Janë publikuar pamjet që tregojnë dizajnin e brendshëm mahnitës të “Orient Express”, trenit të ri italian që do të transportojë pasagjerë në një luks total kur të fillojë të funksionojë në vitin 2023.
Gjithashtu, janë zbuluar edhe disa foto të pjesës së jashtme, e cila duket shumë tërheqëse.
Pasagjerët në “Orient Express La Dolce Vita” do të shijojnë “shërbimin me pesë yje” të rrethuar nga “dekori i shtrenjtë” në udhëtimet e tyre nëpër Itali dhe më tej për në Paris e Stamboll.
Ky tren, i krijuar nga grupi i hoteleve Accor dhe kompania e ndërtimit Arsenale Spa, do të rivalizojë Simplon-Orient-Express të Venecias, i cili operohet nga Belmond dhe udhëton nëpër Europë nga Londra dhe Venecia.
Do të ketë gjashtë trena “Orient Express La Dolce Vita”, secili me 62 pasagjerë dhe me 12 “kabina luksoze”, 18 suita dhe një “Suitë Nderi”.
Të projektuara nga firma arkitekturore Dimorestudio, ambientet e brendshme synojnë të pasqyrojnë “mjeshtërinë, dizajnin dhe kreativitetin e viteve 1960 dhe 1970”.
Dizenjuesit e Dimorestudio, Britt Moran dhe Emiliano Salci, thonë: “Dizajni i hapësirave është i menduar mirë dhe shumë i kuruar, pa qenë i ekzagjeruar”.
Në vagonin e restorantit, pasagjerët mund të shijojnë “receta ekskluzive të përgatitura nga mjeshtrit më të mirë të kuzhinës “. Do të ketë ambiente argëtimi në bord, si dhe një bar lounge, ku udhëtarët mund të provojnë disa ‘verëra italiane të vlerësuara me çmime’.
Stacion primar i këtij treni do të jetë Roma Termini, stacioni kryesor hekurudhor i Romës. Salla e klasit të parë në Orient Express do të “rinovohet plotësisht” për t’iu përshtatur shërbimit të ri.
Një deklaratë në lidhje me këtë sallë thotë: “Atje, udhëtarët do të shijojnë një pritje të ngrohtë dhe pije freskuese ndërsa presin udhëtimet e tyre në një hapësirë të këndshme dhe elegante, të kompletuar me shërbime dhe me staf të përkushtuar për t’i ndihmuar ata”.
Pasagjerët do të mund të zgjedhin nga disa itinerare në bordin e Orient Express La Dolce Vita.
Shumë prej tyre duan të eksplorojnë Italinë. Njëri prej itinerarëve përshkon Distriktin Italian të Liqenit deri në rajonin e Venetos, përmes Dolomiteve. Gjatë rrugës, udhëtarët mund të shijojnë ‘tartufin dhe verën më të mirë të sezonit’ dhe të admirojnë ‘majat e Alpeve në Cortina’.
Itinerari i dytë i dërgon udhëtarët në kodrat e Umbrias, ndërsa i treti përshkon Toskanën dhe Firencen. Një tjetër itinerar i sjell pasagjerët në Kampania për ‘të parë Napolin dhe Pompein piktoresk’.
Udhëtimi për në ishullin e Sicilisë është gjithashtu duke u menduar si një opsion tjetër, me trenin që do të kalojë pranë malit Etna dhe do të ndalojë që pasagjerët të ‘zbulojnë kantinat e verës dhe plazhet siciliane’.
Një tjetër itinerar do të kalojë nga Roma në Paris nëpërmjet Rivierës Franceze. Do të ketë edhe një itinerar për në qytetin kroat të Splitit përgjatë bregdetit dalmat. Itinerari i cilësuar si ‘udhëtimi ëndërrimtar’ do të përshkojë ‘rrugën historike të Orient-Express’ për në Stamboll.
Në total, këto rrugë të ndryshme do të mbulojnë 16,000 km (9,942 milje) linja hekurudhore dhe do të kalojnë nëpër 131 qytete të ndryshme. / Daily Mail