Tregu rajonal i pagesave, zv/guvernatorja Minxhozi pret homologen malazeze

06/07/2021 4:25 PM 0 komente

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, zhvilloi të martën një takim me një delegacion të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të kryesuar nga zëvendësguvernatorja, Zorica Kalezić.

Qëllimi i këtij takimi lidhej me nismën për krijimin e një tregu të modernizuar rajonal të sistemeve të pagesave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përtej ndërveprimit më efikas në nivel rajonal do të synohet nxitja e procesit të integrimit me Bashkimin Evropian në fushën e pagesave.

Kjo nismë mbështetet nga Bashkimi Evropian, Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal dhe Banka Botërore dhe synon krijimin e një tregu pagesash rajonal bazuar në eksperiencën evropiane të funksionimit të shërbimeve dhe sistemeve të pagesave në nivel ndërkufitar. Synime të tjera të kësaj iniciative janë zbatimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe integrimi i tregjeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, takimi i shërben realizimit të këtij projekti ambicioz, i cili kërkon një bashkërendim të përpjekjeve si në nivel legjislacioni ashtu edhe të zhvillimeve infrastrukturore në fushën e sistemeve të pagesave.

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë bëri një analizë të masave të ndërmarra deri më tani nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në kuadër të modernizimit të tregut të pagesave me vlerë të vogël, bazuar kryesisht në praktikat më të mira evropiane. Këto masa, të konkretizuara në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023), synojnë të promovojnë një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë, atë të nxitjes së përfshirjes financiare dhe përdorimit të instrumenteve elektronike. Në këtë këndvështrim, zj. Minxhozi u shpreh se një nga arritjet kryesore për sa i përket zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) është miratimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Zbatimi i ligjit në praktikë vlerësohet se jo vetëm do të digjitalizojë dhe modernizojë tregun e pagesave por njëkohësisht do të përafrojë dhe kuadrin rregullativ vendas me atë të Bashkimit Evropian për sa i përket integrimit në Tregun Unik të Pagesave në Euro-SEPA.

Përtej arritjeve të deritanishme, gjatë diskutimit vëmendje e veçantë i’u kushtua dhe projekteve të shlyerjes së pagesave në Euro dhe instant payment të cilat vlerësohet se do të jenë nismat kryesore nga pikëpamja e zhvillimeve infrastrukturore për modernizimin e tregut rajonal dhe integrimit të tij. Në mbyllje, të pranishmit pohuan vijimin e diskutimeve në të ardhmen dhe koordinimin e përpjekjeve për arritjen e një përqasjeje të përbashkët dhe sa më efikase për përmbushjen e projekteve të synuara, si në nivel vendimmarrës ashtu edhe në atë teknik.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of