Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka përmbyllur vitin 2021 me rezultat të kënaqshëm nga investimet, me kthimin bruto që kapi shumën prej +227 milionë euro.
227 milionë euro ka qenë kthimi bruto si rezultat i investimeve që ka bërë Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës në vitin 2021. Kjo paraqet shifrën më të lartë që nga themelimi i institucionit.
Në total, mjetet pensionale në Trust u rritën për 365 milionë euro duke shkuar në 2.35 miliardë totali.
“Rreth 77 për qind e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në fund të 2021-s. Investimet në tregjet financiare ndërkombëtare vazhdojnë të kontribuojnë me rreth 95% në totalin e performancës investuese, thuhet në një njoftim të Trustit.
Rritja e çmimit të njësisë për këtë vit ishte 10.65%, krahasuar me rritjen prej +3.03% për vitin 2020.
Sa i përket vitit 2022, Trusti ka thënë se pret luhatshmëri të lartë.
Këtë vit për pensionimin e 5,400 përfituesve u paguan 68 milionë euro, ndërsa prej themelimit janë shpaguar 321 milionë euro për 64 mijë përfitues.
Trusti ka thënë se ka punuar në një platformë të re për t’i menaxhuar më lehtë llogaritë dhe avancimet.
“Njëkohësisht, gjatë vitit 2021, përkundër pandemisë, institucioni arriti t’i ofroje më shumë se 160 mijë shërbime fizike në zyrë. Ndërsa shërbimet tona digjitale vazhduan së avancuari, me gati 275 mijë kontribuues që kanë llogari në eTrusti dhe me gjithsej 752 mijë e 586 llogari pensionale. Me këtë rast, në këtë fillimviti, iu urojmë të gjithë kontribuuesve më të mirat më 2022”.
Në këtë njoftim, Trusti ka treguar se vlera e Fletëobligacioneve të Kosovës më 2021, ka qenë 490 milionë euro. Ndërsa, depozitat me bankat në Kosovë vitin që lamë pas ishin në vlerë të vetëm 45 milionë eurove, nga shifra prej 130 milionëve që ishte në vitin 2020.
Në anën tjetër, rritja e çmimit të njësisë për vitin 2021 ishte 10.65%, përkatësisht 1.72 euro, krahasuar me rritjen prej +3.03%, përkatësisht 1.55 euro, që ishte në vitin 2020.
Kurse për këtë vit, Trusti ka pritje që do të ketë sërish luhatshmëri të lartë për shkak të pandemisë, vonesave në zinxhirin furnizues, inflacionin, rritjen e kamatave nga bankat qendrore dhe faktorët e tjerë gjeostrategjikë.
Gjithashtu, gjatë vitit 2021, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar unanimisht raportet vjetore dhe taksat menaxhuese të propozuara nga FKPK-ja për vitin 2022, me anë të së cilave kontributdhënësit obligohen që të paguajnë disa centë në muaj për funksionimin normal të këtij institucioni.
Dy kërkesat e Trust-it Pensional ishin që taksa vjetore investive të miratohet në një tarifë prej 0.32 për qind, kurse taksa operacionale prej 0.057 për qind, ose 0.15 cent në muaj për të gjithë kontributdhënësit. Më saktësisht, kontribuesit aktivë në Trust do të paguajnë nga rreth 2 euro në vit për këtë taksë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.