Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) regjistroi rritje për të dytin muaj radhazi në dhjetor 2021.
Sipas Vrojtimit të Besimit të Konsumatorit dhe Biznesit të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 0.9 pikë. Ndonëse treguesi është rritur për të dytin muaj radhazi, ritmet e rritjes kanë qenë më të ngadalta sesa ato të përjetuara gjatë tremujorit të tretëtë vitit të kaluar. Rritja e TNE-së në muajin dhjetor u përcaktua nga përmirësimi i besimit konsumator dhe i besimit në sektorët e industrisë, të shërbimeve dhe të tregtisë. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e ndërtimit ka
pësuar një rënie të dukshme, duke e ngadalësuar rritjen e përgjithshme për muajin e kaluar.
Treguesi i besimit konsumator shënoi një përmirësim prej 1.7 pikë përqindje në muajin dhjetor. Rritja u ndikua nga të gjithë komponentët përbërës të këtij treguesi. Përmirësimet më të dukshme i shënuan blerjet aktuale dhe pritjet për blerjet gjatë muajve të ardhshëm. Gjithashtu, komponentët e pritjeve për situatën financiare dhe situatën ekonomike regjistruan rritje më të lehtë. Nëse treguesit e besimit të konsumatorëve ishin në tërësinë e tyre pozitive, besimi i bizneseve paraqiti një tablo më të përzier.
Kështu, treguesi i besimit të industrisë shënoi rritje prej 1.5 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, rritja që i atribuohet ecurisë pozitive të prodhimit dhe kontratave porositëse në total. Por, nga ana tjetër, balanca për kontratat porositëse nga eksportet pësoi rënie. Në kahun rënës rezultoi edhe treguesi i gjendjes financiare të bizneseve të këtij sektori.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 4.2 pikë përqindje në muajin dhjetor. Kjo rritje u ndikua si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit, ashtu edhe nga ai i kërkesës. Por, edhe në këtë sektor treguesi i gjendjes financiare të bizneseve pësoi rënie.
Treguesi i besimit në tregti shënoi një rritje prej 3.2 pikë përqindje krahasuar me muajin paraardhës. Kjo rritje është ndikuar nga vlerësimet e bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre dhe gjithashtu nga pritjet për nivelin e punësimit.
I vetmi sektor që shfaqi një përkeqësim të dukshëm të treguesve në muajin dhjetor ishte ndërtimi. Treguesi i besimit në ndërtim u ul me 11.7 pikë përqindje, një zhvillim ky në kah të kundërt të tendencës pozitive të muajve të mëparshëm. Rënia e besimit pasqyroi vlerësimin e bizneseve për një nivel më të ulët si të aktivitetit ndërtues, por edhe të porosive aktuale. Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, niveli i besimit në ndërtim qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike.
Të dhënat e deritanishme të Instat tregojnë se ekonomia shqiptare është rritur me afërsisht 10.3% për 9-mujorin e vitit 2021. Megjithë përmirësimin e ndjeshëm të ekonomisë nga pasojat e vitit të parë të pandemisë, tremujori i fundit i vitit të kaluar ka shtuar rreziqet për qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes, të lidhura sidomos me rritjen e inflacionit dhe me variantin e ri të virusit Covid-19.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.