vendim për tarifat e sigurimeve. Çmimet aktuale të sigurimit kanë mbetur pa u ndryshuar nga viti 2001, edhe pse është kërkesë ligjore që çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave”, tha ai. Mehmeti ka thënë se ata kanë refuzuar kërkesat e kompanive të sigurimeve që tarifat të rriten për 36 për qind.
“Me rishikimin e tarifave që e kemi bërë këtë vit, ne e kemi shmangur një shkelje ligjore. E gjithë kjo, me qëllimin më të mirë, që sektori i sigurimeve të ketë një qëndrim financiar. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme nga kompanitë e sigurimeve, të cilat kanë kërkuar që tarifa të rritet për 36 për qind. Ne e kemi refuzuar atë. Në vitin 2001 nuk kemi pasur obligime për automjetet që aksidentohen në Shqipëri. Tani dëmet që shkaktohen në Shqipëri paguhen këtu. Vetëm në vitin 2018 janë paguar 420 mije euro për automjetet tona që janë aksidentuar në Shqipëri”, tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.