Është thënë thuajse gjithçka! Imazhi luan haptazi mungesën e enigmës së vet në eksesin e së vërtetës që shpërfaq. Është një imazh në rrezik, në zgrip të pasionit për të mos fshehur më asgjë, për t’i thënë të gjitha, një herë e mirë e përfundimisht.
Por, teksa nxiton drejt shenjimit të totales ai mbetet pezull… jo aq në kapjen e çastit a befasinë e pozës sesa në një continuum të palëvizshëm, të pafjalë e diskret, paqtues në zemër të furisë së të vërtetës. Diçka e përkorë ndërmjetëson rrëfimin e trupit femëror në penelin e Eldon Luarasit, si mundësia e fundme e rrëfimit të një pasioni.
Falë saj, trupat flasin, në vijimësinë e gjestit ku ai i gjen, në këndin e një dhome, në butësinë e një shtrati, në hapësirën e kujtesës.
A mund të rrëfehesh përmes tjetrit? A mund ta rrëfesh atë, ashtu siç të është zbuluar vetëm ty, vetvete e thellë, në një shpërthim erosi e brishtësie që të bën të të mbahet fryma…? Asgjë nuk ndryshon kur e mbërthen përmes kujtesës dhe e vendos në sfondin ar e blu të një letre murale.
E njëjta heshtje e paqtë, i njëjti vështrim i butë e melankolik. Në thelb kjo mbetet një lojë e mundimshme me të vërtetën e patrajtueshme që nuk e do kurrsesi sublimimin.
Ndoshta trajta sipërore e pasionit është kjo zhvendosje drejt vetëpërmbajtjes dhe delikatesës. Atëherë përgjumja dhe zhveshja mbeten në thelb i njëjti gjest, meditimi dhe lakuriqësia e njëjta gjendje, duart dhe buzëqeshja e njëjta gjuhë. Bota e trupit të dashurueshëm bëhet e rrëfyeshme në thelbin e vet.
Trupat rrëfimtarë të Eldon Luarasit janë pohimi i të njëjtit pasion dhe të njëjtit pyetësim që arti i bën me këmbëngulje thuajse fëminore imazhit. Si mund të jetë ai, piktual, gjendja sipërore e trupores? Ku shtrihet caku i kumtit të tij? E mandej, çfarë mbetet nga një palë “gambale” kur në to shtrihet në dhjetëra nuanca një perëndim dielli?…
Nuk ka përgjigje tjetër përveçse mbi telajo. Aty ndehet transparenca e qelqit në kthjelltësinë e një horizonti gjeometrik, në të emetohet prekja e vakët e bronzit në refleksin e dritës së mbrame.
Mbi telajo, hapësja e një shisheje vere, prag premtimesh e shijesh që ndjellin, rrëfen vetveten dhe simbiozën e demonit dionisak me flatrat e një engjëlli statik, ndoshta një angelus novus pluskues në dehjen e sfondit të kuq të verës që çliron. Bota mbetet ajo e përhershmja dhe asgjë nuk është më si parë…
Trupat rrëfimtarë janë shndërruar ndërkaq në tablonë e vërtetësisë që jetuan. I vetmi që ikën prej saj, teksa i sheh për herë të fundit ashtu siç nuk mundi t’i shohë askush, është njeriu që rrëfen për to.
Teksti kuratorial nga Persida Asllani
Piktori interpretues
Eldon Luarasi është një artist, i cili pavarësisht rrethanave jofavorizuese që iu rezervuan nga regjimi komunist, si djali i artistëve Mihal dhe Edi Luarasi, nuk u tërhoq nga pasioni i tij për pikturën.
Përmes eksperimentimit me mediumin e vajit dhe temperave ai u dedikua hulumtimit të qenies njerëzore, duke u shprehur me një gjuhë realiste, por në të njëjtën kohë dhe duke observuar dhe nxjerrë në pah të fshehtat që çdo qenie përmban brenda skutave të shpirtit njerëzor.
Eldoni arrin të vizatojë me mjeshtëri, por në të njëjtën kohë të jetë në gjendje të evidentojë pjesë të padukshme të individit, ku intimiteti kthehet në lajtmotiv, që shikuesi ftohet ta njohë nga afër dhe ta interpretojë. Dhe pikërisht interpretimi është çelësi i suksesit të veprës së Eldon Luarasit, ku gjithsecili krijon një narrativë të cilin artisti e pranon dhe madje e kthen në një element bashkëbisedimi mes veprës, shikuesit dhe artistit.
Pas disa ekspozitave vetjake dhe kolektive në Zvicër dhe Itali, më në fund Eldon Luarasi hap ekspozitën e tij të parë personale në Tiranë. Artdashësit e interesuar për punët e Eldonit, kanë rastin t’i shohin nga afër të ekspozuara në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve, në datat 3-10 shkurt 2022.
Përgatiti: Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.