Intervistë me Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing
Tregu i qirasë financiare u prek ndjeshëm nga pandemia vitin e kaluar. Ida Shehu, drejtore e përgjithshme e Raiffeisen Leasing, thotë se ndikimi u ndie në dy sektorë shumë të rëndësishëm për tregun, shërbimin e ofrimit të makinave me qira dhe transportin taksi.
Megjithatë, ajo thotë se këtë vit tregu po shfaq rritje të shpejtë dhe financimet e Raiffeisen Leasing tashmë kanë tejkaluar pritshmëritë për vitin 2021.
Cila ka qenë ecuria e tregut të qirasë financiare në vitin 2020?
Tregu i qirasë financiare është përballur me vështirësi të shumta gjatë pandemisë. Këto vështirësi gjithsesi nuk e vunë për asnjë moment në rrezik vijueshmërinë e aktivitetit. Në fund të vitit, ne arritëm të përmbushim pjesën më të madhe të pritshmërive tona dhe ky vit sfidues tregoi edhe një herë se sa të mirëvendosur jemi në tregun e qirasë financiare.
Sa u ndikua ky treg nga pandemia dhe efektet që ajo solli në ekonominë reale?
Pandemia goditi dy nga sektorët më të rëndësishëm me të cilët leasing operon në tregun shqiptar. I pari është dhënia e makinave me qira. Për shkak se u godit turizmi dhe fluksi i turistëve të huaj dhe rikthimi i emigrantëve u ndalën përfundimisht, pati një rënie drastike të kërkesës për makina të reja, si dhe një përkeqësim të lehtë të performancës së shoqërive që kishin marrë financim me leasing. Sektori i dytë që u godit ndjeshëm ishte shërbimi i transportit taksi. Ndërprerja me orare të gjata e qarkullimit dhe ndërprerja dhe orare të kufizuara, si pasojë e punës nga shtëpia, bëri që nevoja për transport të kufizohej.
Për çfarë qëllimesh dhe produktesh përdoret kryesisht qiraja financiare në Shqipëri? Cilat segmente të tregut u ndikuan më shumë nga kriza dhe cilat u prekën më pak prej saj?
Qiraja financiare përdoret si një formë financimi për mjete të transportit që përdoren nga individët, si makina për nevoja personale dhe familjare, ose nga shoqëritë dhe bizneset për transport të stafit, por edhe transport mallrash. Kjo përbën bazën e punës sonë. Megjithatë, ne si Raiffeisen Leasing kemi një përvojë mjaft të gjerë në financimin e teknologjive të shumëllojshme që përdoren në industrinë apo në shërbimet e ofruara në vendin tonë. Linjat e prodhimit, serverët, sistemet e përpunimit e paketimit në industrinë ushqimore, etj., janë gjithashtu pjesë e punës sonë.
Cilat janë avantazhet e qirasë financiare në raport me kredinë bankare?
Qiraja financiare është një lloj financimi dhe në këtë pikë ka ngjashmëri me kredinë. Megjithatë, ka edhe disa veçori që për ne përbëjnë avantazhe, siç janë miratimi më i shpejtë, për shkak të procedurës me më pak ngarkesë dokumentacioni. Në leasing, si kolateral vendoset mjeti që financohet dhe kjo shkurton koston e hipotekimit apo lënies së pengjeve të tjera. Specifika fiskale e leasing bën që klienti mund të rikuperojë TVSH-në e paguar me këstet mujore, pasi ne lëshojmë faturë TVSH-je për çdo këst dhe klienti mund ta deklarojë në librat e tij, etj.
Në 15 vjet aktivitet, Raiffeisen Leasing ka nënshkruar një numër të përafërt prej 5,200 kontratash me kompani të mëdha, ndërmarrje të vogla ose të mesme, persona fizikë dhe individë, të cilëve ju ka mundësuar financim prej rreth 7,500 mjete. Nga totali i mjeteve të financuar gjatë këtyre 15 viteve, 65% ishin për automjete, 18% për automjete të rënda komerciale, 12% për pajisje dhe 5% për makineri ndërtimi. Gjatë kësaj periudhe, kompania jonë ka financuar rreth 5 mijë vetura.
Si paraqitet ecuria e biznesit gjatë vitit 2021? A ka ndikuar përmirësimi i gjendjes epidemiologjike dhe lehtësimi i disa kufizimeve në ecurinë e biznesit tuaj?
Ka kaluar më shumë se gjysma e vitit dhe mund të themi se në këtë moment kemi kapur dhe tejkaluar parashikimet tona për 2021. Shpresojmë që të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe të mos përjetojmë me bllokimet e vitit 2020.
Shihni potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të tregut të qirasë financiare në Shqipëri? Nëse po, kryesisht në cilat produkte apo segmente të tregut?
Strategjia e biznesit të kompanisë sonë gjatë këtyre viteve ka qenë të rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke ofruar zgjidhje specifike financiare për të mbështetur klientët tanë. Ne do të jemi tërësisht të përkushtuar në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit afatgjatë me klientët dhe koncesionarët tanë dhe do të vazhdojmë në mënyrë aktive t’ju përgjigjemi nevojave të tyre me gamën e produkteve dhe shërbimeve tona.
Objektivat tona kryesore do të jenë rritja e biznesit, përmirësimi i shitjeve të kryqëzuara me të gjithë segmentet e bankës, përmirësimi i vazhdueshëm i produkteve ekzistuese dhe zhvillimi i produkteve të reja, menaxhimi i përshtatshëm i riskut, reduktimi i kostove dhe përmirësimi i eficencës.
Ne shohim shumë potencial në këtë treg, por zhvillimi i tij është i shumanshëm. Nga njëra anë, ka nevojë për rritje të bazës së financueshme të tregut, pasi ende nuk ka rritur potencialin e tij. Por, nga ana tjetër, mund të futen edhe produkte të reja. Një nga këto do të ishte mundësia e financimit të real estate me leasing.
A konstatoni ende probleme të lidhura me trajtimin fiskal të TVSH-së për financimet me leasing? Nëse po, cilat janë problemet kryesore dhe si mund të adresohen ato?
Në procesin e Qirasë Financiare janë të pranishëm tre aktorë kryesorë -klienti, furnizuesi dhe kompania, e cila ofron Qiranë Financiare. Ndryshimet e shpeshta në udhëzimet tatimore për pjesën e TVSH-së krijojnë ndryshime të vazhdueshme bashkëpunimi midis palëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.