Derisa vaksinat të jenë gjerësisht të disponueshme, vendet do të përballen me disa zgjedhje të vështira, shkruan The Economist
Solstici i dimrit mund të ketë kaluar, por në botën e COVID-19, netët vazhdojnë të bëhen më të gjata. Javët e fundit, dy variante të koronavirusit janë përhapur me shpejtësi të egër në Britani dhe në Afrikën e Jugut. Ato kanë mutacione që i bëjnë viruset shumë më ngjitës. Megjithëse deri tani, nuk duket se janë më vdekjeprurëse, për çdo 10 njerëz që infektojnë variantet e vjetra në Britani, varianti i ri infekton 15. Të dhënat e hershme tregojnë se varianti i Afrikës së Jugut është po aq i ashpër.
Tani bota është përqendruar me të drejtë në miratimin, prodhimin dhe administrimin e vaksinave. Por gjithashtu duhet të përballet me faktin se përpara se vaksinat të vijnë në ndihmë, variantet e reja do të përhapen, duke krijuar vështirësi të mëdha për politikanët.
Biologët evolucionarë kanë ngritur supet për shfaqjen e këtyre mutacioneve: ata thonë thjesht se kështu sillen viruset, sepse përzgjedhja natyrore favorizon variante më të transmetueshme dhe më pak vdekjeprurëse. Disa viruse që shkaktojnë ftohje të zakonshme mund të kenë pasur një fillim po aq të egër sa sars-cov-2 dhe janë moderuar me kalimin e kohës.
Politikanët nuk kanë mundësi të jenë kaq të qetë. Një virus më i transmetueshëm COVID-19 dhe që është po aq i rrezikshëm, si në rastin e këtij varianti, do të thotë se spitalet mund të mbingarkohen. Në Angli, shumica e popullsisë ka qenë thuajse në karantinë të plotë për javë të tëra. Megjithatë, pacientët e sëmurë me COVID-19 në spitale, tani kanë tejkaluar kulmin në prill dhe shërbimi shëndetësor po lufton për të përballuar kërkesat.
Shumica e pjesës tjetër të botës, përfshirë Europën dhe Amerikën, do të kenë të njëjtin fat. Më shumë se 50 shtete nxituan për të ndaluar udhëtarët e ardhur nga Britania, sapo shkencëtarët e saj i treguan botës për variantin e ri, në mes të dhjetorit. Shumë kanë ndaluar gjithashtu mbërritjet nga Afrika e Jugut.
Por masa të tilla ka të ngjarë të blejnë vetëm pak kohë. Në fillim të nëntorit, para ndalimeve të udhëtimit, varianti britanik tashmë përbënte gati 30% të rasteve në Londër, një nga qytetet më ndërkombëtare në botë. Duke pasur parasysh mënyrën e përhapjes së varianteve të hershme nga vendpushimet e skive në Alpe dimrin e kaluar dhe nga Spanja në verë, është naive të besosh se rastet e variantit të ri të virusit nuk janë përhapur tashmë në të gjithë Europën dhe më gjerë.
Deri tani, janë zbuluar vetëm raste sporadike në rreth 20 shtete, përfshirë këtu në Amerikë një burrë që nuk kishte udhëtuar fare. Por kjo ka ndodhur sepse, ndryshe nga Britania dhe Afrika e Jugut, shumica kryejnë pak sekuenca gjenomike për të kërkuar mutacione. Franca e ka ekzaminuar virusin më pak herë gjatë pandemisë, sesa ka bërë Uellsi në një javë. Shumica e vendeve nuk kërkojnë fare në këtë drejtim. Variantet e tjera më ngjitëse mund të përhapen pa u zbuluar.
Lajmi i mirë është se këto mutacione nuk ka gjasa të riinfektojnë njerëzit që e kanë pasur sëmundjen ose të jenë imunë ndaj vaksinave të sotme COVID-19. Përzgjedhja natyrore do të fillojë ta ndryshojë këtë, teksa gjithnjë e më shumë njerëz do të vaksinohen, por vaksinat mund të ndryshohen për të mbetur efektive. Me vaksinën Pfizer-BioNTech, procesi zgjat vetëm gjashtë javë.
Midis së tashmes dhe së ardhmes
Sidoqoftë, edhe në vendet kryesisht të pasura që kanë grumbulluar vaksina, nuk do të ketë mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e virusit, të paktën deri në verë. Miratimi emergjent i i vaksinës AstraZeneca-Oxford do të ndihmojë, por përsëri do të ketë vonesa. Vendet më të varfra dhe me të ardhura mesatare do të mbeten më pak të mbrojtura për shumë më gjatë.
Vendet në Europë dhe më gjerë, do të detyrohen të përballen me këtë realitet që ndryshon shpejt duke rivlerësuar përfitimet nga karantinat e ashpra të nevojshme për të ndaluar një virus më ngjitës dhe kostot e tyre afatgjata në shkollimin, shëndetin dhe jetesën. Ende ka dritë në fund të tunelit. Por rruga drejt tij është bërë shumë më e vështirë.