Tremujori i katërt 2015, huatë me probleme zbresin në 17.6% prej ristrukturimit në huamarrësit e mëdhenj

01/03/2016 1:00 PM 0 komente

Huatë me probleme ranë në 17.6 për qind në tremujorin katërt të vitit 2015 nga 20.2 për qind që ishin në tremujorin e tretë sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë. Rënia me 2.6 për qind e treguesit më së shumti i dedikohet ristrukturimit që tashmë ka nisur në 35 korporatat më të mëdha huamarrese.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kompania Plus ristrukturoi një hua me një balancë rreth 38 milionë euro (së bashku me interesat). Sipas burimeve nga kompania, ristrukturimi i huasë u mundësua përmes hyrjeve nga aksionerët. Aktualisht Plus ka një prej balancë kredie prej 6.5 milionë eurosh.

Banka e Shqipërisë në zbatimin të planit të masave për uljen e kredive me probleme duke e azhurnuar ristrukturimin e kredisë edhe në të paktën 15 korporata të tjera të cilat janë pjesë e 35 huamarrëse që zotërojnë 65 për qind të kredisë me probleme. Plani i detajuar i ristrukturimit pritet të finalizohet ketë muaj ndërmjet bankave dhe huamarrësve më të mëdhenj.

Guvernatori i bankës së Shqipërisë Genti Sejko ka pohuar se, niveli i huave me probleme në Shqipëri pritet të bjerë në 15% në vitin 2016.
Banka e Shqiperisë prej dy vitesh ka nisur nga zbatimi i një plani masash për uljen e kredive në probleme, i cili parashikon 13 ndërhyrje në legjislacion dhe në aksione konkrete të operatorëve të përfshirë në proces.

Deri në fund të shtatorit të vitit 2016, do të paraqiten në Parlament ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile dhe Ligji për përmbaruesit private , me të cilat synohet rritja e efikasitetit të proceseve gjyqësor, mbledhjes me forcë të detyrimeve.

Në kuadër të uljes së NPL-ve Qeveria do të paraqesë ndryshimet Parlamenti për Ligjin e Barrëve Siguruese dhe Ligjit për Regjistrimin e Prona Paluajtshme për të mbrojtur më mirë kolateralin financiar dhe në rritjen e sigurisë ligjore.

Trajtimi i kredive me probleme është e domosdoshme për lehtësimin e rreziku që po pengon ringjalljen e kredisë.
Ministria e Ekonomisë që është në rolin e koordinatorit për zbatimin e planit, në krye të 13 masave ka vënë miratimin në Kuvend të projektligjit të ri të falimentit, me anë te të cilit më pas do të nisë trajtimi i 35 korporatave. Ligji i ri po hartohet për t’i dhënë zgjidhje pikërisht korporatave të mëdha, të cilat tashmë kanë shpallur pazotësinë për të paguar kreditë bankare, të cilat kapin vlerën e 600 milionë eurove.

Pasi drafti i falimentit të ketë kaluar Kuvendin, bankat tregtare në vend do të mblidhen së bashku ketë vjeshtë për të analizuar bilancet e kompanive dhe borxhet që ato kanë. Duke qenë se, disa prej kompanive kanë kredi të pakthyera jo në një, por në shumë banka, plani sugjeron ristrukturimin ndërmjet bankave dhe kredimarrëseve për të gjetur një zgjidhje, por duket se falimenti për 50% të këtyre korporatave është i pashmangshëm, pasi nga analiza e deritanishme kanë rezultuar raste pa asnjë shpresë.

Për kompanitë pjesërisht të shëndetshme, rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.
Pjesa më e madhe e kredive të humbura ose në rrezik serioz arkëtimi nga bankat zotërohen nga rreth 80 kompani dhe korporata të mëdha, të cilat mbartin 80% të portofolit të kredive me probleme, ndërsa vetëm 35 grupe ndajnë 65% të portofolit të kredisë së pakthyeshme.

ecuria e huave

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of