Presidenti Donald Trump ka shpallur koronavirusin një emergjencë kombëtare, pasi rastet e të prekurve u rritën në mbi 1,200 persona, ndërsa viktimat shkuan në 33, 31 prej tyre në Washington State.
“Ne po punojmë shumë për këtë. Ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm. Evropa sapo është caktuar si pikë e nxehtë tani dhe ne i mbyllëm kufijtë më të më herët. Nuk e di nëse kjo është aftësi apo fat”, deklaroi Trump para Shtëpisë së Bardhë.
Masat drastike po marrin shumë shtete në botë që po shohin një numër në rritje çdo ditë edhe më shumë.
Kështu Greqia ka marrë këtë të premte masa të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke thënë se të gjitha qendrat, kafenetë, baret dhe dyqanet e ushqimit do të mbyllen, vetëm supërmarketet do të mbeten të hapura.
“Po ashtu edhe pikat ushqimore që ofrojnë shërbimin e ushqimit në shtëpi do të jenë në gjendje të vazhdojnë aktivitetin” deklaruan përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.
Masat erdhën disa orë pasi Ministria e Kulturës njoftoi se të gjitha muzetë dhe vendet arkeologjike do të mbyllen për dy javë. Ndërkohë, numri i rasteve të koronavirusit në Greqi është rritur në 190.
Situata në Itali vijon të agravohet. Në vetëm 24 orët e fundit kanë humbur jetën 250 persona nga virusi, sipas agjencisë për mbrojtjen civile në Itali. Numri në total i të vdekurve ka shkuar në 1,266, duke e kthyer Italinë në epiqendrën globale të koronavirusit në Europë.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) tha të Premten se kontinenti – ku më shumë vende kanë shpallur një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare mbi COVID-19 – tani është epiqendra e pandemisë së koronavirusit.
“Më shumë raste raportohen tani çdo ditë në Evropë sesa janë raportuar nga Kina në kulmin e epidemisë së saj,” tha drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai tha se 5,000 njerëz kanë vdekur tani nga virusi, duke e quajtur atë “një moment historik tragjik”, dhe u bëri thirrje qeverive të zbatojnë masa distancuese sociale për të ngadalësuar përhapjen.