Tregu i tabletëve vijon të përfitojë nga pandemia. Nevoja për ekrane më të mëdha se ai i një smartphone për të punuar dhe për të ndjekur mësimin online, por edhe nevoja për t’u argëtuar në shtëpi, ka rritur në mënyrë të ndjeshme dërgesat në botë për tabletë, që në tremujorin e tretë regjistruan rritje me 24,9% në 47,6 milionë njësi.
Këto të dhëna u publikuan nga analistët e IDC, të cilat shfaqin ecurinë e mirë të Samsung, Lenovo e Huawei.
Në vend të parë qëndron Apple. Në periudhën korrik-shtator u dërguan 13,9 milionë iPad, me një rritje 17,4%, më e ulët se mesatarja e tregut.
Samsung lë pas Amazon dhe fiton pozicionin e dytë, falë rritjes me 89,2% në 9,4 milionë njësi. Amazon zbret në vend të tretë, me një rënie me 1,2% në 5,4 milionë njësi.
Jashtë podiumit, por me një ecuri të mirë, qëndron Huawei, e cila pavarësisht sanksioneve nga SHBA rritet edhe jashtë Kinës. Kompania me seli në Shenzen e mbylli tremujorin me 4,9 milionë tabletë të dërguar, me rritje 32,9%. Në vend të pestë, Lenovo. Kompania shënoi rritje me 62,4%, në 4,1 milionë njësi.
Shoqëria e kërkimit zbuloi se konsumatorët po shpenzojnë më shumë në teknologji se në restorante, argëtim apo udhëtime. Pesë kompanitë e para kanë dërguar 37,6 milionë tabletë në të gjithë botën nga një total prej 47,6 milionë dërgesash.
Burimi: IDC