Pasi British Airways lajmëroi se do të anulonte fluturimet me 75 për qind të destinacioneve përfshi Shqipërinë (ndërkohë vetë qeveria shqiptare njoftoi të hënën ndërprerjen e fluturimeve me këtë vend) edhe kompani të tjera si EasyJet dhe Ryan Air kanë anuluar më shumë destinacione. Kjo vjen në kushtet e goditjes nga koronavirusi të Britanisë dhe vendeve të tjera europiane.
Ndër të tjera, edhe operatori më i madh turistik, TUI, njoftoi anulim të operacioneve të tij pas lënies hapur të opsionit se mund të ndihmohen financiarisht me miliarda paund nga qeveria britanike. Për Shqipërinë, lajmi i keq në këtë luftë anulimesh është fakti që TUI, gjiganti turistik që ofron paketa në qindra destinacione në botë, ka kaluar edhe për vendin tonë kontratat në “allotment” (pritje).
Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, tha për “Monitor” se tashmë këto kontrata janë lënë në kushtin që vetëm nëse do të ketë kërkesë, do të procedojë. Tui britanik bëri të ditur se anulimi i paketave turistike ishte bërë për prill dhe maj, ndërkohë që Tui, si partner që operon edhe në Shqipëri, ka kaluar në pritje të situatës të gjithë kontratat edhe ato të sezonit veror 2020.
Kasa tha se njëlloj si Tui është edhe bashkëpunimi me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si Der Touristik, Apollo. Të gjithë këto kompani kanë kërkuar të shohin sesi do të jetë vijimi i situatës. Gjasat që të ketë një kthesë pozitive së fundmi po duken gjithmonë e më të pakta, në kushtet kur Europa po përjeton goditjen më të rëndë nga koronavirus.
Disa ditë më parë, shoqatat e turizmit i dërguan qeverisë një paketë me 12 pika ku kërkohet që të rishikohen disa masa lehtësuese apo mbështetëse për sektorin. Koronavirusi është goditja e dytë dhe më e rëndë se ajo e tërmetit për këtë industri ende të brishtë.
Lexo edhe këtë: Koronavirus, turizmi kërkon lehtësi fiskale: 12 pika për taksat, subvencionet dhe kreditë
Turizmi përjetoi në vitin 2019 një rritje të mirë të numrit të vizitorëve, që edhe pse nuk ishte në të njëjtat ritme si 2018, sërish ishte i kënaqshëm për operatorët turistikë. INSTAT raportoi se numri i vizitorëve ishte 6.4 milionë, ndërkohë që grupet më të mëdhenj të turistëve të organizuar janë polakët, çekët, nordikët, gjermanët. Italianët dhe shtetasit nga Kosova kanë preferuar që të vijnë në mënyrë individuale dhe jo përmes tur-operatorëve.
Lexo edhe këtë: Koronavirus “gjunjëzon” turizmin
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.