Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKP) e ka përmbyllur gjysmëvitin e parë 2019 me kthim bruto mbi 100 milionë euro nga investimet.
Tregjet gjatë këtij gjashtëmujori kanë qëndruar në kuota pozitive, edhe pse kishte disa tronditje të forta në tregjet financiare posaçërisht në muajin maj.
“Treguesit ekonomikë dhe ata të afarizmit të korporatave ishin inkurajues për investitorët. Ndërkohë kishte edhe një zbutje në luftën tregtare mes fuqive të mëdha. Megjithatë rreziku i përkeqësimit të tensioneve politike vazhdon të jetë aktual, për çka do të duhet një vigjilencë e shtuar për të ruajtur nivelin e vlerës së ngritur edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit, i cili do te jete sfidues për shkak luhatshmërive në tregjet financiare”, është thënë në njoftim e Fondit të Kursimeve Pensionale i Kosovës, duke u shtuar se në nën këto kushte, Bordi Drejtues është duke ndjekur aktivisht lëvizjet dhe varësisht prej pritshmërive është duke bërë alokimin taktik mbrojtës të mjeteve.
“Tashmë Bordi e ka shtuar edhe një fond të ri investues (BlackRock – iShares Edge S&P 500 Minimum Volatility Euro Hedged) me qëllim menaxhimin sa më të mirë të luhatjeve në tregjet financiare. Po ashtu, Bordi vazhdon të jetë i përkushtuar në shtimin e investimeve në Kosovë, brenda mundësive të përcaktuara ligjore. Investimi i më shumë mjeteve në depozitat bankare është në proces e sipër, ndërsa vazhdon pjesëmarrja në të gjitha ankandet e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës”, është në njoftimin e FKP-së.
Sipas këtij njoftimi, me këto lëvizje tejet pozitive në investime, por dhe me kontributet e reja, mjetet nën menaxhim u shtuan për rreth 180 milionë euro këtë periudhë, për të arritur në 1,863 milionë euro.
“Rreth 24 për qind e këtyre mjeteve ishin në Kosovë, kurse pjesa tjetër (76 për qind) ishin të investuara në tregjet financiare. FKPK-ja prej themelimit dhe deri më 30 qershor 2019 ka kthim bruto nga investimet prej rreth 450 milionë euro”, është theksuar në njoftimin e FKP-së.
Kujtojmë se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës e ka përmbyllur vitin 2018 me mbi 85 milionë euro humbje. Ky institucion gjatë vitit që kemi lënë pas ka pasur një rënie të performancës të investimeve për 5.2 për qind
Kjo rënie është arsyetuar me luhatje në tregjet financiare globale, megjithatë njohës të çështjeve ekonomike kanë kërkuar përgjegjësi nga ky institucion për rrezikimin e kontributeve të qytetarëve.
Sipas tyre, investimet dhe rrezikshmëria e Trustit është një ndër faktorët e paqartë ndër vite dhe kanë kërkuar transparencë më të madhe mbi nivelin e rrezikut, gjë e cila siç thonë do t’i mundësonte kontributdhënësve jo vetëm të informohen për kthimin, por edhe për rrezikun e investimeve. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.