Kontratat porositëse për eksport vijuan tendin rënës edhe në tremujorin e parë të vitit 2017, për të katërtin tremujor radhazi.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia ishte me 10% në tremujorin e parë të vitit 2017. Rezultatet kanë dalë prej anketës që banka ka bërë me bizneset e sektorit ku ka testuar indeksin e besimit në ekonomi.
Ecuria e kontratave në eksport është një indikator i ri që Banka ka nisur të publikojë vitin e kaluar. Ecuria e tyre ishte pozitive gjatë gjithë vitit 2015 deri në tremujorin e parë 2016. Më pas ka nisur rënia e cila vijon të jetë prezente edhe këtë vit.
Rënia më e madhe e kontratave të porosive u pa në tremujorin e dytë të 2016 me 28%, më tej eksportuesit kanë dhënë sërish përgjigje negative, por me vlera më të ulëta. Ndikimin negativ në këtë rënie e ka pasur sektori i industrisë së rëndë, naftës dhe mineraleve. Rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe cilësia e dobët e produkteve të nëntokës shqiptarë i ka bërë më pak të kërkuara ato në tregun ndërkombëtar.
Kontratat e porosive janë treguesi më i hershëm i ecurisë së eksporteve. Për shkak të kushteve jo shumë të favorshme të krijuara nga kursi i këmbimit, ulja e konkurueshmërisë dhe çmimet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare i kanë bërë eksportet shqiptare të agropërpunimit më të dobëta, teksa shihet një ecuri më pozitive me rritje gati me 20% e eksporteve nga fasoni.
Edhe pse treguesi i besimit të bizneseve ishte në përmirësim në tremujorin e parë 2017, bizneset kanë raportuar rënie të fortë të porosive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke lajmëruar kështu se dobësitë në konsum do të vijojnë edhe në periudhë afatmesme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.