Seanca dëgjimore në Kuvend: Operatorët ankohen të gjithë për dështimin e AKEP-it në rregullimin e tregut…
Problematikat e tregut të telefonisë celulare (mbyllja e tregut, penetrimi absurd, pozita dominuese e operatorit kryesor, subvencionimet mes operatorëve), të cilat nuk kanë marrë një përgjigje nga autoriteti rregullator, AKEP, kanë detyruar Kuvendin e Shqipërisë, që është dhe mbikëqyrësi i autoriteteve rregullatore në këtë fushë të thërrasë javën e kaluar në një seancë dëgjimore të gjithë aktorët e tregut.
Gjatë kësaj seance, përfaqësuesit e kompanive Plus dhe Eagle Mobile, të cilët e morën fjalën në fillim, evidentuan se tregu ka mungesë konkurrence, pasi operatorët e mëdhenj përdorin mekanizma që e cenojnë atë.
Matilda Shehu, zëvendësdrejtore e përgjithshme e kompanisë celulare Plus, tha se për kompaninë, shqetësim mbetet rregullimi i tregut. “Në treg ka dominancë, që nuk duhet të lejohet, sepse sjell abuzim. Operatorët më të mëdhenj përdorin mekanizma për të mbajtur abonentët brenda rrjetit, nëpërmjet tarifave shumë të ulëta krahasuar me tarifat jashtë rrjetit”.
Shqetësimi i dytë, që ajo solli, lidhet me rregullimin e tarifave të shumicës.
Së treti, një çështje tjetër problematike mbetet mosdhënia e licencës së fundit 3G. Ajo kërkoi që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, siç është vepruar me operatorët e tjerë. Problemi i katërt, sipas Shehut, lidhet me derregullimin e trafikut hyrës ndërkombëtar në Shqipëri, që nga viti 2012. Shehu sqaroi më pas se janë 650 milionë minuta për thirrje hyrëse në Shqipëri nga trafiku ndërkombëtar, që përbëjnë 40% të të ardhurave të tregut të telefonisë. Si i tillë ky treg nuk mund të lihet i pambikëqyrur. Dy operatorët e mëdhenj kanë bërë marrëveshje preferenciale vetëm me operatorin e tretë, duke i lejuar transitimin e minutave hyrëse ndërkombëtare nëpërmjet Eagle Mobile, të cilit ia shesin me 6 lekë për minutë si thirrje kombëtare, ndërkohë që ky i fundit përfiton nga çmimi i thirrjeve hyrëse ndërkombëtare 25 lekë për minutë, duke siguruar kështu një fitim të konsiderueshëm vetëm për tranzitimin. “Plus nuk ka qenë e pranuar në këto negociata”, tha Shehu, duke shtuar se për këtë problem, ata i kanë drejtuar një ankesë Autoritetit të Konkurrencës.
Edhe drejtori ekzekutiv i Albtelecom/Eagle, Erkan Tabak, konfirmoi shqetësimet e operatorit Plus dhe u përqendrua në fjalën e tij në rëndësinë e rregullimeve në këtë treg.
“Në komunikacion, tregu të detyron të ndërveprosh me operatorë të tjerë. P.sh., nëse kur ble një makinë e përdor vetë, kur ble shërbimin e telekomunikacionit je i detyruar të komunikosh me operatorët e tjerë. Ndaj është e domosdoshme që tregu të rregullohet siç duhet. Nëse tregu nuk rregullohet siç duhet për operatorët e vegjël është matematikisht e pamundur të mbijetojnë”, tha ai. Sipas tij, rregullimet duhet të bëhen duke u nisur nga praktikat më të mira të Bashkimit Europian për rregullime të tregjeve që kanë qenë në situatë të ngjashme me atë të Shqipërisë.
Z. Tabak tha se ata ngulin këmbë për dy rregullime kryesore:
“Të vendoset rregulli i mosdiskriminimit të brendshëm. Një operator nuk mund të vendosë tarifa brenda rrjetit më të ulëta se tarifat e terminimit në rrjetin e vet, kjo quhet shitje nën kosto dhe krijon diskriminim.
Pika e dytë që kërkojmë është vendosja e një çmimi tavan për thirrjet jashtë rrjetit. Kompanitë ndërkombëtare po krijojnë tarifa grupi edhe për thirrjet ndërkombëtare brenda grupit”, – tha z. Tabak.
Së treti, z. Tabak tha se vendi ka tarifa të larta të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare, që sipas tij ndikon negativisht në ekonominë e Shqipërisë, pasi vendi humbet TVSH që do merrte, del valuta jashtë vendit, dëmtohet konkurrenca dhe kjo çon në një rritje të çmimeve të pakicës.
Drejtori i përgjithshëm i AMC-së, Dimitrios Blatsios, vuri në dukje investimet e kompanisë: “Kemi investuar 500 milionë euro në Shqipëri, punësojmë mijëra njerëz. Kërkojmë trajtim të drejtë rregullator, e theksoj të drejtë, jo favorizues”. Ai shtoi se “kemi ndier që në disa raste jemi trajtuar në mënyrë të padrejtë, por kemi respektuar vendimet e marra nga autoritetet përkatëse dhe u jemi bindur rregullave”.
Ai ngriti një problem aktual, që lidhet me metodologjinë e paraqitur nga AKEP në mars të këtij viti, për terminimin e tarifave. Sipas tij, metoda e asimetrisë tarifore favorizon dy operatorët më të vegjël. Sipas z. Blatsios, meqë operatori i katërt është i ri në treg, ka një farë justifikimi për këtë, por për operatorin e tretë nuk ka justifikim.
Drejtori ekzekutiv i Vodafone Albania, Dietlof Z Mare, tha para deputetëve: “Kemi investuar mbi 560 milionë euro në Shqipëri. Vlerësojmë punën e deritanishme të AKEP për rregullimin e tregut. Por, një nga çështjet me të cilat nuk jemi dakord është asimetria e vendosur së fundmi për tarifat e terminimit. Duam që autoritetet të veprojnë në përputhje me rregullimet e BE-së. Tregu i telefonisë celulare është konkurrues. Niveli i penetrimit të telefonisë celulare është shumë i lartë. Numri i operatorëve është i madh për përmasat e tregut. Çmimet kanë ardhur në rënie të vazhdueshme. Ne po punojmë për të përmbushur rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës”.
Z. Mare tha se tregu në Shqipëri është konkurrues, për disa arsye:
-ka penetrim të lartë, ka një numër të lartë operatorësh krahasuar me popullsinë
-të ardhurat e operatorëve kanë qenë nën nivelin e BE-së dhe çmimet në rënie.
Ai shtoi se hetimi i Autoritetit të Konkurrencës ishte i panevojshëm dhe befasues, “por na duhet të pranojmë vendimmarrjen e tij. “Ka disa vendime për të cilat ne nuk kemi qenë dakord, por në momentin që ka dalë, ai ka qenë përfundimtar”.
Lidhur me ankesën e Eagle, ai tha se e gjykojnë të papërshtatshme ngritjen e çështjes në këtë formë për trafikun ndërkombëtar. Sipas tij, është kryer një analizë në vitin 2012 dhe gjykojmë se kjo nuk ndikon negativisht interesin shqiptar, por përkundrazi sjell të ardhura.
Shalsi: Kuvendi ka në plan të parë interesin e konsumatorëve
Eduard Shalsi, kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, tha pas deklarimeve të të katër operatorëve, se “kemi përgjegjësinë që të mbikëqyrim autoritetin rregullator, megjithëse kjo është një çështje mjaft komplekse”. “Ne do të ngulim këmbë në mbrojtjen e konsumatorëve me tarifa e çmime të arsyeshme dhe do të rregullojmë konkurrencën e drejtë, si dhe të krijojmë kushtet për kompanitë për t’u rritur e për t’u zgjeruar”.
Lati e Konkurrencës: Ndërhyrja afatgjatë nuk duhet të lejojë mbylljen e tregut
E gjendur përballë pyetjeve lidhur me vendimin e fundit të Autoritetit të Konkurrencës, ku u konstatua një pozitë dominuese e Vodafone, por jo abuzim me këtë pozitë, çka çoi në mbylljen e hetimit pa gjobë, kreu i këtij autoriteti, Lindita Lati, tha se Autoriteti ka rekomanduar instrumentet që janë zbatuar në 97% të rasteve në BE kur ka pasur problematikë të ngjashme me diferenca mes tarifave brenda dhe jashtë rrjetit.
Lati tha se nga hetimi u konkludua në dy pista. Së pari, tregu i pakicës është i derregulluar. Së dyti, Autoriteti ndërhyn kur firma ka pozitë dominuese. Ajo pranoi se firma më e madhe në treg ka pasur një pozitë dominuese, sepse të gjithë faktorët që japin dominancë e vërtetojnë këtë.
U hulumtua nëse ka abuzim me këtë pozitë, tha Lati. “Diferenca mes tarifave brenda dhe jashtë rrjetit është një debat i gjatë. Nga konsultimi me praktika më të mira pamë nëse këto sjellin shqetësime në treg, a kemi të bëjmë me politika afatshkurta konkurruese, çfarë efektesh ka sjellë në treg”. Lati shtoi se pas analizës u gjykua se në momentin aktual, kjo dinamikë është e ngjashme me tregjet e tjera dhe nëse vazhdon, mund të krijojë probleme.
Ajo shtoi se ka një ndarje të hollë nga eficienca, apo pozita dominuese. “Ndërhyrja afatgjatë nuk duhet të lejojë mbylljen e tregut”, shtoi Lati.
Lati shtoi se kompania Plus ka hedhur në gjyq Autoritetin e Konkurrencës për vendimin e marrë nga kjo e fundit.
“95% e rasteve të ndërhyrjes i drejtohen rregullatorit të tregut (në rastin konkret AKEP) dhe ne zgjodhëm këtë rrugë”, tha ajo.
Lidhur me procedurat e licencës së katërt 3G, Lati shtoi se 3G ka qenë që në fillim një garë e padrejtë. “Ne jemi për një parim të barazisë dhe transparencës mes të gjitha firmave dhe ky duhet të jetë këndvështrimi se si duhet ta shohë AKEP”.
Autoritetet duhet të punojnë ngushtësisht për të parë dhe për të zbatuar praktikat më të mira, përfundoi ajo.
Operatorët përballë deputetëve
Pas deklarimeve të tyre, operatorët e telefonisë celulare u përballën me një sërë pyetjesh nga deputetët, anëtarë të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, gjatë seancës dëgjimore.
Deputeti Genc Ruli u interesua të dinte se si është mekanizmi i vendosjes së çmimeve në paketa.
Drejtori i Vodafone, Dietlof Z Mare, ka pohuar se si gjithë praktikat botërore po shkojmë drejt paketave me bundle ku ofrohet më shumë komunikim.
Ndërsa Matilda Shehu e Plus ka sqaruar se “kombinimi numër shumë i lartë abonentësh, me çmime shumë të ulëta apo falas brenda rrjetit dhe me çmime shumë të larta jashtë rrjetit iu krijon operatorëve të mëdhenj mundësinë e futjes së shumë minutave On-net në paketë dhe abonentët e tyre flasin vetëm me njëri-tjetrin. Operatorët e vegjël, duke qenë se kanë bazë të vogël abonentësh, duhet të bëhen atraktivë duke shtuar më shumë minuta Of-net në bundle, gjë që rrit kostot nëpërmjet interkoneksionit dhe i bën të pamundur të konkurrojnë.
Më pas deputetët u drejtuan pyetje tre operatorëve (Vodafone, AMC, Eagle) se përse çmimet e shërbimit të internetit me 3G janë shumë të larta për konsumatorët. Drejtuesit e tri kompanive dhanë argumentin se shërbimet e të dhënave në të gjithë botën janë të shtrenjta dhe se ata janë fokusuar në cilësinë e shërbimit.
Ndërsa Shehu e Plus tha se “Plus është i vetmi operator shqiptar në treg, që ka kryer investimet për 3G që në vitin 2010 dhe është gati. Është i pamohueshëm fakti se me hyrjen e Plus në treg, ndikimi i tij në uljen e kostove për konsumatorët ka qenë i jashtëzakonshëm dhe sapo të marrim licencën 3G do të ndihet i njëjti efekt në ulje kostosh edhe në këtë shërbim”.
Pyetjes së deputetit Sherefedin Shehut se meqë Vodafone është kundër derregullimit të thirrjeve ndërkombëtare, cili është argumentimi i Vodafone në këtë qëndrim, përfaqësuesit e Vodafone iu përgjigjën, ndër të tjera, se çmimi i lartë ka përfitim për shtetin shqiptar se ka më shumë të ardhura nga operatorët dhe se çmimet e ulëta nuk transferohen automatikisht te shqiptarët jashtë shtetit që kryejnë thirrje drejt Shqipërisë.
Deputeti Agron Duka, duke u nisur nga deklaratat se dy operatorët e mëdhenj përmendën argumentin se kanë investuar në Shqipëri disa qindra milionë, por jo faktin se kanë fituar edhe më shumë nga këto miliona të investuara, kërkoi të dinte se ku kanë shkuar fitimet e 500 milionë eurove që kanë bërë investime në Shqipëri operatorët, si AMC. Drejtori i AMC u përgjigj se “ne bëjmë biznes për të fituar, por fitimet kanë mbetur në Shqipëri, sepse ne investojmë edhe në brand dhe imazh”.
Pyetjes tjetër të deputetëve, se ku i gjejnë fondet që mbulojnë çmimet e ulëta nën kosto për thirrjet brenda rrjetit, ekspertët e Vodafone u përgjigjën se “ne shesim paketa bundle, një praktikë që ndiqet në gjithë botën dhe nuk i kemi nën kosto, këtë e ka analizuar edhe Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e vet”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.