Trepça ka disa ditë që nuk ka punuar fare. Minatorët nuk e kanë marrë ende pagën e tetorit. Qeveria e Kosovës gjatë ditës së sotme do ta marrë një vendim për mundësinë që ta nxjerr këtë ndërmarrje nga kriza.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka thënë se për shkak të situatës në ndërmarrjen Trepça, ka propozuar që të futet në shqyrtim vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetor nga programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.
“Për shkak të rëndësisë dhe emergjencës së temës që ka të bëjë me Trepçën propozoj që të futet në shqyrtim propozim i vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Propozim të futet në rend dite për shkak të rëndësisë dhe emergjencës që kemi”, ka thënë Kuçi.
Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se një propozim të tillë do ta shqyrtojnë pas mbledhjes së Qeverisë, me ministrin e Financave.
“Propozoj që menjëherë pas mbledhjes të ulemi me ministrin e Financave edhe të bëjmë dakordimet dhe propozimet e nevojshme dhe nëse bëjmë zgjidhje e qesim në mbledhjen online”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, tash e dy javë punëtorët e ndërmarrjes Trepça nuk e kanë marrë pagën e muajit Tetor. Shkak janë bërë borxhet e shumta të trashëguara, të cilat i ka thelluar edhe më tepër kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kombinatit, Gani Osmani, ka treguar gjatë ditës së djeshme se në Trepçë nuk është duke punuar askush.
“Në Trepçë nuk është duke punuar askush, vetëm objektet vitale. Domethënë pompat, mirëmbajtja elektrike, mirëmbajtja e pompave, sepse ato duhet edhe në gjendje lufte të punojnë, sepse miniera mbytet në ujë nëse nuk punojnë pompat, çdo grevë, çdo protestë ato punojnë pa ndërprerë, punëtorët ndërrohen në vende të punës edhe ata e kuptojnë, ata janë me neve mirëpo i kuptojnë gjërat që duhet punuar sepse në ato vende nuk bën pa punuar”.
Osmani, bashkë me këshillin grevist e me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të ndërmarrjes, Hysni Vrajolli, janë takuar dje edhe me ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçi.
“Ministri e premtoi një shumë prej 250 mijë deri në 300 mijë euro. Mirëpo, shuma të cilën e premtoi ministri, ajo është vetëm për me e stopu përmbaruesin se përmbaruesi na ka hip në kokë dhe nuk po na len me ec përpara. Me stopu përmbaruesin me ato para për një kohë të shkurtë, mirëpo diku 1.3 ose 1.4 kushtojnë pagat për Stan Tërg”.
Nëse qeveria nuk përmbushë kërkesat e minatorëve greva vazhdon.
Xhirollogaritë e ndërmarrjes u bllokuan nga përmbaruesi në fund të muajit të kaluar, për shkak të borxheve ndaj furnizuesve.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka muaj që nuk po arrin të kalojë në Kuvend.
Deri më tash, ka kaluar vetëm në lexim të parë. Dje, ishte paraparë të nxirrej për votim në lexim të dytë, por seanca nuk u mbajt në mungesë të kuorumit.
Pakoja e rimëkëmbjes është paraparë si ndihmë për qytetarët dhe bizneset e prekura nga pandemia. Njëjtë si Trepça shumë ndërmarrje janë në krizë apo para falimentimit si puna e Telekomit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.