Tullumbacja e 5 yjeve

30/01/2018 3:14 PM 0 komente

Investimet e vrullshme për ndërtimin e hoteleve me 4-5 yje në Tiranë dhe bregdet, të nxitura nga lehtësitë fiskale të qeverisë, rrezikojnë të krijojnë një flluskë në sektorin e akomodimit të luksit.
Menaxherët e hoteleve në Tiranë dhe bregdet pohojnë se kërkesa për akomodim në Shqipëri është e përqendruar në nivelin 3 yje, ndërsa hotelet aktuale, në pjesën më të madhe të vitit shfrytëzohen nën kapacitet. Të ardhurat e hoteleve kryesore janë thuajse në vendnumëro gjatë 2016-2017. Ekspertët dhe grupet interesit lajmërojnë rrezikun e investimeve të pakontrolluara. Modeli që duhet ndjekur…

 

Blerina Hoxha

 

Nisma e qeverisë për të nxitur investimet në ndërtimin e hoteleve me 5 yje, ndonëse e pasqaruar mirë, po rrezikon të krijojë një mbiofertë në shërbimet për akomodim luksoz, në paradoks me kërkesën pushuesve të huaj që parapëlqejnë shërbime me 3 yje. Orientimi “qorrazi” i investimeve në hotelet luksoze përveçse nuk po shoqërohet me infrastrukturën mbështetëse, rrezikon të deformojë konkurrencën në treg, për shkak se hotelet ekzistuese nuk përfitojnë dhe t’i bëjë joeficiente investimet në të ardhmen.

Hajredin Fratari është një ndërtues me përvojë në tregun e banesave me aktivitet që në vitet e para të tranzicionit. Nisur nga vendimi i qeverisë për të përjashtuar nga taksat në 10 vitet e para të aktivitetit hotelet me 4 dhe 5 yje, ai po planifikon të investojë në akomodim. Fratari pohoi se, favorizimi fiskal e ka nxitur atë që, së bashku me një markë austriake t’i propozojë qeverisë shqiptare ndërtimin e një hoteli luksoz në bregdet, me preferencë në Jug.

Sipas zotit Fratari, turizmi është një sektor që premton rritje të qëndrueshme, ndaj është koha për të investuar. Si Fratari, disa ndërtues me përvojë në Tiranë të nxitur nga nisma e qeverisë, po planifikojnë që t’i “përkthejnë” projektet e tyre të mëparshme për ndërtesa shumëfunksionale në hotele me pesë yje.

Të paktën tre projekte kullash të mëdha 25-30 kate në Tiranë kishin planifikuar të nisnin punimet që në vitin 2017, por duket se planet e tyre kanë ndryshuar për të përfituar nga lehtësitë e qeverisë për përjashtimin nga taksat. Burimet nga tregu pohojnë se zhvilluesit e ndërtesave të larta po ndryshojnë destinacionin fillestar të godinave, për të përfituar nga përjashtimi i pagesës së taksës së infrastrukturës fillimisht, e cila në Tiranë është 8% e vlerës së shitjes së objektit për banim dhe 4% kur është hotel. Kjo taksë krijon koston më të lartë gjatë procesit të ndërtimit.
Sipas statistikave zyrtare, numri i turistëve të huaj që vizituan vendin për qëllime pushimi gjatë viteve 2015-2016 është rritur me rreth 22% në vit. Gjithashtu për 11-mujorin 2017, rritja ishte mbi 22%.

Por, nga ana tjetër, numri i të huajve që vizituan Shqipërinë për punë dhe biznes ka qenë i ulët. Pas rënies për dy vite rresht më 2014-2015, kjo kategori vizitorësh iu kthye rritjes gjatë 2016-2017. Por, e gjithë kjo rritje, nuk ka nxitur përfitime të larta për hotelet ekzistuese, të cilat pohojnë se të ardhurat kanë shënuar rritje të lehtë më 2017.

Burimet nga kompania “Geci”, që ka në pronësi Hotel Tiranën në qendër, thanë se të ardhurat në vitin 2017 janë rritur me 7-8%. Ndërsa për “Sheraton Albania”, viti i kaluar ka qenë mjaft i vështirë, duke e detyruar brandin e njohur ndërkombëtar të largohet nga Shqipëria. Menaxherët e “Plazza” pohojnë se aktiviteti ka ardhur në rritje në vitin me 2017, por sërish kapacitetet nuk po shfrytëzohen plotësisht.

Hotelet me katër dhe pesë yje në Tiranë e kanë të lidhur aktivitetin me të huajt që vizitojnë Shqipërinë për biznes dhe nga qiradhënia për konferenca e sallave. Numri i turistëve në rritje duket se nuk ka i ka shërbyer për mirë edhe hotel “Rogner”, markë ndërkombëtare në Tiranë, të ardhurat e të cilit në vitin 2016 kanë qenë vetëm 0.4% më të larta se në vitin 2015.

Aktiviteti me shifra zyrtare i hoteleve ekzistuese në Tiranë nuk tregon shkëlqimin në rritje të turizmit, ndërtimi i hoteleve të tjera rrezikon të kthejë në “flluskë” investimet dhe të dëmtojë arkën e shtetit nga të ardhurat e munguara prej ndërtimit të tyre. Këtë vit pritet që kapacitetet akomoduese në shërbimin 4-5 yje të rriten me 23%, me hyrjen në treg të brandit të njohur ndërkombëtar “Hilton”. “Mysafirët e parë do të priten së shpejti në Hilton Garden Inn Tirana.

Hoteli, me 141 dhoma, 2 suita dhe 6 salla moderne konferencash, pritet të hapet në verën e këtij viti”, ka pohuar Drejtori i Përgjithshëm i “Hilton Garden Inn Tirana”, z. Michael Walker. “Garden Inn” ofrohet në linjën e udhëtimit të biznesit dhe është i nivelit mbi 4 yje. Me hyrjen e “Hitlton” në treg, numri i dhomave që ofrojnë shërbimet 4-5 yje në katër hotelet kryesore në Tiranë, “Tirana International”, ish-“Sheraton”, “Rogner” dhe “Plazza” shkon në rreth 800. Ndërsa ndërtimi i kullave në Tiranë pritet të shumëfishojë ofertën për hotele luksi në Tiranë deri në vitin 2023.

Zak Topuzi, kryetar i sektorit të hotelerisë në Shoqatën Shqiptare të Turizmit, thotë se Tirana nuk ka më nevojë për hotele me 4-5 yje. Për më tepër, në rast se Shqipëria nuk kthehet në destinacion turistik, nuk ka treg. Sot, sipas tij, Tirana nuk ka produkte, prandaj s’ka turizëm. Sipas ekspertëve, Italia, rreth 93% të shtretërve e ka proporcionalisht 34% – 29% – 30% hotele me 1/2/3 yje. Vetëm 7% janë hotele me 4-5 yje.

Këtu tek ne ka ndodhur e kundërta, thotë Topuzi. “Katër hotelet më të mëdha në Tiranë janë me 4-5 yje dhe kanë rreth 1000 shtretër. Fasho e hoteleve të vogla me 20-30 dhoma janë përsëri me 3-4 yje. Pra konkurrojnë në të njëjtin treg”.
Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë e shohin me skepticizëm nismën e qeverisë për të nxitur investimet në hotelet me 4-5 yje. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, rekomandon që në turizëm t’u jepet përparësi shpenzimeve në infrastrukturën e rrugëve, ujit dhe përmirësimit të kushteve të zonës në tërësi dhe jo drejt yjeve. Më i ashpër është Sherefedin Shehu, profesor dhe konsulent i lirë, i cili thotë se nxitja e hoteleve me 5 yje është politikë selektive dhe me rreziqe për të ardhurat buxhetore.

Incentiva fiskale për 5 yjet bën “lëmsh” investimet

Si çdo ligj tjetër i ri në Shqipëri, edhe nisma për nxitjen e hoteleve me 4-5 yje duket se më shumë ka futur në një hulli të ngatërruar grupet e interesit. Paketa ligjore që nxit investimet në këtë fushë është e paqartë dhe krijon kontradikta.

Ndryshimet në ligjin për turizmin në muajin dhjetor (ligji nr. 114/2017) përcaktojnë se përjashtimin nga taksat TVSH dhe Tatim-Fitimin për dhjetë vitet e para të aktivitetit e përfitojnë strukturat akomoduese me 4-5 yje dhe që duhet të investojnë të paktën 8 milionë euro për standardin me 4 yje dhe 15 milionë euro për standardin me 5 yje. Ligji 114/2017 thotë gjithashtu se përfitues janë hotelet me 4-5 yje që kanë status special. Statusi special përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Burimet nga tregu pohojnë se po në dhjetor të vitit 2017 janë bërë ndryshime në ligjin për taksën e infrastrukturës, të cilat janë tërësisht në kontradiktë me ndryshimet që kanë bërë në ligjin për turizmin.

Sipas këtyre ndryshimeve “përjashtohen nga pagesa e taksës së infrastrukturës investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “hotel/resort me pesë yje, status”, sipas përcaktimit të legjislacionit në fushën e turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht”.

Mirëpo ligji “Për Turizmin “nuk e ka përcaktimin, “Brand Name”. Sipas këtij përcaktimi, investitorët vendas nuk përftojnë përjashtim nga taksat. Edhe në ligjin për “Për tatimin mbi të ardhurat”, janë bërë të njëjtat ndryshime shprehimisht” strukturat akomoduese “Hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”.

Ndryshimet në ligjet e taksave, të cilat përcaktojnë si përfitues të lehtësive tatimore “Brand Name”, pra markat e hoteleve të njohura ndërkombëtarisht, nuk janë të njehsuara me vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili në formën siç është aktualisht nuk e ka togfjalëshin “Brand Name”, duke lënë të kuptojë se përfitues të incentivës së qeverisë janë edhe hotelet me pesë yje, investime vendase.

Pavarësisht rrëmujës ligjore, ndërtuesit që kishin planifikuar të nisin ndërtimin e kullave të larta në zonën brenda Unazës po i shndërrojnë ato në hotele me 4-5 yje dhe janë duke lobuar që të hiqet togfjalëshi “Brand name” nga ligji i taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Investimet rrezikojnë të mos nisin edhe këtë vit, pasi qeveria ka lajmëruar në ligjin për turizmin se, udhëzimet që do të sqarojnë modalitetet e përfituesve, do të miratohen gjatë nëntë muajve dhe për pasojë, ligji për përjashtimin nga taksat nuk mund të aktivizohet.

Fluks hotelesh luksi në Tiranë

Nisma e re e qeverisë rrezikon të sjellë një flluskë investimesh në hotelet me pesë yje nëse nuk administrohet. Disa projekte për hotele me pesë yje ishin gati para se qeveria të lehtësonte taksat. Po ashtu, të tjerë janë gati të nisin pikërisht për të përfituar nga incentiva e qeverisë, edhe pse kërkesa për këtë shërbim nuk është e garantuar. Në pranverë të këtij viti pritet të hapë themelet Hoteli i ri “Tirana International” me stendat me 5 yje, si zgjatim i hotelit ekzistues në qendër të Tiranës në pronësi 100 për qind të kompanisë “Geci”.

Leja zhvillimore për objektin 35 katësh është dhënë për shërbime hotelerie 100%, teksa kompania është duke u përpjekur të azhurnojë investimin me incentivën fiskale të qeverisë, por ligji është i paqartë. Hotel Tirana është një markë e njohur vendase, por jo ndërkombëtarisht. Me ndryshimet e reja ligjore, Hotel Tirana i ri edhe përfiton, edhe nuk përfiton nga lehtësitë fiskale, por juristët dhe ekspertët fiskalë pohojnë se qeveria duhet të standardizojë ligjin 114/2017 me ndryshimet që janë bërë në ligjet e veçanta të taksave kombëtare dhe tatimit mbi fitimin.

Gjithashtu është në përfundim të investimit hoteli “Hilton” i linjës Garden Inn (mbi nivelin mesatar 4 yje) që do të shtojë ofertën e akomodimit në Tiranë me mbi 20%. Projekte të tjera të mëdha janë në nisje. Një tjetër kullë shumëkatëshe, 30% e së cilës është planifikuar të ofrohet si hotel, do të ndërtohet në mes të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë së Tiranës) e cilësuar “Eyes of Tirana”. Trualli ku do të kryhet investimi është rrethuar.

“Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë dhe do të zhvillohet nga kompania Edil-Al. Të dhënat nga projekti bëjnë të ditur se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m². Sipas projektit fillestar të bërë publik nga kompania, zona e hotelerisë do të shtrihet në një sipërfaqe prej 2421 m². Kulla është pjesë e Masterplanit për Tiranën.

Zhvilluesit e kullës me 40 kate (DownTownAlbania) në zonën e parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit, janë gati të nisin punimet dhe vendi është rrethuar, ku nuk do të mungojnë katet e hoteleve.
Për ndërtimin e objektit do të investohen 75 milionë euro dhe është një investim i përbashkët i Grupit Balfin, dhe Kastrati Group me aktivitet në sektorin e karburanteve.
Gjatë vitit të kaluar, Parlamenti miratoi një paketë lehtësuese fiskale për projektin e Kullës Ikonike ndaj investitorit “Al Habtoor Investment”. Investimi do të bëhet në zonën e Bulevardit të ri të Tiranës që është në proces ndërtimi dhe vlera e investimit përfshin një shumë prej 250 milionë eurosh.

Qeveria shqiptare, për të lehtësuar investimin, miratoi një paketë të posaçme ligjore, me të cilën e ka përjashtuar kompaninë nga të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore për 15 vitet e para të aktivitetit. Në këmbim të këtyre lehtësive, investitorët do të ofrojnë 25 mijë m² ambient për Bashkinë e Tiranës.

Kulla në pjesën më të madhe të saj do të funksionojë si Hotel dhe nëse investimi kryhet, oferta për akomodim luksi do të rritet në mënyrë galopante në Tiranë.
Plani i ri i Tiranës deri më 2030 parashikon ndërtimin e të paktën 15 kullave të larta përgjatë bulevardit të madh, nga pjesa e re deri në hyrjen e parkut të Liqenit dhe një pjesë e tyre, sipas burimeve nga tregu, do të ofrohen si hotele për të përfituar nga përjashtimi i taksave.

Menaxherët e hoteleve ekzistuese pohojnë se investimet në akomodimin e luksit do të kenë mbikapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën, nëse Investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Por vërehet se ka një kërkesë në rritje për grupet e turizmit. Tirana është tashmë pjesë e tureve ballkanike të shumë agjencive globale, teksa pasiguria në Turqi po sjell një ofertë turistike në rritje, nga e cila mund të përfitojnë edhe hotelet luksoze të kryeqytetin tonë.

Hotelet me 5 yje pushtojnë bregdetin, turistët kërkojnë me 3 yje

Resorti më i madh në vend për shërbimet turistike “Rafaelo” në zonën e Shëngjinit është duke shtuar kapacitetin akomodues të standardit me pesë yje edhe me 150 dhoma të tjera, i nxitur nga nisma e qeverisë për të lehtësuar investimet në këtë fushë. Aktualisht “Rafaelo” ofron rreth 600 dhoma kryesisht me tre dhe katër yje, por menaxheri i shitjeve, Zef Pemati, thotë se kërkesa më e madhe është për hotelet me tre yje. Pemati pohon se tre vitet e fundit, kërkesa nga vendet perëndimore, si Gjermania, Zvicra, Polonia, Çekia është rritur, të cilët kërkojnë një standard më të lartë se tre yje.

Ai tha se me aktivizimin e investimeve të reja në shërbimet me pesë yje do të ofrohen në rreth 240 dhoma ose rreth 35% e krejt kapacitetit akomodues të resortit.
Balfin Group ka hyrë në fazën e ndërtimit të hoteleve me pesë yje në bregdet. Presidenti i Balfin, Samir Mane, tha se po ndërtohet një hotel me 128 dhoma, në Palasë, dhe po planifikohet ndërtimi i një hoteli me 5 yje në Gjirin e Lalëzit.

Ai tha se në Jug mungon infrastruktura dhe kjo është një nga arsyet kryesore se pse nuk po ecim me hapa të shpejtë, sepse nuk mund të orientosh investimet në hoteleri-turizëm, kur nuk ka infrastrukturë. “Në Gjirin e Lalëzit ka më shumë interes për shkak të infrastrukturës më të mirë, ndaj po e shohim dhe aty me interes”, – është shprehur zoti Mane më herët për Monitor.

Kompania tjetër Edil-Al, e njohur në sektorin rezidencial, ka nisur investimet agresive në sektorin e hotelerisë dhe akomodimit. Kompania është në kulmin e investimit të një fshati turistik të kombinuar me hotel dhe resort në Gjirin e Lalëzit, i pagëzuar me emrin “San Pietro Resort”. Projekti synon që në gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², do të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe, nga të cilat 98.600 m² do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort me 5 yje.

Resorti është duke u zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë spanjolle “Melia Group”, e njohur për menaxhimin e resorteve me shërbime luksi. Investimi do të përfshijë 88 milionë euro, ndërsa pritet të jetë në operim brenda tre viteve, bëjnë të ditur burimet e kompanisë dhe do të ofrojë ofertat all inclusive.

Edil-Al ka publikuar në faqen zyrtare në internet se ka në plan të nisë vitin që vjen punimet për ndërtimin e një fshati turistik në zonën ndërmjet Palasës dhe Dhërmiut, të quajtur “Palasa Bay Resort”. Projekti do të shtrihet në rreth 14 hektarë tokë dhe sipërfaqja e ndërtimit do të jetë në 44.000 m², ku në pjesën jugore të saj shtrihet deti. Janë projektuar 160 njësi vilash dhe një hotel.

Gjithashtu, Edil-Al ka në plan të përfundojë brenda 2019-s një kompleks rezidencial me vila në Gjirin e Jalit, 55 kilometra nga Vlora. Fshati i Jalit u projektua nga studio italiane OIKOS Projekti dhe parashikon ndërtimin në një sipërfaqe toke prej 45 mijë m², ku 4100 m² janë për vila dhe hotelin në 2200 m².

Edil-Al ka njoftuar po ashtu se do të zhvillojë një projekt të ngjashëm në Ksamil, në bashkëpunim me studion arkitektonike greke ORIO & Partners. Arameras BEACH resort parashikohet të vendoset në një sipërfaqe 29 hektarë, ku sipërfaqja e ndërtimit është 112.940 m².
Menaxherët kryesorë të hoteleve në zonën e bregdetit pohuan për “Monitor” se, kërkesa për shërbim akomodimi nga të huajt është e orientuar kryesisht për nivelin e tre yjeve.

Gjithashtu kompania “Mabetex Group” është në fazën e diskutimeve të nxehta për ndikimin negativ në mjedis që do të ketë ndërtimi i një resorti gjigant në Lagunën e Karavastasë. Projekti Masterplani i “Resort Divjakë Albania” është planifikuar të shtrihet në një territor të gjerë rreth 12 km gjatësi në vijë bregdetare.

Sipas të dhënave të projektit në Divjakë (Karavasta), që është publikuar nga Ministria e Mjedisit, në kuadër të ndikimit mjedisor, do të ndërtohet resort turistik me përmasa të mëdha në një sipërfaqe prej 89 hektarësh. Janë planifikuar të ndërtohen 370 vila dhe 2350 apartamente.

Në dispozicion do të jenë 4,310 shtretër hotelerie, ku së bashku synohet një kapacitet prej 18,280 turistësh, sipas të dhënave zyrtare të projektit të dorëzuara në Ministrinë e Mjedisit.
Gjithashtu “Hysenbelliu Group” po e kthen Mak Albanian në Durrës në një resort turistik të standardeve luksoze, të ngjashme me modelet turke të këtyre niveleve. Instinktet e biznesit për mundësi të reja fitimi shkojnë gjithnjë para qeverisë, por më pas këto të fundit e krijojnë infrastrukturën e nevojshme për t’i mbështetur ato.

Presidenti i grupit, Irfan Hysenbelliu, ka shpjeguar më parë për “Monitor”, se kërkimet e tregut treguan për një kërkesë në rritje për shërbimet turistike në Shqipëri. Ky fakt dhe perspektiva që sektori ka për t’u shndërruar në industri i kanë orientuar investimet e kompanisë drejt turizmit, tha zoti Hysenbelliu.

Infrastruktura publike nuk i mbështet hotelet me 5 yje

Nëse një turist i pasur zgjedh Shqipërinë për pushime luksi, do të zhgënjehet pa mbërritur ende në hotel, sidomos nëse e ka zgjedhur Jugun e vendit. Zakonisht, në muajt korrik dhe gusht duhen më shumë se 6 orë udhëtim nga Tirana ose Rinasi në një trafik të tmerrshëm nëpër qytetet e Fierit dhe Vlorës. Përgjatë rrugëve zakonisht të pista, ka shumë pluhur dhe pamja deri në portat e hotelit e nevrikos edhe një shqiptar të zakonshëm.

Plazhet shqiptare nga Jugu në Veri kanë probleme të mprehta në infrastrukturë. Rrugët me standarde mungojnë ende, nuk ka kanalizime të ujërave të zeza dhe mungon furnizimi i rregullt me ujë dhe energji. Ambienti përqark hoteleve me 5 yje në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, ndaj në këto kushte është vështirë që turistët e pasur të Europës të joshen për të kaluar pushime në hotelet luksoze të Shqipërisë. Vitin e kaluar vendin tonë e vizituan 115 mijë turistë polakë, sipas INSTAT. Ata kanë nisur të japin përshtypjet e para tek agjencia që i ka sjellë në Shqipëri (ITAKA).

Shumica e tyre nuk e rekomandojnë Shqipërinë dhe pjesa më e madhe e hoteleve në Durrës që po presin turistët çekë dhe polakë, janë në dijeni të këtij fakti. Menaxherja e “California Resort” pohon se kërkesa nga çekët dhe polakët nuk do të zgjasë shumë, për shkak të mungesave thelbësore që ka ende infrastruktura turistike e Durrësit. Ajo pohon se tre vitet e fundit po punon me agjencitë polake, po nuk ka ndodhur që një familje ose një grup turistësh të rikthehet. Rruga dytësore është gjithë gropa dhe baltë, dhe mundësitë për të vizituar Durrësin dhe apo hotele të tjera në zonë janë të pakta për turistët e huaj ose të shtrenjta.

“Teksa taksat dhe deklarimet po bëhen, shërbimet publike janë në nivelin zero. Nuk ofrohet asnjë shërbim për pastrimin në plazhe, as kosha nuk ka. Dritat ikin herë pas here dhe problemi i ujit nuk ka marrë zgjidhje, – pohon e shqetësuar ajo. Jemi një grup hotelesh që i kemi propozuar Bashkisë që të bëjmë investimet në infrastrukturën përreth me fondet tona, por as kjo dritë jeshile nuk po na hapet. Në këto kushte, mendoj se kërkesa çeke dhe polake për të pushuar në Shqipëri do të zgjasë edhe 3-4 vite, jo më shumë, derisa shumica e tyre ta provojnë Shqipërinë. E shikoj që shumica e tyre ikin me përshtypje jo të mira dhe kjo nuk të jep shumë shpresë për të ardhmen”.

Edhe agjencitë turistike që punojnë një vit me Beratin, kanë shprehur pakënaqësi. Para tre vitesh ishin francezët që e vizituar qytetin, një vit më pas kishin dominuar gjermanët, dhe më past italianët dhe rusët. Por nuk ka ndodhur, bie fjala, që puna me të njëjtin shtet të vijojë për disa vite rresht, pohuan administratorët e hoteleve.

Shtetet e tjera të Mesdheut si Greqia, Kroacia, Turqia, Spanja kanë vendosur të zhvillojnë industrinë e tyre të turizmit, – fillimisht kanë kryer investime në infrastrukturën publike.
Në mes të viteve ’80, Turqia vendosi të zhvillojë turizmin si sektor në nivelin e një industrie mbi të cilën do të bazohej rritja e ekonomisë së vendit në të ardhmen. Qeveria e kohës vendosi të angazhohet me burimet e saj financiare, për të ndërtuar resortin e parë, i cili vendosi precedentin se si do të zhvillohet industria më e madhe e turizmit në Mesdhe në dy-tre dekadat në vijim.

Resorti i parë u bë në zonën e Belekut, i cili në atë kohë ishte një gjysmë kënete. Për të shmangur konfrontimet me rajonet për çështjen e pronësisë, qeveria turke investoi rreth 100 milionë dollarë të kohës për tharjen e kënetës dhe më pas thirri një ndër operatorët më të mëdhenj gjermano-amerikanë të shërbimeve të turizmit për të ndërtuar resortin e parë në vend, me standardin më të fundit me pesë yje.

Më pas, të gjitha resortet u zhvilluan mbi këtë standard, të mbështetura në një plan të qeverisë turke, e cila ofroi incentiva për krijimin e zinxhirit mbështetës për turizmin që nga ndërtimi i infrastrukturës rrugore, furnizimi me ujë, energji etj.

Gjithashtu, qeveria ndihmoi në trajnimin e stafit që shërben në sektorin e turizmit. Pothuajse çdo resort ka një shkollë të posaçme që trajnon sipas nevojave punonjës për kuzhinën dhe shërbime të tjera.
Për rrjedhojë, turizmi është një nga sektorët mbi të cilin u bazua rritja ekonomike e vendit në dekadat e fundit. Turqia ka 30 aeroporte që ofrojnë fluturime ndërkombëtare, duke lidhur destinacione të tjera me rreth 200 vende të botës. Të ardhurat mesatare në një vit janë mbi 23 miliardë dollarë, ndërsa në strategjinë për zhvillimin e sektorit deri më 2023 synohet që të ardhurat nga turizmi në ekonominë kombëtare të Turqisë të arrijnë në 53 miliardë dollarë në vit. Turqia synon të jetë e para në botë për peshën në industrinë e turizmit.

Modeli që duhet ndjekur për hotelet

Ndërtuesi Hajredin Fratari shton se hoteleria është ezauruar në kryeqytet dhe hotelet e mëdha po e vuajnë mungesën e klientelës. Madje ai thotë se një ndërtim i ri te Hotel Tirana mund t’i prishë punë hotelit të parë. “Sot në Tiranë janë hotelet e vogla, ato që po ecin më mirë”, shton ai.
Zak Topuzi, kryetar i sektorit të hotelerisë në Shoqatën Shqiptare të Turizmit, thotë se Tirana nuk ka më nevojë për hotele me 4-5 yje. Për më tepër, në rast se Shqipëria nuk kthehet në destinacion turistik, nuk ka treg.

Sot, sipas tij, Tirana nuk ka produkte, prandaj s’ka turizëm.
Topuzi thotë se Tirana ka nevojë për hotele B&B (fjetje dhe mëngjes) që të mundësojnë akomodimin e turistëve. Ai paralajmëron se, në rast se hotelet që do të ndërtohen në Tiranë, do të jenë përsëri të kategorisë me 5 yje, do të jetë një dështim. Sot tregu është i çorientuar, pohon ai. Grupet turistike akomodohen në Durrës-Golem, pasi kanë çmime të ulura jashtë sezonit.

Ndërsa hotelet me 4-5 yje po e ndiejnë mungesën e klientelës dhe kanë ulur çmimet. “Nëse kërkon në booking.com, hotelet me 5 yje japin oferta me çmime të hoteleve të vogla me 4-5 yje”.
Tirana ka potencial për të zhvilluar turizmin e kongreseve. “Ka qenë kërkesë e industrisë që Tirana të ketë një Qendër Kongresesh, pra për të pasur mundësi tërheqjen e fondeve të mëdha për këto organizime.

Pallati i Kongreseve është një mundësi që me pak investime mund ta kryejë këtë funksion dhe sigurisht do të duhen një zinxhir hotelesh. Për një kryeqytet është aset të plotësosh standardet për këto lloj aktivitetesh.
Sigurisht duhet të vazhdohet paralelisht të ngresh produkte turistike, që Tiranën ta kthesh në një qytet me 365 ditë turizëm”. Ai sjell shembullin e Korçës, që ka krijuar një potencial turistik me shumëllojshmëri produktesh, por ka mbetur prapa me standardet e mungesën e shtretërve të akomodimit, teksa ish-hotel Turizmi është në gjendje të mjerueshme.

Topuzi rekomandon që do të duhej një hotel me të paktën 150-200 shtretër cilësorë me 3 yje për të tërhequr grupet turistike nga vendi, por edhe rajoni.
Kryesisht në fundjavë, gjatë gjithë vitit, nuk gjen hotel. Ulja e TVSH-së së turizmit në 6% është një mundësi që industria të ketë çmime konkurruese.

————–

Ekspertët, kundër incentivave

Ekspertët e ekonomisë, sidomos trupa akademike në vend, nuk e ka mbështetur paketën e qeverisë për nxitjen e hoteleve me 5 yje. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, nuk i vlerëson të dobishme incentivat në sektorin elitar të turizmit, teksa vendi ka emergjenca të tjera, sidomos në infrastrukturë dhe për më tepër potenciali i zhvillimit turistik të vendit nuk shihet tek hotelet luksoze. Hapësirat që lënë përjashtimet fiskale dhe shtrembërimi i konkurrencës janë një tjetër shqetësim, ndërsa ata shprehen se duket qartë se ky është një lobim në favor të vetëm disa sipërmarrjeve.

Zak Topuzi, një nga ekspertët më të mirë në fushën e turizmit në vend, thotë se jemi të papërgatitur për një hap të shpejtë të zhvillimit të turizmit elitar. Ai shton se lehtësitë fiskle për hotelet me 5 yje do të sjellin çorientim dhe inflacion të çmimeve të shitjeve e deri te çekuilibrimi i tregut të punës në zona të tejngopura si Tirana. Sot, vendi ka potencial për një zhvillim të moderuar të strukturave hoteliere, kryesisht ato me 3-4 yje, ndërtimin e një numri të kufizuar resortesh dhe të zhvillojë turizmin familjar, duke vitalizuar fshatrat ekzistues, thotë Topuzi.

Për profesor Arben Malaj, çdo Paketë Fiskale duhet të jetë neutrale dhe sa më pak përjashtuese, pasi çdo përjashtim krijon premisa për evazion, konkurrencë jo të drejtë në treg dhe vështirësi në administrimin fiskal. Ai ankohet dhe për mungesën e transparencës që ka shoqëruar hartimin e paketave fiskale vitet e fundit. Malaj propozon të hartohet një moratorium trevjeçar që të “ngrijë” ndryshimet ligjore në fushën e taksave dhe të reflektohet thellë në lidhje me nevojat për ndryshime dhe potencialet që ka vendi në këtë drejtim. Prof. Malaj këshillon që në turizëm t’u jepet përparësi shpenzimeve në infrastrukturën e rrugëve, ujit dhe përmirësimit të kushteve të zonës në tërësi dhe jo yjeve.

Më i ashpër është Sherefedin Shehu, profesor dhe konsulent i lirë. Ai thotë se ulja e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) për hotelet me 5 yje është politikë selektive dhe me rreziqe për të ardhurat buxhetore. E njëjta gjë vlen dhe për heqjen e tatimfitimit, që sipas Shehut nxit evazionin fiskal dhe në kushtet e një kulture të dobët administrative dhe veçanërisht administrimit të dobët tatimor do të rritet artificialisht numri i hoteleve subjekt i përjashtimit.

Selami Xhepa, president i Institutit Europian Pashko, shton se mënyra se si është konceptuar paketa e këtij viti për turizmin lë shteg për të besuar se këto janë nisma të lobuara fort nga një grup interesi influencues, me efekte përfituese për një grup të vogël, por jo për një popullatë të gjerë siç është industria e shërbimit turistik. Ai sjell në kujtesë faktin se metodat e përjashtimeve ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe është parë se ato janë joefektive, kundërproduktive dhe pa përfitime ekonomike për vendin që i zbaton.

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike me keqardhje konstaton se qeveria shqiptare, për shkaqe politike, të mungesës së ekspertizës në radhët e saj, por edhe të klimës së përkeqësuar të investimeve në vend, po nxiton me vendimmarrje të tilla gati-gati komprometuese për një qeveri të votuar të një vendi demokratik. Sipas tij, origjina e kapitalit apo përdorimi i fjalës “brand name” nuk josh më askënd dhe shërben thjesht si mbulesë për të justifikuar në publik klientelizmin e elitës politike drejtuese të vendit.

Oltion Rrumbullaku, profesor i çështjeve fiskale në Fakultetin e Ekonomisë, thotë se në Shqipëri mungojnë strukturat hoteliere masive që mund të akomodojnë grupe të mëdha të organizuara turistike dhe Ligji për Investimet Strategjike duhet të përdorej në mënyrë më të drejtpërdrejtë për këtë qëllim. Ai sheh si pengesë edhe qasjen e biznesmenëve vendas për të përdorur bregdetin për investime rezidenciale, që nuk mund të jenë të panumërta.

Profesor Adrian Civici është i vetmi që shprehet pozitiv për këto lehtësi fiskale. Ai është i mendimit që Shqipëria ka nevoja urgjente ta modernizojë sektorin dhe ofertën e saj turistike edhe me këtë segment që konsiderohet si “ofertë turistike luksi”. Nuk është e vërtetë që kërkesa turistike në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie, pohon ai.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of