Qeveria e Kosovës të hënën ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Sipas vendimit të Qeverisë, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme, po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa. Shoferët duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Sot ka nisur dita e tretë që kur Kosova ka filluar të zbatojë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, ku si rrjedhojë dy rrugë, që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbë lokalë, që po e kundërshtojnë këtë masë.
Policët e njësive speciale të Kosovës po qëndrojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Lidhur me situatën në Veri ka reaguar edhe sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai në mbledhjen e qeverisë ka folur për situatën në veri me rastin e aplikimit të masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.
Kurti ka thënë se i vetmi person i cili dëshiron incidente është presidenti i Serbisë është Aleksandar Vuçiq.
“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia. Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë. Ne jemi për dialog. Edhe oferta jone publike është tejet praktike, le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia e dhe Kosova. Besoj që nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet siç po bëjnë aktualisht. Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen bisedimet dhe ne jemi të gatshëm e të hapur për të biseduar.”
Për situatën e shkaktuar në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën (dje) është takuar me ambasadorët e QUINT-it.
Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se në Jarinjë dhe Bërnjak qytetarët serbë vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët, por sipas tij, njësitë speciale të Policisë së Kosovës “janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare”.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia. Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thuhet në njoftim, ku përveç ambasadorëve të QUINT-it mori pjesë edhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog.
Ky takim i Kurtit me QUINT-in vjen pak orë pasi në Serbi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të gjendjes së krijuar nga vendimi i 20 shtatorit për reciprocitetin për targat.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në reagimin e tij tha se ka refuzuar propozimin nga vendet e QUINT-it, për të zgjidhur çështjen e targave me Kosovën.
“Unë e refuzova atë sepse nuk është kompromis dhe sepse e kthen Serbinë prapa. Shkurt – është një zgjidhje sipas së cilës 70 për qind e asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin…”, ka shtuar tutje presidenti i Serbisë.
Vuçiq, tha se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.
“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, tha Vuçiq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u thirr për shkak të masës së reciprocitetit për targat, të vënë nga Qeveria e Kosovës.
Presidenti Vuçiq, tha se Serbia kërkon tërheqjen e trupave “që pushtuan” veriun e Kosovës.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur për vendimin rreth reciprocitetit për targat.
Ajo ka thënë se vendosja e reciprocitetit sa i përket targave me Serbinë, është “në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel”.
Gërvalla ka thënë se “tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë”.
Ndërkaq, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se ka njoftuar vendet e BE-së për situatën në veri të Kosovës.
Lajçak përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se është i shqetësuar për situatën në veri dhe u ka bërë thirrje për zhvendosje.
“I informova vendet e BE-së për situatën në veri të Kosovës. Unë jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për një zhvendosje të menjëhershme. Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet, të rivendoset një atmosferë paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes”, ka shkruar Lajçak.
Për vendosjen e reciprocitetit, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Kosova ka ngritur problemin me plot të drejtë.
“Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, shkruan Rama.
Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kamberi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i reagojë Serbisë për mosrespektimin e marrëveshjes lidhur me tabelat. Në situatën e krijuar me reciprocitetin e targave ai deklaron se fajin e mban Serbia. Sjelljet e kësaj të fundit, konsideron se varen nga reagimet e ndërkombëtarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitar me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”.
Ndryshe, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.
Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.
Pas pesë ditëve të skadimit të marrëveshjes, të hënën me 20 shtator – forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin. Dhe sipas kësaj veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).
“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.
Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje – shumica e të cilave nuk janë zbatuar në terren.
Ndryshe, çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri në shtator të vitit 2021.
Në marrëveshjen e këtij viti, ishte arritur pajtimi që me etiketa apo letra ngjitëse, të mbulohen pjesët relevante të targave, siç janë simbolet dhe akronimet e shteteve përkatëse, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës.
Por, kur qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë, kanë automjete me targa ‘RKS’, ata i nënshtrohen procedurave në vendkalimet kufitare në Serbi, për t’i hequr këto targa dhe për t’i vendosur targat “Prova” që i lëshojnë autoritetet serbe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.