Sektori bankar arriti një fitim neto prej 4.8 miliardë lekësh në tremujorin e parë të vitit, duke dhënë prova të mëtejshme të një ndikimi deri tani mjaft të kufizuar nga kriza.
Statistikat tregojnë se fitimi neto i sistemit, llogaritur sipas standardeve të raportimit të aplikuara nga Banka e Shqipërisë, është rritur me tre herë e gjysmë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, duke u kthyer afërsisht pranë vlerave që ishin regjistruar në vitet 2018 dhe 2019 për këtë periudhë të vitit.
Rritja e rezultatit financiar të sektorit bankar ka ardhur nga përmirësimi i njëkohshëm në zërat kryesorë të të ardhurave dhe nga një ulje e ndjeshme e shpenzimeve për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë. Të dhënat tregojnë se të ardhurat neto nga interesat iu afruan vlerës së 11 miliardë lekëve, me një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një rritje akoma më të mirë shënuan të ardhurat jo nga interesat, që arritën në rreth 3.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 65%. Rritja në këtë zë erdhi falë përmirësimit të të ardhurave nga komisionet dhe të një rezultati më të mirë nga veprimet me instrumentet financiare, kryesisht nga këmbimi valutor.
Paralelisht, sektori bankar në tremujorin e parë uli ndjeshëm edhe shpenzimet për provigjione, që për tremujorin e parë ishin gjithsej 965 milionë lekë, nga rreth 2.7 miliardë lekë që kishin qenë një vit më parë. Këtë tremujor bankat llogaritën më pak shpenzime për humbje të pritshme nga kredisë, faktor ky që sinjalizon prurje më të ulëta të kredive me probleme. Ndërkohë, edhe provigjionet për humbjet nga instrumentet e tjera financiare u përgjysmuan krahasuar me një vit më parë.
Kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të muajit mars ishte në nivelin 11.68%, nga 3.52% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues ka arritur nivele dyshifrore që nga dhjetori 2020, duke dëshmuar një rentabilitet të kënaqshëm për rrethanat në të cilat ndodhet ekonomia, por duke qenë ende larg atyre niveleve që do të lakmonin aksionerët në një kohë normale. Edhe kthimi i mesatarizuar nga aktivet u përmirësua në 1.25%, nga 0.44% që kishte qenë një vit më parë.
Shumica e treguesve dëshmojnë një ecuri të mirë të sektorit bankar edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Kredia paraqitet në rritje, raporti i kredive me probleme është në ulje të lehtë, ndërsa rezultati financiar është fitimprurës. Gjendja e shëndetshme e sektorit dhe pritshmëritë më pozitive për ecurinë e ekonomisë reale gjatë këtij viti bëjnë që bankierët të jenë optimistë se sektori do ta kalojë krizën e pandemisë pa pasoja shumë shqetësuese. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.