Tri raste të reja të dyshuara me koronavirus në Kosovë

25/02/2020 4:01 PM 0 komente

Në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë duke u trajtuar mostrat e tre pacientëve të tjerë kosovarë me dyshimet se janë prekur nga virusi kinez korona. Rezultatet për ta pritet të publikohen me vonë.

Në Klinikën Infektive në QKUK, sot janë paraqitur 3 raste të dyshuara për koronavirus. Një shtetas jo kosovar, 69 vjeç i cili ka qëndruar në Itali dhe dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kanë ardhur sot nga Italia.

“Janë marrë mostrat për analizë dhe janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për verifikim”, thuhet në njoftim.

Tutje, “Klinika Infektive njofton se nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, meqë janë vetëm raste të dyshuara”.

“Një shtetas jo kosovar,  69 vjeç  i cili  ka qëndruar në Itali. Dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kanë ardhur sot nga Italia. Janë marrë mostrat për analizë dhe janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për verifikim. Klinika Infektive njofton se nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, meqë janë vetëm raste të dyshuara”.

Kujtojmë se dy rastet e fundit të raportuara me koronavirus në Kosovë, rezultuan negativ.

Derisa, në përgjithësi numri i të vdekurve prej koronavirusit të ri Covid-19, ka shkuar mbi 2,600.

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka filluar përgatitjet për mbrojtje nga koronavirusi. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse tashmë ka bërë gati listën për furnizim me produkte që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Pjesë e këtij komitetit janë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Klinika Infektive dhe zyrtarët e Doganës.

Kurse, pak me herët ambasada amerikane në Prishtinë u ka dhënë informata shtetasve të saj në lidhje me koronavirusin.

Në njoftimin zyrtar të ambasadës në uebfaqen e saj thuhet se deri më tash nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus brenda territorit të Kosovës.

“Kosova nuk ka konfirmuar asnjë rast me COVID-19 brenda territorit të saj. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë donacion 750 pajisje testuese të koronavirusit në Kosovë. Rasti i parë i dyshuar në Kosovë është testuar dhe ka dalur negativ. Rezultatet negative janë përcaktuar në bazë të pajisjeve testuese ‘RRT-PCR’ të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Tutje në njoftimin zyrtar të ambasadës thuhet se Kosova nuk është duke aplikuar ndalesa të hyrje-daljeve.

“Kosova momentalisht nuk ka në fuqi ndalesa në hyrje-dalje. Kërkesat për hyrje dhe dalje në Kosovë mbeten të pandryshuara”, thuhet në njoftim.

Ambasada thotë se Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka zhvilluar një plan për karantinë nëse është e nevojshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of