Për dy muajt e parë të vitit 2020 tregu i sigurimeve ka shënuar rritje dy shifrore ndërkohë që dëmet për shkak të tërmetit janë paguar më shumë se dyfishi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo situatë duhet theksuar se është para fillimit të masave të karantinës dhe kufizimit të lëvizjeve për shkak të koronavirusit çka pritet të ngadalësojë ndjeshëm tregun e sigurimeve për muajt mars e në vijim për shkak të moslëvizjes së shumicës së mjeteve dhe bllokimit të një pjese të konsiderueshme të biznesit apo dhe rënies së sigurimeve të shëndetit dhe në udhëtim për shkak të pandemisë.
Tregu i sigurimeve ka paguar dy herë më shumë dëme për periudhën janar – shkurt 2020 krahasuar me një vit më parë si pasojë e dëmeve nga tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të vitit të kaluar. Të dhënat zyyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se gjatë periudhës janar – shkurt 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,741 milionë lekë, ose 109.88% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2019.Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës me rreth 1,043 milionë lekë, apo 59.91% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – shkurt 2020 kapën vlerën mbi 2 miliardë e 656 milionë lekë, ose 12.12% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2019. Gjatë periudhës janar – shkurt 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 191,846 me një rritje prej 8.11% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2019.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.61% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.39%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.12% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.88% të totalit të tregut.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimittë detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar – shkurt 2020 arritën rreth 1 miliardë e 643 milionë lekë, ose 8.11% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2019.
Produkti MTPL e brendshme në periudhën janar – shkurt, pati një rritje prej 7.14% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 8.85% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2019.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar – shkurt pati një rritje prej 12.43% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 21.30% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2019.
Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar – shkurt, pati një rritje17.60% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – shkurt 2019. Edhe numri i kontratave u rritme 16.81%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – shkurt 2020 arritën rreth 1,012 milionë lekë, 19.31% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 3.70% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2019.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – shkurt 2020, patën rritje me 23.10% kundrejt periudhës janar – shkurt 2019.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – shkurt 2020 siguruan mbi 496 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 60.37%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjesisë së përgjithshme më 29.34% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – shkurt 2020, vihet re një rritje prej 4.54% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 15.73% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – shkurt 2019.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar – shkurt 2020, arritën në rreth 194 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 8.05% në krahasim me periudhën janar – shkurt 2019.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – shkurt 2020, arritën rreth 170 milionë lekë, ose 6.00% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.