Tremujori III, 104 milionë euro më shumë hynë në sektorin bankar

04/11/2020 10:00 AM 0 komente

Sezoni veror historikisht është shoqëruar me rritje të flukseve valutore hyrëse, të lidhura me efektin e turizmit hyrës dhe me kthimin e emigrantëve.

Kjo reflektohet edhe në një tendencë rritëse të depozitave bankare në tërësi dhe të atyre në euro në veçanti. Sezoni veror 2020 nuk ishte një sezon i zakonshëm, por sërish depozitat në euro u rritën në përmasa të konsiderueshme. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave në monedhën europiane për tremujorin e tretë ishte 104 milionë euro.

Kjo rritje është ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin e kaluar, kur rritja kishte qenë gati dy herë e gjysëm më e lartë, por sërish nuk është më e ulëta e viteve të fundit. Për shembull, në tremujorin e tretë 2017, depozitat ishin rritur në vlerën e 62 milionë eurove.

Në strukturën e depozitave, u vërejt një rënie e mëtejshme e depozitave me afat dhe rritje e eurove të mbajtura në depozita pa afat dhe llogari rrjedhëse. Vlera e depozitave me afat ra me 35 milionë euro, ndërsa ato pa afat dhe llogaritë rrjedhëse u zgjeruan me 139 milionë euro.

Kjo është një tendencë disvjeçare, e lidhur me normat shumë të ulëta të interesit të depozitave, por që këtë vit është theksuar edhe më shumë nga pasiguria për të ardhmen dhe nevoja psikologjike për t’i pasur paratë të disponueshme për tërheqje në çdo kohë.

Sipas lloji të klientëve, depozitat u rritën njëkohësisht si për bizneset, ashtu dhe për individët.

Rritja e konsiderueshme e depozitave në euro, por edhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, tregojnë se prurjet valutore hyrëse kanë qenë në nivele të kënaqshme në raport me situatën që po kalon ekonomia. Duke qenë se të dhënat e bilancit të pagesave ende nuk janë të disponueshme, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare mund të vlerësohen vetëm në mënyrë të tërthortë, kryesisht duke iu referuar depozitave, eksporteve apo numrit të vizitorëve të huaj.

Gjatë tremujorit të tretë, në Shqipëri hynë 1.3 milionë shtetas të huaj, në pjesën më të madhe kosovarë. Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria priti rreth dy milionë vizitorë të huaj më pak, megjithatë shifrat ishin disi më të mira se parashikimet, duke pasur parasysh situatën e pandemisë. Eksportet shfaqën një tendencë në përmirësim gjatë tremujorit të tretë dhe arritën vlerën e 69.1 miliardë lekëve, duke ngelur gjithsesi në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, me rreth 5% më pak.

Një tjetër tregues i tërthortë është gjallëria e tregut të pasurive të paluajtshme që financohet në një pjesë të madhe nga prurjet valutore dhe ku çmimet kuotohen në euro. Indeksi periodik i Bankës së Shqipërisë tregoi një rritje të çmimeve me pothuajse 5% në 6-mujorin e parë të vitit. Për tremujorin e tretë nuk ka ende të dhëna direkte, por një tregues i përmirësimit të mëtejshëm të tregut është se huaja e re për blerje banesash nga individët u rrit me pothuajse 40% krahasuar me një vit më parë./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of