Në përmbyllje të punimeve të konferencës “Aspirata për një treg të përbashkët, Shqipëri-Kosovë”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim me Revistën “Monitor” u ra dakord që përveç bashkëpunimit qeveritar të formulohen dhe të vihen në zbatim edhe disa axhenda sektoriale, ku bizneset e dy vendeve të jenë në fokus për të zgjeruar bashkëpunimin konkret.
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se aktualisht është në veprim një axhendë trevjeçare e rënë dakord mes dy qeverive e cila hyn në veprim edhe sipas kërkesave të bizneseve të veçanta. Veçanërisht Shqipëria dhe Kosova janë duke bashkëpunuar në një proces të përbashkët negocimi për marrëveshjet e kuotave me CEFTA dhe OBT.
Ekonomi tha se po hartohen plane për zhvillimin e përbashkët të panaireve me qëllim që bizneset e dy anëve të njohin sektorët që u interesojnë për bashkëpunim nga afër. Ministrja e vuri theksin më shumë se sa tek unifikimi i përbashkët i deklaratave doganore, te lehtësimi i lëvizjes së produkteve të caktuara.
Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se shpesh ndodh që barrierat në dogana apo aspekte të tjera vijnë për shkak se bizneset nuk e kanë informacionin e duhur. Ajo tha se dy shtetet nuk kanë lidhje tradicionale të tregtisë me njëra-tjetrën dhe për të krijuar këto lidhje, ajo sugjeroi që bizneset e Shqipërisë të studiojnë strukturën e importeve të Kosovës, në mënyrë që ata t’i japin tregut ato produkte që sot importohen. Bajrami tha se Kosova ka taksat më të ulëta në rajon dhe bizneset shqiptare janë të mirëpritura për të investuar në sektorin prodhues, në mënyrë që tregu vendas i Kosovës të zëvendësojë disa produkte që sot importohen.
Arian Zeka, drejtor i Odës Amerikanë të Tregtisë në Kosovë, tha se nuk është i kënaqur me dinamikën institucionale të bashkëpunimit dhe konsideroi shumë të rëndësishme krijimin e një platforme të përbashkët për investimet nga dy vendet. Dhomat Amerikane në rajon tashmë e ka një axhendë të tillë. Por ai sugjeroi që të tejkalohen problemet politike duke bërë thirrje që bashkëpunimi të thellohet në aspektin e zgjidhjeve konkrete.
Edmond Leka, Botues i Revistës “Monitor”, e sheh krijimin e tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë si rrjedhojë e një bashkëpunimi dyplanësh: qeveri-qeveri dhe biznes-biznes. Teksa bashkëpunimi në rrafshin qeveritar është i njohur tashmë, Leka propozoi korrelacion më të ngushtë ndërmjet biznesit në rrafshin sektorial. Ai propozoi që të hartohen axhenda të përbashkëta me fokus njohjen e ekonomive përkatëse dhe mundësitë që kanë për bashkëpunim sektorë të veçantë që nga tregtia dhe deri tek sektorët e industrisë dhe financave.
Zëvendësambasadori amerikan i SHBA-së në Tiranë, David Muniz, tha se për t’i shërbyer bashkëpunimit është me rëndësi vijimësia e reformave. Për Shqipërinë, zoti Muniz renditi zbatimin e reformës për drejtësi, e cila do të lehtësonte më tej klimën e biznesit, ndërsa në rrafshin rajonal, ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, si në aspektin politik dhe teknik në shërbim të tregut të përbashkët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.