Trump anulon samitin e G7-ës, do të mbahej në 10-12 qershor

20/03/2020 11:27 AM 0 komente

Presidenti Donald Trump ka anuluar samitin e G7-ës, i cili ishte parashikuar të mbahej në qershor në SHBA, shkak është bërë shpërthimi i koronavirusit. Në vënd të kësaj takimi i grupit të vendeve më të industrializuara do të zhvillohet nëpërmjet videokoferencave, tha Shtëpia e Bardhë.

Vendimi vjen pasi vendet në mbarë botën kanë mbyllur kufijtë e tyre dhe kanë ndaluar udhëtimet për të parandaluar përhapjen e shpejtë të COVID-19, i cili deri më tani ka marrë jetën e mbi 9 mijë personave.

“Në funksion të krizës së vazhdueshme të koronavirusit që ka kapluar të gjithë botën në një mënyrë të pashembullt, samiti i G7 i planifikuar të mbahet në Camp David nga 10-12 qershor është anuluar në mënyrë që udhëheqësit e këtyre vendeve të mund t’i kushtojnë kohën dhe energjinë e tyre në adresimin e sfidave të shëndetit publik. Samiti i liderëve të G7 që do mbahej në data 10-12 qershor në Camp David tani do të bëhet me anë të telekonferencës”, tha zëvendës Sekretari i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Judd Deere.

“Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi anëtarët e tjerë të G7 se për të vazhduar koordinimin e ngushtë, Presidenti do të thërrasë drejtuesit përmes telekonferencës në prill dhe maj ashtu si ai bëri këtë javë,” tha Deere.

Në fillim të kësaj jave, Trump zhvilloi një video-konferencë me drejtuesit e G7, anëtarët e së cilës janë SH.B.A., Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në një deklaratë të përbashkët, pas takimit virtual drejtuesit e G7 pranuan se pandemia  e COVID-19 është një tragjedi njerëzore dhe një krizë globale shëndetësore, e cila gjithashtu paraqet rreziqe të mëdha për ekonominë botërore.

Samiti i G7 është ngjarja më e fundit që anulohet pasi frikës  nga koronavirusi, i cili ka pezulluar një sërë aktivitetesh politike, ngjarje sportive dhe festivale muzikore në të gjithë botën./ The Guardian

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of