Pas një mungese të gjatë dhe një prezence të ulët, biznesi francez po hedh sytë nga Shqipëria. Rreth 25 kompani shprehën interesin për t´u futur në treg me shërbimet e tyre.
Bizneset franceze, më në fund, po e shohin Shqipërinë si një treg interesant për të “shitur” shërbimet e tyre. Rreth 25 kompani nga fusha të rëndësishme, si transporti, energjia dhe menaxhimi i ujërave, të pranishëm në Forumin e Shërbimit Rajonal Danub Ballkan, u shprehën të gatshëm të bëhen pjesë e projekteve që parashikon qeveria shqiptare në sektorë që vuajnë nga infrastruktura e dobët.
Bëhet fjalë për kompani që llogarisin qarkullime vjetore në miliarda euro, si “Thales” që operon në tregjet e aviacionit dhe transportit, “Egis”, që ofron menaxhim projektesh, e cila është marrë disa herë nga qeveria si konsulente në fusha të ndryshme, “Tractabel” që operon në ndërtimin e hidrocentraleve, “Bouygues”, një aktor botëror në fushën e ndërtimit, “Veolia” e specializuar në fushën e konceptimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrjeteve ujore, telekomunikacion, energji dhe gaz apo “Vinci”, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e ndërtimit dhe e njohur për ndërtimin e parkingjeve. Gjatë këtij forumi, ambasadorja franceze, Christine Moro, tha se, Shqipëria është një vend me ambicie dhe mundësi që biznesi francez duhet t´i njohë më mirë. Qeveria ka deklaruar se infrastruktura do të jetë prioriteti kryesor i investimeve publike edhe për 3-4 vitet e ardhshme. Nëpërmjet disa prej institucioneve të saj, kompanive franceze iu parashtruan mundësitë për të bërë biznes me projekte me financim publik, por sidomos me projekte koncesionare.
Gjatë dekadës së fundit, prania e sipërmarrjes franceze në Shqipëri ka qenë e kufizuar kryesisht në sektorin bankar dhe në disa projekte publike, si ai i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike apo edhe në dhënie konsulence.
Së shpejti pritet të nisë aktivitetin edhe një nga markat më të rëndësishme në shitjet me pakicë, grupi francez “Carrefour”. Interesi i shfaqur kohët e fundit me disa projekte hidrocentralesh të vogla duket se ka qenë pikënisja për të vlerësuar një volum më të gjerë biznesi në infrastrukturë.
Ndërkombëtarët, koha për të hartuar projekte
Interesi francez vjen në një kohë kur Shqipëria përgatitet të marrë statusin kandidat në Bashkimin Europian, që nënkupton përfitimin e më shumë fondeve për sektorë kyç të ekonomisë.
François Begeot, përfaqësues i Bashkimit Europian dhe ekspert në sektorin e infrastrukturës, tha se Shqipëria duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të përfituar donacione me anë të projekteve në sektorë si transporti, energjia dhe menaxhimi i ujërave. Një nga projektet më të rëndësishme në infrastrukturë, sipas z. Begeot, nga ku mund të përfitojë Shqipëria pas marrjes së statusit kandidat është ndërtimi i rrjetit rrugor trans-europian, një projekt që përfshin Ballkanin Perëndimor. “Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e rrjeteve rrugore rajonale dhe europiane për të rritur shkëmbimin e mallrave. Bashkimi Europian ka investuar rreth 50 milionë euro për ndërtimin e rrugëve rurale, për të nxitur zhvillimin e bujqësisë”, tha përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Shqipëri. Sipas tij, komuniteti europian është i interesuar të ndihmojë vendin në krijimin e infrastrukturës rrugore, me qëllim që t´i paraprijë hyrjes në tregun e përbashkët europian. Një nga investimet e drejtpërdrejta të BE-së, në infrastrukturën rrugore, është by-pass-i i Vlorës (me fonde nga BEI dhe BERZH), që lidhet në perspektivën turistike të vendit.
Një nga sektorët kyç, siç thotë François Begeot, do t´i jepte impuls më të madh ekonomisë shqiptare, por do ta bënte atë edhe më konkurruese në rajon.
Sipas tij, një tjetër aspekt ku duhet të përqendrohet vëmendja e qeverisë, është edhe menaxhimi i ujërave. “Është e nevojshme të ndërhyhet urgjent në përpunimin e ujërave të përdorur në zonat bregdetare. Ky është një detyrim në bazë të direktivave të BE-së. Është një sipërmarrje e kushtueshme dhe që kërkon investime kolosale, por e domosdoshme. Pjesa e bregdetit të Adriatikut është në gjendje kome”, tha z. Begeot.
Një tjetër fushë ku përfaqësuesi i BE-së u ndal ishte edhe çështja e përpunimit të plehrave, një temë e nxehtë diskutimi, kohët e fundit. Ai tha se BE-ja nuk investon në mënyrë direkte në këtë fushë, por vlerëson si të rëndësishme ndërhyrjen në radhë të parë në procesin e seleksionimit përpara se sa bëhet shkarkimi. Sipas përfaqësuesit të zyrës së BE-së, Shqipëria ka më shumë mundësi për rritjen e investimeve në fushën e energjisë, për shkak të burimeve natyrore hidrike që ka e që mbeten të pashfrytëzuara.
Bashkimi Europian paralajmëron Shqipërinë që të shmangë rrezikun e humbjes nga fondet e saj. Për ekspertët që asistojnë qeverinë, tashmë që vendi është pranë marrjes së statusit kandidat, duhet të jetë i përgatitur. “Duhet të hartohen sa më shpejt projekte. Statusi i vendit kandidat shoqërohet me dhënie fondesh nga Bashkimi Euopian, të cilat do të rriten shumë herë me pranimin si vend me të drejta të plota. Ky proces duhet të paraprihet me projekte. Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjitha”, tha François Begeot, përfaqësues i Bashkimit Europian. Për përfaqësuesit e institucioneve qeveritare, Shqipëria ofron një sërë avantazhesh në aspektin fiskal. Krijimi i qendrave me një ndalesë dhe niveli i ulët taksave e bëjnë vendin tërheqës dhe konkurrues ndaj investimeve të huaja direkte. Sipas ekspertëve ligjorë, një tjetër avantazh që paraqitet, është edhe fakti se Shqipëria ka sistem legal të ngjashëm me Francën. Ndaj, nuk ka shumë “surpriza” në trajtimin e çështjeve juridike, kur vjen puna te krijimi apo zgjidhja e kontratave.
Box
Fushat tradicionale të shprehjes së interesit francez
– Institucione
– Kulturë
– Gjuhë
– Shkencë dhe edukim
– Kooperim teknik
– Fusha audiovizuale
E.B.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.